Njeriu në jetën e tij është gjithmonë i rrethuar nga dy gjendje:
Nga njëra anë, Allahu i Lartësuar e ka mbuluar me begati të panumërta, prej të cilave asnjëherë nuk mund t’i japë hakun e falënderimit të plotë.
Nga ana tjetër, njeriu, për shkak të natyrës së tij njerëzore, bie në gabime dhe mangësi, të cilat e thërrasin në pendim dhe kërkim faljeje.
Shejhul-Islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë një fjalë të artë:
“Njeriu duhet që gjithë frymëmarrjet e tij t’i ketë të ndara në dy lloje: një frymëmarrje me të cilën falënderon Zotin e tij, dhe një frymëmarrje me të cilën kërkon falje për mëkatin e tij.”
(Xhamiu-l-Mesa’il, vëllimi i parë, fq. 161)
Kjo thënie e thjeshtë në fjalë, por shumë e thellë në kuptim, na mëson një rregull të artë për jetën:
Që të mos ketë asnjë çast, asnjë frymëmarrje, pa e lidhur zemrën tonë me Zotin tonë – qoftë me falënderim për të mirat që kemi, qoftë me pendesë për të metat që na shoqërojnë.
Çfarë përfitojmë nga kjo mënyrë e të jetuarit?
Zemra jonë mbetet gjithmonë e lidhur me Allahun.
Ne ndiejmë vazhdimisht mirënjohje, që na e rrit lumturinë dhe kënaqësinë shpirtërore.
Ndërkohë, pendesa dhe kërkimi i faljes na pastrojnë nga njollat e mëkateve dhe na japin shpresë në mëshirën e pakufishme të Zotit.
Në çdo frymëmarrje, jepja një kuptim jetës tënde:
Mos e harro mirësinë që po të jepet!
Mos e anashkalo gabimin që duhet ta korrigjosh!
Kështu, njeriu bëhet i vetëdijshëm se është gjithmonë i varur nga Allahu:
Si rob mirënjohës, dhe si rob që ka nevojë për faljen e Zotit.
Ky është sekreti i suksesit të vërtetë në këtë jetë dhe në botën tjetër.
Allahu na bëftë prej atyre që çdo frymëmarrje e tyre është ose falënderim ose kërkim faljeje! Amin!
Përshtati: hoxhë Mr. Nusret Ramadani