ÇKA I BËN DHE ÇKA NUK I BËN DOBI TË VDEKURIT (1)

ÇKA I BËN DHE ÇKA NUK I BËN DOBI TË VDEKURIT (1)

2 38552

Falënderimi i takon vetëm se Allahut i Cili na mundësoi që ta shijojmë ëmbëlsinë e imanit. Atë e falënderoj dhe lavdëroj dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkoj. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin birin e Abdullahit dhe robin e Allahut.

Allahu i Madhëruar dërgoi Pejgamber, zbriti libra, caktoi ligje dhe dispozita dhe e mësoi robin se çka duhet të vepron duke qenë i gjallë dhe poashtu e mësoi se çka duhet të vepron kur njeriu ndërron jetë dhe si do të jetë gjendja e tij në ahiret. Nuk lejoi që njeriu vet të cakton ligje dhe rregulla për arsye se dija e tij është e mangët dhe e përkufizuar por e detyroi t’i ndjek ligjet dhe dispozitat e Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe ndjekjen e rrugës së tij e bëri të jetë anija e shpëtimit të robit në dynja dhe ahiret. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, na lajmëroi për çdo gjë që i bën dobi dhe e dëmton njeriun duke qenë i gjallë apo duke qenë i vdekur dhe na detyroi që ta pasojmë rrugën e tij dhe çdo vepër që nuk e ka vepruar ai e konsideroi si risi në fe.

I vdekuri mundet të përfiton edhe pas vdekjes së tij dhe për këtë dëshmojnë Allahu dhe i Dërguari i Tij. Jeta e varrit dhe ahireti janë prej gjërave të fshehta që muslimani detyrohet t’i beson thellësisht dhe ajo që i bën dobi të vdekuri nuk kemi mundësi ta dimë përveç se nëpërmjet shpalljes dhe për këtë arsye duhet të kapemi fort për të dhe mos të veprojmë vepra të cilat  bien ndesh me rregullat e fesë dhe në fund mos të përfitojmë as ne dhe as i vdekuri prej nesh.

Veprat që mundet të përfiton i vdekuri janë të shumta dhe të llojllojshme dhe ato vijnë si rezultat i veprave të tij dhe gjurmëve të këtyre veprave që i ka punuar duke qenë i gjallë dhe poashtu mundet t’i vijnë edhe prej të tjerëve të cilët dëshirojnë t’i bëjnë mirë vëllait të tyre musliman.

Robi i Allahut gëzohet kur i vijnë të mirat e njëpasnjëshme, prej familjes apo shokut, prej lëmoshave që i ka dhënë apo prej veprave që i ka punuar, dhe ai është në varr.  I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, përgëzoi se ekziston një grup njerëzish të cilët shpërblehen edhe pas vdekjes së tyre. Ata edhe pse janë të vdekur, veprat e mira të tyre janë të gjalla dhe nuk u kanë vdekur dhe u lumtë atyre për atë që e vepruan deri sa ishin të gjallë.

Pra, veprat që mundet të përfiton njeriu pas vdekjes së tij ndahen në dy lloje:

Lloji i parë: Veprat që i përfiton i vdekuri nga të tjerët dhe ato janë:

Falja e namazit të xhenazes së tij.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nuk ka ndonjë musliman që vdes e ta falin xhenazen e tij dyzet burra, të cilët nuk i shoqërojnë Allahut asgjë vetëm se Allahu do t’i bëj ata ndërmjetësues për të”.

Poashtu i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nëse ka një të vdekur (musliman) që ia falin namazin e xhenazes një grup muslimanësh që mbërrin të njëqind vetët, ku që të gjithë ndërmjetësojnë për të, atyre do t’u pranohet të ndërmjetësojnë për të”.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë se qëllimi i faljes së namazit të xhenazes është lutja për të vdekurin.

Një prej lutjeve më të mira dhe më të plota që kanë ardhur është ajo që na e përcjell Auf ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, i cili thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ia fali namazin një xhenazes dhe në lutjen e tij tha: “O Zot, falja mëkatet dhe mëshiroje, shpëtoje dhe kij ndjesë ndaj tij, bëja vendin e mirë dhe zgjeroja vendin ku do të hyjë, pastroje atë me ujë, borë dhe akull dhe pastroje nga mëkatet, ashtu siç e pastron rrobën e bardhë nga njollat, zëvendësoja shtëpinë me një shtëpi më të mirë, familjen me një familje më të mirë, bashkëshortin (ten) me një më të mirë, fute në xhenet dhe mbroje prej dënimit të varrit dhe dënimit të zjarrit”.

Përcjellësi i këtij hadithi thotë. “Pasha Allahun në atë moment shpresova që unë të jam i vdekuri”.

