KUSHTET E FJALËS “LA ILAHE IL-LALLAH”

KUSHTET E FJALËS “LA ILAHE IL-LALLAH”

0 18024

Fjala “La ilahe il-lAllah” i ka kushtet e veta të cilat i ka për obligim çdo musliman t’i mësojë dhe t’i praktikojë dhe këto kushte janë nxjerrë me leximin e teksteve të sheriatit – Kur’anit dhe sunetit, e ato janë si në vijim :

 

 1 – Dituria

    Argumentet për këtë janë: fjala e Allahut: “Dhe dije se me të vërtet nuk meriton të adhurohet askush përveçse Allahut.” [1]

   Nga Othman ibn Afani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) transmetohet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Kush vdes dhe e di se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut hyn në xhenet.[2]

   Qëllimi i diturisë së vërtetë dhe kuptimi i saj është puna sipas saj dhe çfarë kërkon kjo fjalë. E kundërta e diturisë është padituria e cila i ka futur mushrikët – politeistët e këtij umeti në kundërshtim me kuptimin e saj, duke mos kuptuar fjalën “ILAH-I adhuruar” dhe kuptimin e mohimit dhe pohimit si dhe kanë harruar se qëllimi i kësaj fjalë është kuptimi i saj, pra është ajo fjalë që mushrikët e mohuan duke e ditur se çdo të thotë ajo dhe thanë: “Ai i bëri zotat të gjithë një Zot.[3] dhe thanë: Vazhdoni të jeni të qëndrueshëm në adhurimin e zotave tuaj.[4]

   2 – Bindja : 

   E kundërta e saj është dyshimi dhe pabindësia ose thjeshtë paragjykimi dhe dyshimi. Kuptimi i saj është se ai që dëshmon dëshminë e ka të patjetërsueshme të jetë i bindur me zemrën e tij dhe të besoj saktë në atë që thotë duke besuar vërtetësinë e adhurimit për Allahun dhe në vërtetësinë e dërgimit të Muhamedit-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Të mposhtë “zotat” tjerë veç Allahut në çfarëdo lloj adhurimi dhe të kundërshtoj çdokënd që pretendon pejgamberllëkun pas të Dërguarit të Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. E në qoftë se dyshon në vërtetësinë e kuptimit të saj ose nuk është plotësisht i bindur se duhet të mohon adhurimin e dikujt tjetër veç Allahut nuk i bëjnë dobi këta dy dëshmi – LA ILAHE IL-ALLAH MUHAMEDUN RESULULLAH. Argument për këtë është hadithi i Ebu Hurejres-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë se i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë në lidhje me dy dëshmitë: “Çdo rob që e takon Allahun me këta dyja (dëshmitë) duke mos dyshuar në to gjithsesi hyn në xhenet.[5] Gjithashtu transmeton Ebu Hurejre-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i ka thënë atij: “Kë takon pas këtij muri që dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut me bindje në zemër në të, përgëzoje me xhenet.[6]  Allahu i ka lavdëruar besimtarët me fjalën e tij: “Me të vërtet besimtar janë ata të cilët besuan Allahun dhe të Dërguarin e tij pastaj nuk dyshuan.[7] Ndërsa i ka nënçmuar dyfytyrëshat me fjalën e tij: “Zemrat e tyre janë të dyshimta dhe sillen vërdallë në dyshimin e tyre.[8]

   Transmetohet prej Ibën Mesudit-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ka thënë: “Durimi është gjysma e besimit ndërsa bindja është i gjithë besimi”.[9] Dhe nuk ka dyshim se kush është i bindur dhe i kupton dy dëshmitë mirë dhe kushtet e tyre, gjymtyrët e atij personi i nënshtrohen me adhurim Allahut dhe e ndjekin të Dërguarin e Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.

   3 – Pranimi pa e refuzuar atë : 

   Ka njerëz të cilët e dinë kuptimin e dy dëshmive dhe janë të palëkundur në kuptimin e tyre, mirëpo e refuzojnë atë nga mendjemadhësia apo urrejtja, e kjo është si gjendja e dijetarëve çifutë dhe të krishterë, të cilët dëshmuan për adhurimin e Allahut një të vetëm pa shok madje e njohën edhe të Dërguarin e Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, siç i njihnin bijtë e tyre mirëpo përsëri nuk e pranuan si pejgamber. Thotë Allahu në Kuran: “Nga zilia e tyre personale pasi që u ishte bërë atyre e vërteta e qartë, ata mohuan.[10]

