LEXIMI NË BIBËL

LEXIMI NË BIBËL

0 1968

Falënderimi i takon Allahut, subhanehu ve teala, paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi Muhamedin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, familjen e tij, shokët e tij dhe besimdrejtit.

Tevrati është libri që Allahu, subhanehu ve teala, ia zbriti Musait, alejhis-selam, kurse Inxhili i zbriti Isës, alejhis-selam, e Zeburi Davudit, alejhis-selam.

Ne myslimanët, besojmë se Allahu i zbriti këto libra dhe të tjera siç janë: fletushkat e Ibrahimit dhe Musait. Tevrati, te hebrenjtë dhe krishterët, njihet si Dhjata e Vjetër, Inxhili si Dhjata e Re, kurse Zeburi si Psalmet. Të gjitha këto janë të përmbledhura në librin e Quajtur Bibël. Këtë libër mund ta gjejmë gati në të gjitha gjuhët po ashtu edhe në gjuhën shqipe. Kur’ani famëlartë në shumë ajete përmend se Allahu zbriti këto libra për të mirën e njerëzve, për t’i udhëzuar ata kah rruga e shpëtimit, mirëpo ata nuk i përfillën këto porosi. Klerikët e tyre i fshihnin fjalët e Zotit, madje ajo që është më e keqja edhe i shtrembëronin fjalët e Tij. Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Një palë nga jehuditë është që ndryshojnë fjalët (e Zotit) nga vendet e veta[1] po ashtu thotë: “Dhe kur All-llahu mori zotimin nga ata që iu pat dhënë libri: që gjithqysh t’ua publikoni atë njerëzve, e të mos e fshihni, por ata e lanë pas dore atë për pak send të kësaj jete; pra, bënë punë të keqe.[2]

Hebrenjtë dhe Krishterët në të shumtën e rasteve në Kur’an, përmenden me termin “ehlul kitab” që do të thotë: ithtarët e Librit.

Të besosh se Allahu shpalli këto libra nuk kundërshton besimin se këto libra u shtrembëruan përgjatë historisë, sepse dy faktet i përmendi Allahu, subhanehu ve teala, në Kur’an. Andaj është qesharake kur disa misionarë krishterë mundohen të bindin disa muslimanë të rëndomtë se Kur’ani urdhëron të besojmë Biblën dhe citojnë ajetet sikur: “Dhe ata, të cilët besojnë në atë që t’u shpall ty, dhe në atë që është shpallur para teje, dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme në) botën tjetër (Ahiretin).[3] Përgjigjja shumë e thjeshtë për këtë dyshim do të ishte: ne besojmë se Allahu zbriti këto libra ashtu siç besojmë se këto libra u shtrembëruan, dhe u abroguan me ardhjen e Kur’anit, sepse të dyja i përmendi Allahu, subhanehu ve teala.

Parashtrohet pyetja: a lejohet të lëxojmë Biblën? Rreth kësaj çështje do të përmendim disa argumente të Ligjit Islam, duke u munduar që të arrijmë deri te një përfundim i saktë. Po qe se vështrojmë argumentet rreth kësaj çështjeje do të vërejmë se ato bien në kundërshtim – në shikim të parë – për arsye se një palë e argumenteve lejojnë një gjë të tillë kurse pala tjetër ndalon.

 

Argumentet që ndalojnë leximin e Biblës:

 

  1. Xhabiri transmeton se Omeri ibwn Hatabi erdh te Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, me një fletë nga librat e shpallura më herët dhe ia lexoi atij. Muhamedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, u hidhërua dhe iu drejtua atij me këto fjalë: “pse bëni punë pa menduar o biri i Hatabit?! Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im! Ju erdha me këtë fe që është e bardhe dhe e pastër. Mos i pyetni (hebrenjtë dhe krishterët) se ndoshta flasin të vërtetën e ju i përgënjeshtroni apo flasin gjëra të kota e ju u besoni. Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im! Sikur Musai të ishte gjallë s’do të kishte qare vetëm të më pasojë mua.”[4]
  2. Ebu Hurejra, radijall-llahu anhu, thotë: Ithtarët e librit Tevratin e lexonin në gjuhën herreje të vjetër kurse komentimin e bënin në gjuhën arabe, e Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, tha: “mos ju besoni Ithtarëve të Librit as mos i përgënjeshtroni, por thoni: “Ne i besuam Allahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin të ndarë në dymbëdhjetë kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm atij i jemi bindur.[5][6]
  3. Iibën Abasi, radijall-llahu anhu, një rast iu drejtua musliamnëve: “o muslimanë! Qysh po i pyetni Ithtarët e Librit kur Libri juaj që i erdh Pejgamberit tuaj është më i ri (se librat e tyre) për Allahun i cili nuk është ndryshuar! Allahu ju tregoi se Ithtarët e Librit falsifikuan librat e tyre me duart e tyre dhe thanë: “Ky është prej Allahut! E për të arritur me të një fitim të paktë[7], a nuk është kjo ndalesë për të mos i pyetur ata? E asnjëri prej tyre nuk ju pyet juve për atë që ju zbriti.”[8]
  4. Abdullah ibën Mes’udi, radijall-llahu anhu, thotë: “mos i pyetni Ithtarët e Librit, sepse ata nuk mund t’ju udhëzojnë, madje edhe veten e kanë devijuar. Përndryshe ose do të përgënjeshtroni ndonjë të vërtetë ose do të besoni ndonjë të pavërtetë.”[9]

Argumentet që lejojnë leximin e Biblës:

 

  1. Fjala e Allahut: “Po, (fjala vjen), nëse je në dyshim për këtë që të zbritëm ty (për ngjarjet e pejgamberëve), atëherë pyeti ata që lexojnë librin para teje. Ty të erdhi nga Zoti yt e vërteta, pra, mos u bë prej atyre që dyshojnë.”[10]
  2. Fjala e Allahut: “E ata që mohuan thonë: “Ti nuk je i dërguar!” Thuaj: “Mjafton që Allahu është dëshmitar midis meje dhe midis jush dhe (është dëshmitar) ai që ka njohuri të librit (të shpalljeve).[11]
  3. Fjala e Allahut: “E ti pra, pyeti ata të dërguarit që i dërguam para teje, a kemi lejuar që në vend të All-llahut të adhurohen zota të tjerë?[12] (12)
  4. Abdullah ibën Amri transmeton se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “kumtojeni nga unë qoftë edhe një ajet. Transmetoni nga Beni Israilët se nuk prish punë, e ai që qëllimisht gënjen mbi mua le të përgatit një ulëse prej zjarri.[13] Nuk mund të transmetosh nga Beni Israilët pa mos lexuar në librat e tyre.
  5. Ata ibën Jesari thotë: “e takova Abdullah ibën Amër ibën Asin dhe i thash: më trego si është përshkruar Muhamedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, në Tevrat! Tha: po pasha Allahun, ai është përshkruar në Tevrat me disa cilësi që janë përmendur në Kur’an: “o pejgamber! Në të dërguam dëshmitarë, përgëzues, qortues, mbrojtës i atyre që nuk dinë shkrim e lexim. Ti je robi im dhe i dërguari Im. Të emërtova Mutevekkil. Nuk është i egër as i ashpër…[14]

Duke vështruar këto argumente, vërejmë se një palë prej tyre ndalojnë leximin e këtyre librave, kurse pala tjetër e lejon një gjë të tillë. Si i kanë shikuar këto tekste dijetarët eruditë të Islamit? Si kanë bërë bashkimin e kësaj kundërthënie që bie në sytë tonë? Në vijim do të përmendim disa citate të tyre:

Ibën Haxheri, rahimehull-llah, mendon se bëhet fjalë për tekste deroguese (nasih) dhe të droguara (mensuh). Do të thotë, në fillim të Islamit, kur ende nuk ishin rrënjosur ligjet islame ne shoqërinë e re myslimane, ata e kishin të ndaluar të lexojnë librat e Ithtarëve të Librit, e me vonë një vendim i këtillë u drogua sepse Islami u forcua dhe nuk kishte frikë për devijim.[15]

Profesor Mahmud Abdurahman mendon se me prioritare në këtë çështje është veprimi sipas të gjitha argumenteve, e jo shfuqizimi i një palës prej tyre. Ai vazhdon dhe thotë se kjo çështje duhet të shkoqitet në këtë mënyrë, pra, duhet të dimë:

  1. a) çka lexojmë
  2. b) gjendja e lexuesit
  3. c) qëllimi i leximit

Sa i takon pikës së parë themi:

-ajo që e lexojmë prej Biblës mund të jetë në përputhshmëri me fenë tonë dhe si e tillë lejohet ta besojmë dhe transmetojmë.

-mund të jetë në kundërshtim me fenë tonë dhe si e tillë ndalohet ta besojmë dhe transmetojmë.

-tekste që as nuk përputhen me fenë tonë as nuk bien në kundërshtim me të. Këto tekste lejohet të përmenden për nxitje, inkurajim, e tjerë, e jo për çështjet e besimit.

Sa i takon gjendjes së lexuesit themi:

-atë që kanë dije të thellë të sheriatit dhe iman të fortë lejohet të lexojnë në këto libra dhe për këto vlejnë argumentet e lejimit që i përmendëm më lartë. E sa i përket atyre që nuk kanë dituri të thellë fetare, për to vlejnë argumentet e ndalimit.

Sa i takon qëllimit të lexuesit, themi:

-lexuesi i cili ka dituri fetare duhet të synojë me leximin e tij në këto libra sqarimin e gabimeve dhe ndryshimeve që kanë ndodhur në to dhe bindja e ithtarëve të këtyre librave për vërtetësinë e Islamit. Kështu kanë vepruar imamët e njohur të islamit sikur Ibën Hazmi, Ibën Tejmijje etj. Përndryshe nëse i lexon me qëllim të madhërimit të tyre apo duke kaluar kohë të gjatë në hesap të mësimit të shkencave të Sheriatit atëherë themi se ndalohet.

Me fjalë të shkurtra themi: lejohet të transmetojmë prej Biblës vetëm atë që përputhet me fenë Islame. Ai që lexon këtë libër duhet të ketë për qëllim nxjerrjen në pah të gabimeve të saj dhe të jetë i armatosur me dituri islame.

Kjo është e tërë që duhet ta kemi parasysh kur është në pyetje leximi ne Bibël, Allahu e di më së miri.

[1] Nisa – 46

[2] Ali Imran – 187

[3] Bekare – 4

[4] Ahmedi, Darimiu, kurse Albani thotë: hadithi është hasen, el Irva 6/34

[5] Bekare – 136

[6] Buhariu

[7] Bekare – 79

[8] Buhariu

[9] Xhami’ bejanil ilm

[10] Junus – 94

[11] R’ad -43

[12] Zuhruf – 45

[13] Buhariu

[14] Buhariu

[15] Fethul Bari, 6/498

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 585