Muslimani kur i mëson këto argumente padyshim se e stimulojnë që ai të prezanton në xhenazet e vëllait të vet musliman dhe të shpreson se me lutjet e tij Allahu të vdekurit mëkatet do t’ia fal dhe do ta mëshiron.

Qëndrimi tek varri i të vdekurit, lutja për të dhe kërkimi i faljes për të.

Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, kur e lëshonte të vdekurin në varr thonte: “BISMILAH UE ALA SUNETI RESULILAH”. (Në emër të Allahut dhe sipas traditës së të Dërguarit të Allahut).

Othmani, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, e përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, pasi që i varroste të vdekurit qëndronte tek varri i tij dhe thonte: “Kërkoni falje për vëllanë tuaj, lutuni për të që të forcohet, sepse ai tani është duke u pyetur”.

– Lutje për të vdekurin gjatë vizitës së varrezave.

Gjatë vizitës së varrezave është sunet të këndohet një lutje e posaçme, të cilën na e tregon i Dërguari, alejhi salatu ue selem, në një hadith dhe thotë: “ES-SELAMU ALEJKUM EHLED-DIJARI MINEL-MU’MININE  VEL MUSLIMINE VE IN’NA INSHA-ALLAHU BIKUM LAHIKUN. NES’ELU-ILAHE LENA VE LEKUM EL-AFIJE.”. (Es-selamu alejkum o ju banorë të këtij vendi, besimtarë e muslimanë. Edhe ne inshallah, me urdhrin e Allahut, kur të vijë përcaktimi i Tij, me ju do të radhitemi. Lusim Allahun për ne dhe për ju që të na mëshirojë!).

Gjithashtu preferohet të bëjmë lutje të ndryshme për faljen e mëkateve për shpëtimin e tyre, shpërblimin me xhenet, etj.

Lejohet edhe të ngrihen duart gjatë lutjes, por kërkohet që gjatë lutjes të kthehemi nga Kibla dhe jo nga varret. Pastaj është mirë që gjatë vizitës ta kujtojmë veten se aty do të jetë vendbanimi i ardhshëm i yni dhe të mundohemi të shfrytëzojmë nga koha jonë e mbetur.

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë se dijetarët janë unik në atë se lutja u bën dobi të vdekurve dhe shpërblimi i saj u shkon atyre.

El Kasimij, Allahu e mëshiroftë, thotë se prej drejtave të vëllazërisë dhe shoqërisë është që të lutesh për vëllaun tënd musliman duke qenë ai i gjallë dhe poashtu pas vdekjes së tij, duke u lutur për të dhe për familjen e tij me gjitha ato dua që lutesh edhe për vetveten tënde.

– Lutja e muslimanëve në përgjithësi për të vdekurit.

Lutja e muslimanëve që bëhet për të vdekurit i shkon të vdekurve dhe ata përfitojnë prej lutjeve të tyre duke u bazuar në fjalët e Allahut të Madhëruar i cili thotë: “Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!”. Hashr 10.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kur muslimani lutet për vëllanë e tij, pa ditur gjë (ky i fundit), lutja pranohet. Tek koka e lutësit qëndron një melek i ngarkuar të thotë, pas çdo lutjeje të mirë për vëllanë musliman, Amin, të dhëntë Allahu edhe ty të njëjtën gjë!“.

Kjo përfshin lutjen e muslimanit për vëllanë e tij që s’është prezent, qoftë gjallë apo i vdekur.

– Përshpejtimi në pagimin apo larjen e borxhit që e ka i vdekuri.

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Shpirti i njeriut është i lidhur për borxhin e tij deri sa t’i paguhet apo lahet”. 

Hakimi në Mustredekin e tij na e përcjell hadithin e Xhabir ibën Abdullahit, i cili thotë: “Vdiq një njeri dhe ne e pastruam, e qefinosëm, dhe pastaj e venduam në vendin ku i falim xhenazet. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selem, lajmëroi për faljen e xhenazes, por para saj na tha: “A ka ky vëllai juaj borxhe?” – I thamë : Po, dy dinar. U largua prej aty dhe tha: “Faljani ju namazin e xhenazes vëllait tuaj”. Në atë moment u lajmërua një njeri, të cilin  e quanin Ebu Katade, dhe tha: O i Dërguar i Allahut, unë e marr përsipër atë borxh.-  I tha i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selem: “Atëherë, a pranon që borxhi i tij të bëhet përgjegjësi e jotja dhe e pasurisë tënde, ndërsa i vdekuri të jetë i pastër prej saj”. – Ebu Katade i tha se unë pranoj që të jetë përgjegjësia e imja, e pastaj ia falën namazin bashkë me Pejgamberin, alejhi salatu ue selem. Gjithnjë kur e takonte Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, Ebu Kataden e pyeste se a e ka pastruar borxhin e të vdekurit, derisa një ditë i tha Ebu Katade se e pastroi borxhin, dhe Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, tha: “Tani është flladitur lëkura e tij në varr”. (Dmth. Tani i është flladitur lëkura, se në atë moment është larguar prej tij dënimi i Allahu).

