“Vërtet të mirët janë në një jetesë të këndshme!” (Infitar: 13)
Jeta e këndshme për të cilën Allahu i madhëruar na flet në suren Infitar duke treguar se ajo i rakon të mirëve, manifestohet në disa mënyra:
1. Nëpërmjet njohjes së Krijuesit.
Abdullah b. Mubareku ka thënë:
“Banorët e dynjasë dolën prej saj para se të shijonin më të mirën që kishte ajo.” U tha: “E çfarë është më e mira që ka ajo?” Tha: “Njohja e Allahut të Lartësuar.”
(“Hiljetu’l-Evlija” e Ebu Nu’ajmit, 8/167)
Ajo njohje sjell me vete:
Dashuri për Të,
Frikë nga Ai,
Besim dhe mbështetje te Ai,
Qetësi të brendshme dhe lumturi shpirtërore që nuk krahasohet me asnjë tjetër gëzim në këtë botë.
Kjo njohje e cila paraqet themelin e besimit ka ëmbëlsi, për të cilën i Dërguari i Allahut thotë: “Tre cilësi, kush i ka, do të shijojë ëmbëlsinë e besimit:
-Që Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur për të se gjithçka tjetër,
-Të dojë një njeri vetëm për hir të Allahut,
-Dhe të urrejë të kthehet në mosbesim pasi që Allahu e ka shpëtuar prej tij, ashtu siç urren të hidhet në zjarr.”
2- Nëpërmjet zgjerimit të krahërorit (qetësisë së zemrës)
Allahu i Lartësuar thotë:
“Atij që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron kraharorin për Islamin. Kurse atij që Ai dëshiron ta humbasë, ia ngushton dhe ia shtrëngon kraharorin, sikur të ngjitej në qiell. Kështu Allahu e vendos ndyrësinë mbi ata që nuk besojnë.” (En’am, 125)
Po ashtu thotë i Madhërishmi:
“A është vallë ai të cilit Allahu ia ka zgjeruar kraharorin për Islamin, dhe ai është mbi një dritë prej Zotit të tij – njësoj si ai që është zemërfortë ndaj përmendjes së Allahut? Të tillët janë në një humbje të qartë” (Zumer,22)
Zgjerimi i kraharorit do të thotë hapje dhe qetësi e brendshme, si pasojë e ndriçimit të zemrës me dritën e besimit dhe gjallërisë së saj me dritën e bindjes së sigurt. Me këtë, shpirti gjen qetësi, do të mirën dhe trupi bashkëpunon në kryerjen e saj me kënaqësi, pa e ndjerë të rëndë, pa përtim e pa neglizhencë.
Ndërsa ai të cilin Allahu e ka lënë në humbje, e ka kraharorin e ngushtë, ndien vështirësi dhe barrë, zemra e tij është zhytur në dyshime dhe dëshira të ulëta; tek ai nuk arrin asnjë e mirë dhe nuk gjen gëzim në vepra të mira.
A është njësoj ai që ka kraharorin e hapur, syrin e qetë, e njeh fillimin dhe fundin e tij, shpirti i tij është i qetë, mendja e tij është e kthjellët, kur i jepet falënderon dhe kur i mohohet duron – me atë që është zemërfortë, me kraharor të ngushtë, që nuk njeh tjetër përveç kësaj bote dhe nuk sheh tjetër përveç kënaqësive trupore – kur i jepet bëhet mendjemadh dhe mohues, dhe kur i mohohet bëhet i pakënaqur dhe i ankuar?
“A është më i udhëzuar ai që ecën i përmbysur mbi fytyrën e tij, apo ai që ecën drejt mbi një rrugë të drejtë?” (Mulk, 22)
Përmes këtij zgjerimi të kraharorit, besimtari jeton një jetë të mirë: falënderon Zotin e tij në kohë të mira dhe të begata, duron në kohë të vështira dhe sprovuese, dhe bën të mira duke shpresuar në shpërblimin e Allahut. Siç ka thënë Allahu: “Kush bën vepra të mira – qoftë burrë apo grua – duke qenë besimtar, Ne do t’ia bëjmë jetën të mirë dhe do t’i shpërblejmë më mirë sesa ajo që bënin.” (Nahl, 97)
3. Nëpërmjet gjërave të bukura që Allahu i bërë hallall për besimtarin
Allahu i Lartësuar thotë: {Thuaj: “Kush e ka ndaluar stolinë e Allahut që Ai ka nxjerrë për robërit e Tij dhe të mirat e lejuara nga furnizimi?” Thuaj: “Ato janë për ata që besojnë në jetën e kësaj bote (si dhunti e lejuar), ndërsa në Ditën e Kiametit do të jenë veçanërisht për ta.” Kështu Ne ua shpjegojmë argumentet njerëzve që kuptojnë.} (A’raf, 32)
Në këtë ajet, Allahu i qorton ata që, me ashpërsi dhe pa drejtësi, ndalojnë atë që Allahu e ka lejuar nga të mirat – nga llojet e ndryshme të veshjes dhe nga ushqimet e pijet e llojllojshme të lejuara. Kush është ai që guxon të ndalojë atë që Allahu e ka dhënë si begati për robërit e Tij? Dhe kush është ai që ngushton atë që Allahu e ka bërë të gjerë dhe të lejuar?
Kjo leje dhe mundësi i përket në mënyrë të veçantë besimtarëve – Allahu ua ka dhënë që ata ta shfrytëzojnë në përkushtim dhe adhurim ndaj Tij. Ndërsa ai që nuk beson në Allahun, për të këto zbukurime nuk janë të pastra dhe as të lejuara në thelb, por përkundrazi – do të ndëshkohet për to dhe do të merret në llogari për kënaqësitë që ka shijuar. Për to do të pyetet në Ditën e Kiametit.
Pejgamberi (paqja dhe lavdia qofshin mbi të) hante dhe vishej me atë që i gjendej. Nuk e refuzonte atë që ishte në dispozicion, dhe nuk i kërkonte me ngulm gjërat që mungonin. Ai i pëlqente disa lloje ushqimesh, të cilat i ofroheshin. Ishte i pastër në veshje, i butë në prekje, i këndshëm në aromë. Luante dhe sillej me butësi me familjen e tij. Flinte herë mbi shtrat, herë mbi një rrobë të shtruar, herë mbi hasër, herë mbi tokë, e herë mbi dyshek.
Edhe shokët e tij ishin të tillë: mes tyre kishte tregtarë, të pasur, me gra dhe fëmijë, por kishte edhe të varfër, me pak pasuri.
Pra, kjo begati e jetës së kësaj bote është diçka që u bie në hise edhe të mirëve edhe të këqijve, edhe besimtarëve edhe jobesimtarëve.
25/04/2025
