Imagjino me mua…
Të thuhet:
“Të ka mbetur vetëm edhe një javë… dhe do të vdesësh.”
Paparitmas… bien të gjitha maskat.
Të gjitha arsyetimet e tua avullojnë.
Gjithçka që e shihje si të rëndësishme, bëhet e pavlerë.
Nxiton të shuash haramin…
Vrapon te nëna jote për të kërkuar falje…
Pastron lotët që ishin tharë në fytyrat e të dashurve të tu…
Hap Kur’anin që e kishe lënë pas dore për vite të tëra…
Rregullon varrin tënd më shumë se sa e kishe rregulluar shtëpinë tënde…
Pastaj e lut Allahun si të ishte para syve të tu…
Dhe qan… dhe qan… sikur të ishe i huaj për vetveten gjatë gjithë këtyre viteve.
O Zot…
Pse presim të na thuhet: “Do të vdesësh” që të fillojmë të jetojmë siç duhet?!
Sepse ne gënjejmë vetveten…
E bindim atë se vdekja nuk do të vijë tani.
Dhe mendojmë se do na njoftojë para se të vijë.
Dhe besojmë se nëse e ka marrë dikë tjetër sot… neve do të na japë afat.
Ky është mashtrimi më i madh… dhe iluzioni më i rrezikshëm.
Sepse vdekja nuk kërkon leje,
Nuk troket në derë,
As nuk pyet: “A je gati?”
Ajo thjesht hyn… dhe hesht çdo zë brenda teje.
Dhe të zhvendos nga kjo botë… në llogari e gjykim.
Dhe ti, ose do të jesh i kënaqur me atë që ke jetuar… ose i penduar për çdo vonesë.
Pyete veten tani… jo nesër:
-Sa mëkate ke lënë të hapura duke pritur një kohë më të përshtatshme?
-Sa namaze ke falur vetëm me trupin, pa zemrën?
-Sa njerëz i ke lënduar… dhe ke thënë: “Do t’u kërkoj falje më vonë”?
-Sa ëndrra për Allahun i ke humbur sepse ishe i zënë me “çdo gjë tjetër përveç Ahiretit”?
A nuk ka ardhur koha… të pendohesh?
Të falësh si kurrë më parë?
Të duash Allahun me një dashuri që të bën të qash?
Të mbyllësh atë derë nga e cila hyn shejtani çdo ditë?
Të thuash për herë të parë:
“O Zot… tani… filloj jetën.”
Sepse e vërteta tronditëse është: Nuk do të të thuhet se kur do të vdesësh.
Por ti e di me siguri se do të vdesësh.
Dhe mund të jetë kjo nata e fundit e jetës sate, dhe ti as që e di.
Prandaj, nga marrëzia më e madhe është të vonosh takimin me Allahun…
Për shkak të një iluzioni të quajtur: “Do ta bëj nesër.”
Dhe ndoshta nesër nuk do të vijë kurrë.
Fillo sot. Tani. Që në këtë çast.
Pendohu. Kthehu. Fali. Kërko falje. Mbylle derën. Përkulu. Qaj.
Bëj gjithçka që e di se është e vërtetë.
Mos prit që të vijë thirrja e vdekjes…
Por ji ti ai që thërret jetën.
Të thërrasësh nga thellësia e zemrës:
“O Zot… nuk do të pres të më marrësh, por erdha vetë te Ti me gjithë zemrën time… i bindur, para se të detyrohem.”
26/04/2025