Ky hadith është argument se të vdekurit mund t’ia lan borxhin edhe njerëz që s’i ka të afërt dhe se larja e borxhit është shkak për ngritjen e dënimit prej tij.

– Dhënia e lëmoshës për të vdekurin.

Imam Buhariu dhe Muslimi shënojnë një hadith prej Aishes, radijallahu anha, se një njeri i tha Pejgamberit, alejhi salatu ue selem: “O i dërguari i Allahut, nëna ime është arratisur (ka vdekur) dhe s’ka lënë fare testament. Sikur të fliste do të jepte sadaka. A ka shpërblim ajo nëse unë do të jepja për të?. Pejgamberi, alejhi salatu ue selem, tha: “Po!”.

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë se lëmosha e dhënë për të vdekurin i bën dobi të vdekurit dhe i arrin shpërblimi i saj dhe në këtë janë unik të gjithë dijetarët.

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë se nuk ka aspak divergjencë mes dijetarëve të Ehli Sunetit se lëmosha i bën dobi të vdekurit dhe nëse njeriu jep lëmoshë për të ajo i shkon”.

– Kryerja e Haxhit për të vdekurin.

Një grua e kishte pyetur Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, për babain e saj, të cilin detyrimi i haxhit e kishte gjetur si plak të vjetër i cili nuk mund ta përballonte hipjen dhe udhëtimin i vetëm, që pastaj kishte vdekur – A ta kryente haxhin për të? Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: “Po, kryeje haxhin për të”.

Dhe një grua tjetër – siç theksohet në hadithin e Ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, e kishte pyetur Pejgamberin, alejhi salatu ue selam: “A ta kryente haxhin për nënën e saj, e cila ishte zotuar se do ta kryente haxhin, por kishte vdekur?”.  Ai i thotë: “Kryeje haxhin për të, çfarë mendon, në qoftë se ajo të kishte borxh, a do t’ia kishe paguar?”. Ajo tha: “Po!”. Ai thotë:“Atëherë, paguaja, se Allahu është më i merituar që t’ia përmbushësh zotimin”.  Sipas një transmetimi tjetër, thuhet: “Borxhi i Allahut është më prioritar për tu paguar”.

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë se në këto hadithe të sakta kemi argumente të qarta se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, urdhëroi në kryerjen e Haxhit detyrues për të vdekurin dhe kryerjen e Haxhit në të cilin është zotuar i vdekuri se do ta kryen dhe nuk e ka kryer zotimin e tij dhe poashtu ka urdhëruar në plotësimin e agjërimit që është zotuar se do ta agjëron i vdekuri dhe nuk e ka agjëruar, dhe i urdhëruari herë është i biri, e herë i vëllau dhe i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, këtë e përngjasoi me borxh që bie mbi të vdekurin. Borxhi lejohet që të paguhet nga çdonjëri dhe poashtu edhe Haxhi lejohet ë të kryhet prej çdo muslimani.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë se kjo vlen vetëm se për ata që kanë pasur arsye në moskryerjen e këtyre adhurimeve, kurse ata që kanë pasur mundësi t’i kryejnë adhurimet si Haxhin apo dhënien e zeqatit dhe nuk e kanë bërë për ta nuk ka nevojë as të kryhet Haxhi e as të jepet zeqati për arsye se ajo nuk u pranohet.

Lloji i dytë: Veprat që i përfiton i vdekuri prej punës së vet dhe prej gjurmëve të atyre veprave dhe ato janë:

– Veprat që i ka punuar në dynja dhe gjurmët e tyre dhe lëmoshat që i ka dhënë.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Sigurisht, Ne i ringjallim të vdekurit dhe shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre”. Jasin 12.

Seid ibën Xhubejri, Allahu e mëshiroftë, e komenton këtë ajet dhe thotë: “Ato vepra të cilat i shpikën dhe i vepruan në dynja dhe pas vdekjes së tyre i vepruan të tjerët. Në rast se ishin vepra të mira dhe njerëzit vepron me to, atëherë ata do të shpërblehen edhe pas vdekjes së tyre duke mos ia pakësuar shpërblimin atij që e vepron në këtë botë”.

 Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, e komenton këtë ajet dhe thotë: “I shënojmë të gjitha veprat të cilët i kanë vepruar me duart e tyre dhe poashtu gjurmët e këtyre veprave të cilët i kanë vepruar edhe të tjerët dhe nëse janë të mira shënohen si të mira e nëse janë të liga u shënohen si të liga”.