    Kështu ishte edhe gjendja e politesitëve, ata e dinin kuptimin e fjalës “La ilahe ilallah” madje edhe vërtetësinë e Muhamedit-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, mirëpo u bënë mendjemëdhenj dhe nuk e pranuan atë si të dërguar. Thotë Allahu në Kuran: “Ata ishin ata të cilët kur u thuhej atyre se s’ka të adhuruar tjetër por Allahut bëheshin mendjemëdhenj.[11] Ose në suren Enam Allahu thotë: “Ata nuk të përgënjeshtrojnë ty (o Muhamed) mirëpo zullumqarët argumentet e Allahut i mohojnë.[12]

   4 – Dorëzimi, nënshtrimi :

   Ndoshta dallimi ndërmjet pranimit dhe dorëzimit është kësisoj: dorëzimi është ndjekja me punë, kurse pranimi është shfaqja e kësaj fjale me kuptimin e saj dhe vërtetësinë e saj me fjalë. Të dyja kanë të patjetërsueshme ndjekjen (el-itiba), ndërsa dorëzimi është nënshtrim dhe ndjekje e dispozitave të Allahut, Allahu thotë: “Dhe kthehuni te Zoti juaj dhe nënshtrohuni Atij.[13]

  Po ashtu Allahu thotë:Dhe kush e ka fenë më të mirë se ai i cili Ia nënshtron fytyrën e tij Allahut dhe është bamirës.[14] Si dhe fjala e Allahut ku thotë: “E kush ia dorëzon veten Allahut duke qenë bamirës Ai është kapur për lidhjen më të sigurt.[15]

   Kjo është nënshtrimi i Allahut me adhurim vetëm për të, kurse nënshtrimi ndaj të Dërguarit të Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, është pranimi i sunetit të tij dhe ndjekja e tij me çfarë ka ardhur, kënaqësia me gjykimin e tij, këtë e ka cekur Allahu në fjalën e tij kur thotë: “Jo për Zotin tënd ata nuk kanë besuar derisa të të marrin ty si gjykues në konfliktet e tyre e pastaj mos ndjejnë në vetët e tyre pakënaqësi nga gjykimi yt dhe derisa të mos binden sinqerisht.[16]

   E ka bërë Allahu kusht për pranimin e besimit të tyre dorëzimin-nënshtrimin ndaj gjykimit të tij-paqja e Allahut qoftë mbi të, me atë çfarë ka ardhur prej Zotit të tij.

   5 – Vërtetësia : 

   E kundërta e kësaj është përgënjeshtrimi. Ka ardhur në hadith ky kusht në fjalën e të Dërguarit të Allahut ku thotë: “Kush thotë se nuk ka të adhuruar tjetër pos Allahut me sinqeritet, vërtetësi nga zemra e tij hyn në xhenet.[17]

   Kurse ai që thotë me gojën e tij dhe e mohon kuptimin-brendinë e saj me zemër, kjo nuk e shpëton personin. Siç tregon Allahu për munafikët të cilët thanë: “Dëshmojmë se ti je i Dërguari i Allahut Pastaj thotë Allahu: “Allahu e di se ti je i Dërguari i Tij dhe Allahu dëshmon se munfikët më të vërtetë janë rrenacakë.[18]

   Allahu i përgënjeshtron me fjalën e Tij kur thotë: “Dhe ka prej njerëzve të cilët thonë kemi besuar Allahun dhe ditën e fundit mirëpo ata nuk janë besimtarë.[19]

   6 – Sinqeriteti : 

   E kundërta e saj është shirku, të shoqëruarit zot tjetër në adhurim Allahut. Allahu thotë në Kuran: “Adhuro Allahun me sinqeritet, çiltërsi dhe përkushtim vetëm për hir të Tij, Allahut i takon krejt sinqeriteti.[20]  Po ashtu thotë:  S’ka dyshim se feja e vërtetë është vetëm për Allahun.[21]  Gjithashtu ka thënë: Thuaj: Unë jam urdhëruar ta adhuroj Allahun me sinqeritet duke plotësuar detyrat e fesë së Tij.[22]

   Nga Ebu Hurejre-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Më meritor i shefatit-ndërmjetësimit tim në ditën e gjykimit prej njerëzve është ai i cili thotë: Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut me sinqeritet nga zemra e tij.[23]  Të njëjtin kuptim e ka edhe hadithi i transmetuar nga Othmani-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: Ka thënë i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Me të vërtetë Allahu ia ka ndaluar zjarrit, ta djeg atë i cili thotë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, kërkon me të fytyrën e Allahut.[24]

   Sinqeritet do të thotë: T’i përkushtohet i gjithë adhurimi vetëm Allahut dhe mos t’ia përkushtojë adhurimin askujt tjetër përveç Allahut, qofshin ato edhe melaike që janë më afër Allahut, apo të dërguarve të Tij që janë  më të dashurit e Tij nga krijesat mbi sipërfaqen e tokës.

