SHKOLLA E SHTAZËVE

SHKOLLA E SHTAZËVE

0 1471

Më ra në dorë libri i çmuar që mbante titullin “Tefsilul nesh’etejni ve tahsilusseadetejni” (Shpjegimi i dy nismave dhe arritja e dy lumturive) i autorit Ragib el Esbehanij, dhe aty lexova këtë fjali: “kam përvetësuar prej çdo gjëje më të mirën e saj, prej qenit mbrojtjen e familjes, prej korbit kërkimin e hershëm të nevojës… (fq.110)

Në librat që flasin rreth shtazëve sikur libri i Xhahidhit dhe ai i Dumejrit sheh veti të çuditshme dhe admiruese të kafshëve. Këto veti në përgjithësi futen në detin e dijes dhe mësimeve që mund t’i përvetësojë njeriu nga shtazët. Në anën tjetër lexova në librin “El uzle” të imam Hattabit komentin e fjalës së Allahut, subhanehu ve teala: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë dhe as shpendë që fluturojnë me dy krahë e që nuk janë të ndara në grupe (të ndryshme), sikurse edhe ju (Zoti i krijoi, i pajisi si juve). ” (En’am – 38). Transmetohet prej Sufjan ibën Ujejnes se ka thënë: “nuk ka njeri në tokë e që të mos ketë ndonjë ngjasi me ndonjë shtazë. Ndonjëri është guximtar si luani, ndonjëri sulmon sikur ujku, tjetri leh sikur qeni, ndonjëri zbukurohet sikur palloi, ndonjëri i përngjanë derrit (për shkak të poshtërsisë së tij)..! Njashtu gjen prej njerëzve të tille që nëse i dëgjon pesëdhjetë mençuri e të mira nuk e përvetëson asnjërën prej tyre e nëse gabon apo përmendë gabimin e ndokujt tjetër, menjëherë e memorizon atë gabim.” (fq.159) Kjo fjalë më ka habitur.

Një rast kur poeti Alij ibën Xhehm, i cili ishte beduin për nga natyra, qëndroi përpara kalifit për ta lavdëruar, i tha: ti je sikur qeni kur ruan të dashurit, sikur cjapi që s’trembet në mejdan, ti je sikur uji në enë, bujar i madh dhe mëkatet e tua janë të pakta.

Në librat e letërsisë përmendet se kur është pyetur një njeri i urtë persian i quajtur Bezerxhemher: si e ke arritur këtë dituri? Është përgjigjur: duke duruar sikur gomari dhe duke qenë i hershëm sikur korbi.

Shumë dijetarë, udhëheqës, politikanë, reformatorë kanë mbetur të fascinuar përpara çështjes së bletës apo milingonës duke marrë mësim.

Allahu, subhanehu ve teala, e ka krijuar njeriun dhe e ka mbivlerësuar mbi shumë krijesa të Tij me mbivlerësim të dukshëm, mirëpo përvetësimi i disa vetive prej kafshëve që na rrethojnë bëhet për synime të ndryshme, prej tyre:

– njeriu me ambicie të larta çdo gjë që e sheh rreth vetes e lidh me ambiciet e tij, ai ne vetvete analizon atë që i intereson: dijen, thirrjen, kolltukun apo diç tjetër… çdo gjë që e sheh mundohet të nxjerrë nga ajo mësime që ia forcojnë ambiciet dhe e shtyjnë përpara. Mirëpo mund të ndodhë edhe e kundërta; vështruesi, dështuesi, pesimisti dhe të ngjashmit gjejnë në botën e shtazëve përkrahës të rrugës që kanë zgjedhur.

– përvetësimi i disa vetive nga këto krijesa që janë në gradë të ulët në krahasim me njeriun aludon në vlerën e njeriut dhe modestinë e tij duke përfituar nga më i ulëti dhe se nuk e ndalon mendjemadhësia që të përfiton urtësi nga shtresa me gradë më të ulët. Në bazë të kësaj ai në rend të parë përfiton nga urtësia dhe dija e vëllait të tij njeri edhe nëse është më pak i ditur, më pak punëtorë apo me gradë më të ulët. Allahu, subhanehu ve teala, në Kur’an ka rrëfyer ngjarjen e mizës përdhese me Sulejmanin alejhiselam, kur miza tha: “O ju buburreca, hyni në vendet tuaja që të mos u copëtojë Sulejmani dhe ushtria e tij duke mos ju vërejtur”. (Nemël – 18), pastaj ajeti vazhdon: “E ai (Sulejmani) buzëqeshi i gëzuar prej fjalës së tij” (Nemël – 19) Allahu, subhanehu ve teala, na ka rrëfyer edhe rastin e Sulejmanit me shpendin hud-hud (pupëzën) si pati guxim ky shpend që përpara kërcënimit të Sulajmanit të thotë: “Unë kuptova atë që ti nuk je i njohur dhe të erdha nga Sebei me një lajm të sigurt”. (Nemël – 22) deri te ajeti : “Ai (Sulejmani) tha: “Do të shohim se a e thua të vërtetën apo je nga gënjeshtarët!” (Nemël – 27) Pra, ky qëndrim madhështor i pejgamberit të Allahut me hud-hudin i cili me gojën plot pohoi se ka kuptuar atë që nuk e ka kuptuar Sulejmani, bëri që ai të mos shtojë asgjë përveç të thotë “Do të shohim..” që do të thotë: do të kërkojmë argument për atë që pohon, dhe vërtet hud-hudi kishte sjell lajm të sigurt rreth mbretëreshës së Sebeit dhe popullit të saj.

Pra nuk është keq që njeriu e në veçanti thirrësi në islam të përfitojë nga vetitë e mira te shpendëve dhe shtazëve të ndryshme e mos të flasim për përfitimin e tij prej njerëzve. Nuk do të ishte hiperbolizim sikur të themi se disa shtazë kanë veti të mira që u mungojnë njerëzve të qytetërimit materialist. Kafshët nuk posedojnë armë për shkatërrim masiv e as që nxitojnë t’i shtypin të dobëtit në formën që e bën njeriu sot, as që bëjnë vepra të pandershme siç bën njeriu bashkëkohor, as që dallohen ndërmjet tyre me shtresa të ndara në bazë të injorancës siç bëjnë njerëzit madje edhe disa që identifikohen si myslimanë.

Marrë nga libri “Mekalat fil menhexh” nga shejh al-lame Selman ibën Fehd el Aude

Solli në shqip: Agim Bekiri

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 590