Durimi dhe Lutja (duaja) – Mësim nga Një Fëmijë i Vogël (nga Fudajl ibn Ijadi dhe Ebu Derda)
Fudajl ibn Ijadi, Allahu e mëshiroftë, thotë:
“Një ditë mësova çfarë është durimi nga një fëmijë i vogël. Po shkoja në xhami dhe pranë saj pashë një grua që po e qëllonte dhe godiste të birin e saj. Djali po qante me të madhe, ia doli të hapte derën dhe doli me vrap jashtë, por e ëma ia mbylli derën përsëri.”
“Kur u ktheva pas pak, e gjeta djalin që kishte qarë për pak kohë dhe pastaj kishte rënë të flinte mbi pragun e derës, i mbështetur aty me shpresën që nëna e tij do ta falte. Zemra e nënës u prek dhe ia hapi derën.”
Pastaj Fudajli tha i emocionuar:
“SubhanAllah! Sikur robi të kishte durim dhe të qëndronte te dera e Allahut të Madhëruar, Allahu do t’ia hapte atij derën.”
Ky rrëfim i thjeshtë, por i thellë në kuptim, na mëson një të vërtetë të madhe: durimi dhe qëndrueshmëria janë çelësi për të arritur mëshirën e Zotit. Siç preket zemra e një nëne nga qëndrimi i butë i fëmijës së saj, ashtu preket edhe mëshira e Zotit nga përulësia dhe sinqeriteti i robit të Tij.
Një mësim të ngjashëm e jep edhe sahabiu, Ebu Derda, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur thotë:
“Lutuni me ngulm, sepse ai që troket shpesh në derë, me siguri që një ditë ajo do t’i hapet.”
Kjo është një thirrje e sinqertë për çdo zemër të lodhur, për çdo shpirt që pret dritë: mos e humb shpresën! Zoti nuk i harron lotët e robërve të Tij dhe nuk ua mbyll derën atyre që kthehen me zemër të thyer dhe të përulur.
Në një kohë ku shumë njerëz e humbasin shpresën shpejt dhe dorëzohen para vështirësive, ky tregim na kujton forcën e durimit dhe bukurinë e besimit. Zoti i Madhëruar është më i mëshirshëm sesa çdo nënë me fëmijën e saj, dhe Ai është gjithmonë i gatshëm të falë, të japë, dhe të hapë rrugë të reja – për ata që nuk ndalen së trokituri në derën e Tij.
(Burimi: Musannefi i Ibn Ebi Shejbe)
Përkthim: Hoxhë Nusret Ramadani
22/04/2025