Atë çka e vepron fëmija i mirë prej veprave të mira, prindërit fitojnë prej shpërblimit të veprës së tij, duke mos iu pakësuar shpërblimi fëmijës.

Kjo vjen për shkak se fëmija është prej punës së tyre dhe arritjes së tyre.

 Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar”. Nexhm 39.

 Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, shënon një hadith nga Aisha, radijallahu anha, se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ushqimi më i mirë i njeriut është të cilin e fiton vet, dhe fëmija i tij është nga fitimi i tij.”

 –  Lëmosha e vazhdueshme, dija nga e cila përfitohet pas tij, apo fëmija i mirë që lutet për të.

Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Kur njeriu vdes, atij i ndërpritet puna, përveç tre gjërave: Lëmosha e vazhdueshme, dija nga e cila përfitohet pas tij, apo fëmija i mirë që lutet për të”.

 Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, nuk ka thënë se i vdekuri nuk përfiton prej veprave të tjerëve. Nëse lutet për të i biri kjo është prej veprave të tij që nuk ndërpritet dhe nëse luten për të  të tjerët kjo nuk është prej veprave të tij, mirëpo ajo i bën dobi dhe i vdekuri përfiton prej saj.

 – Trashëgimi i Musafit, ndërtimi i xhamisë, ndërtimi i strehimoreve dhe hapja e lumeve.

 Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, me një hadith që e përcjell Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë: “Veprat dhe gjurmët e mira që i takon besimtari pas vdekjes së tij janë: dija që ia ka mësuar dikujt dhe e ka shpërndarë, pastaj fëmijën e mirë që e ka lanë dhe bën dua për të, pastaj musafin që ia ka trashëguar ndokujt, apo xhamin çka e ka ndërtuar, apo strehimoren që e ka ndërtuar për udhëtarët dhe kalorësit, apo lumin të cilin e ka hapur, apo lëmoshën që e ka dhënë prej pasurisë së tij, duke qenë i gjallë dhe me shëndet të mirë, të gjitha i takon pas vdekjes së tij.”

 Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë se muslimanët janë unik në atë se lënia e xhamive dhe vendeve tjera si vakëf është vepër e saktë dhe e drejtë dhe se vakëfi as nuk shitet, as nuk dhurohet dhe as nuk trashëgohet. Në të duhet të respektohen kushtet e vakëfit dhe padyshim se në vakëf ka shumë mirësi dhe konsiderohet si lëmoshë e vazhdueshme.

 Imam el Menavi, Allahu e mëshiroftë, thotë se shpërblimet e këtyre veprave të lartpërmendura i shkojnë të njeriut edhe pas vdekjes se tij dhe njeriu kur vdes i ndërpriten veprat përveç se prej tyre.

 – Nëse i vdekuri ka shpikur një vepër të mirë apo ka thirrur në udhëzim.

 Transmeton Muslimi në Sahihin e tij prej hadithit të Xherir ibën Abdullahit, se Pejgamberi ,sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë :”Kush shpik një vepër të mirë, ai do të ketë shpërblimin e tij dhe shpërblimin e atyre që do e veprojnë pas tij, duke mos e pakësuar aspak shpërblimin e tyre.”

 – Mbjellja e ndonjë peme apo fare që e mbjell.

 Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Muslimani fiton sadaka për çdo pemë që e mbjell dhe për çdo farë  që e mbjell dhe që është ushqyese e shpezës dhe njeriut dhe kafshëve”.

 Poashtu ka thënë : “Muslimani fiton sadaka prej çdo gjëje që mbillet e që hahet prej asaj që i vilet. Çdokush që mbjell, fiton prej saj sadaka deri në Ditën e Kiametit”.

 Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Këto hadithe janë argument për vlerën e madhe që e ka mbjellja e pemëve apo e fareve dhe se shpërblimi i atij që mbjell është i vazhdueshëm deri sa ekziston ajo pemë dhe ajo që ka dalë prej saj”.

 Këto pra janë veprat të bazuara në Kuran dhe Synet që mundet të përfiton i vdekuri prej vetvetes dhe prej të tjerëve pasi që t’ia dorëzon amanetin Allahut. Poashtu ka edhe vepra tjera për të cilat njerëzit mendojnë se të vdekurit munden të përfitojnë prej tyre po në fakt ato vepra bien në kundërshtim me parimet fetare dhe i vdekuri nuk përfiton asgjë prej tyre. Cilat janë ato? Me lejen e Allahut në shkrimin e ardhshëm do t’i ceki se cilat janë veprat që i vdekuri nuk ka dobi prej tyre,

 E lus Allahun që të na fal dhe mëshiron dhe në xhenetin e Tij me gjithë muslimanët të na bashkon.

 Përgatiti dhe përkthehu: Irfan JAHIU

GJITHASHTU NË ALBISLAM