Ka gjëra që nuk i thotë gjuha, por i kupton zemra. Ka shikime që s’kanë nevojë për fjalë, dhe ndjenja që s’duan shpjegim. Ka një afërsi të veçantë mes disa njerëzve që nuk buron nga interesat apo përfitimi, por nga një ndërlidhje e thellë shpirtërore, nga ajo që dijetarët e quajtën “përputhje e shpirtrave”.
Ibn Kajimi thotë: “Zemra e nuhat aromën e një tjetër zemre.” Kjo nuhatje nuk është fizike, por është ndjenjë e pastër që lind pa u përpjekur. Ndodh të kujtosh dikë dhe papritur të buzëqeshësh. Ndodh të ndjesh gëzim vetëm pse të kujtohet dikush. Kjo është, siç thoshte një nga të mirët: “shenjë e dashurisë së sinqertë” mes jush.
Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë:
“Mos e pyet askënd se sa të do, por shiko çfarë ndien ti për të, sepse edhe ai ndien të njëjtën. Shpirtrat janë ushtarë të rreshtuar që njihen mes vete.”
Këtë realitet e ka komentuar bukur edhe dijetari i njohur Ibn Uthejmini:
“Zemrat njihen dhe afrohen, edhe nëse gjuhët nuk flasin.”
Ndjenja e dashurisë së sinqertë ndonjëherë është aq e pastër, saqë e njeh edhe pa u thënë. Abdullah ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) kur u pyet se si e dinte që një person e donte, tha thjesht: “Sepse unë e dua atë.” Po ashtu, Jehja ibn Ebi Kethiri, kur dikush i tha: “Unë të dua”, u përgjigj: “E kam kuptuar këtë nga vetja ime.”
Ndoshta janë fjalë të pakta këto, por mbajnë peshën e ndjenjave të thella. Dashuria për hir të Allahut është ndjenjë që shkon përtej përkohshmërisë, është dritë që ndriçon zemrën dhe lidh shpirtrat edhe në mungesë.
Dhe kur zemrat njihen përpara se të flasin fjalët, kupton se kjo është dhuratë nga Zoti – një miqësi që s’ka nevojë për shpjegim, vetëm për falënderim
Hoxhë Agim Bekiri
23/04/2025