   Këtu hyn edhe sinqeriteti në ndjekjen e sunetit të të Dërfuarit të Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të, duke mos dal jashtë kufijve të sunetit të tij, gjykimit me të, lënien e bidateve-risive në fe dhe çdo gjë që e kundërshton sunetin. Gjithashtu këtu hyn edhe mosgjykimi me kanunet që i kanë vendosur njerëzit apo traditat që bien ndesh me sheriatin, kurse ai që gjykon me to dhe është i kënaqur me atë kanun apo legjislacion, nuk është prej të sinqertëve në ndjekjen e sunetit të të Dërguarit të Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të.

   7 – Dashuria :

    E kundërta e saj është urrejtja dhe armiqësia. Obligohet çdo rob ta dojë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe të ketë dashuri ndaj punëve të mira çfarë i janë obliguar atij, qofshin këto punë apo fjalë. T’i dojë të dashurit e Allahut dhe njerëzit e devotshëm dhe kjo dashuri kur është e vërtet shfaqen shenjat e saj edhe jashtë në gjymtyrët e trupit. Dhe e sheh robin e sinqertë që e respekton Allahun dhe e ndjek të Dërguarin e Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të, e adhuron Allahun me adhurimin e vërtetë siç meriton Ai të adhurohet, është i kënaqur me adhurimin kur e adhuron Allahun dhe nxiton në çdo gjë të cilën e do Allahu prej veprave apo fjalëve të mira. Gjithashtu e sheh se si largohet prej mëkateve dhe ka kujdes prej tyre, i urren mëkatet, i pret lidhjet me ta, madje edhe në qoftë se ndonjë mëkat është shumë i dashur për epshin e tij. Sepse e din se zjarri është i rrethuar me epshe, kurse xheneti me gjëra të urryera për epshin, andaj kur e ka këtë besim atëherë është i sinqertë në dashurinë e kësaj fjalë. Është pyetur njëherë Dhenun el-Misrij-Allahu e mëshiroftë: Kur  e dua unë Zotin tim? – Ka thënë: Kanë thënë disa: Kush pretendon se e do Allahun dhe nuk vepron sipas asaj dashurie, pretendimi i tij është i kotë, Allahu e ka bërë kusht për dashurinë ndaj Tij, ndjekjen e sunetit të të Dërguarit të Tij-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, me fjalën e Tij kur thotë: “Thuaj: Në qoftë se e doni Allahun atëherë më ndiqni mua (Muhamedin) që Allahu t’ju dojë juve dhe t’jua fal mëkatet.[25] 

   8 – Mohimi :

   Mohimi i çdo gjëje që adhurohet përveç Allahut, kurse argument për këtë është fjala e të Dërguarit të Allahut: “Kush thotë: Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut të vetëm pa shok dhe mohon atë çfarë adhurohet pos Allahut, ndalohet gjaku i tij dhe pasuria e tij.[26]

[1] Suretu Muhamed,ajeti:19.

[2] Transmeton Muslimi.

[3] Suretu Sad,ajeti:5.

[4]Suretu  Sad,ajeti:6.

[5] Transmeton Muslimi.

[6] Transmeton Muslimi

[7] Suretu Huxhurat,ajeti:15.

[8]Suretu Teube,ajeti:45.

[9] Transmeton Buhariu Talikan si në El-fet-h 1\45,Hafidh ibn Haxheri thotë:Taberaniu dhe Ebu Nuajmi në Hilje e transmetojnë me zinxhir të saktë.

[10] Suretul-Bekare,ajeti109.

[11]Suretu Safat,ajeti:35.

[12]Suretu-Enam,ajeti:33.

[13]Suretu  Zumer,ajeti:54.

[14]Suretu Nisa,ajeti:125.

[15] Suretu Llokman,ajeti:22.

[16]Suretu Nisa,ajeti:65.

[17] Transmeton Ahmedi në Musned  16/4 nga Rufate El-Xhuheniju,poashtu transmeton imam Ahmedi gjithashtu 4/402 nga Ebi Musa El-Eshariu.

[18]Filimi i sures Munafikunë.

[19]Suretul-Bekare,ajeti:8.

[20]Suretu Zumer,ajeti:2-3.

[21] Suretu Zumer,ajeti:11.

[22] Suretu Zumer,ajeti:14.

[23] Transmeton Buhariu e të tjerë pos tij.

[24] Transmeton Buhariu dhe Muslimi

[25]Suretu  Ali Imran,ajeti:31.

[26] Transmeton Muslimi

GJITHASHTU NË ALBISLAM