14.8 C
Skopje
E shtunë, 19 Prill, 2025

TË MBROJMË FAMILJEN, TË MBROJMË JETËN

Familja është themeli mbi të cilin ngrihet shoqëria njerëzore. Ajo është quajtur nga sociologët “qelizë e shoqërisë” dhe asnjë shoqëri, asnjë komb, asnjë komunitet nuk mund të funksionojë dhe nuk mund të jetë i shëndetshëm pa qenë e ajo më parë e shëndetshme.

Familja është streha më e rëndësishme për njeriun, mjedisi më intim ku çdokush gjen prehjen dhe ngrohtësinë e domosdoshme për të marrë dhe dhënë dashuri.

Familja është çerdhja e vetme ku mund të rriten dhe edukohen fëmijët, ku ata mund të ushqehen me dashurinë dhe ngrohtësinë e nevojshme për të qenë njerëz dhe qytetarë të mirë.

Familja është i vetmi garant për edukimin e fëmijëve, për qetësi dhe prehje shpirtërore për individin, për të marrë të gjithë përkujdesjen e nevojshme në ditë të mira dhe të vështira. Familja është e vetmja garanci për jetën. I vetmi mjedis ku individi e realizon më mirë se kudo qenien sociale.

Për të gjitha këto duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë që ta mbrojmë këtë institucion që sot po shkatërrohet nën efektet e krizës sociale.

Familja shqiptare, në krizë si asnjëherë tjetër

Tashmë kjo nuk është një pyetje e cila jo vetëm e ka përgjigjen brenda saj, por një realitet i dhimbshëm të cilin duket se për fat të keq nuk na bën më përshtypje! Gjendja në të cilën gjendet familja shqiptare është kaq dramatike sa shifrat e mëposhtme janë vetëm maja e ajsbergut të asaj që ndodh me të në të vërtetë.

Martesat dhe divorcet

Kriza e shoqërisë po bën që numri i familjeve të shkatërruara të rritet çdo ditë e më shumë. Të dhënat statistikore tregojnë se gjatë vitit 2008 për çdo gjashtë martesa kishim një divorc. Numri i divorceve është dyfishuar në krahasim me vitin 1990, ndërkohë që ritmet e rritjes po bëhen gjithnjë e më të mëdha.

Lindjet dhe abortet

Rënie të ndjeshme ka pësuar edhe numri i lindjeve, gjë që po sjell plakjen e popullsisë. Në vitin 2010 ato u përgjysmuan në krahasim me vitin 1993, ndërkohë që vendi nuk ka të dhëna të sakta të aborteve që kryhen në rrugë të jashtëligjshme, të cilat mendohen të jenë marramendëse. Nga ana tjetër shtatzënia e padëshiruar po prek ndjeshëm rininë, deri tek moshat minorene. Të dhëna të Institutit të Shëndetit Publik raportojnë se shumë të rinj e fillojnë aktivitetin e tyre seksual në moshën 13-14 vjeç, ndërkohë që evidentohen raste që shkojnë deri në 11-12 vjeç. Të dhënat nga ky institut na tregojnë se që prej vitit 2005 në Shqipëri 3.5 % e rasteve të shtatzënisë i përket moshave nën 18 vjeç të cilat detyrohen t’i drejtohen abortit.

Krimi në familje

Dhuna në familje është bërë tashmë një prej problemeve më të mëdha, të cilat kanë bërë që shumë studiues ta konsiderojnë tashmë familjen si vendin më të pasigurt për gruan. Nga të dhëna të shumta rezulton se familja është vendi ku gruaja dhunohet tashmë më shumë se kudo. Të dhënat në Shqipëri tregojnë se për pesë vjet, 2005-2010 krimi në familje shkaktoi rreth 160 viktima me pasojë humbjen e jetës. Humbja e jetës është pasoja më ekstreme e këtij fenomeni, por edhe më e dukshme, duke pasur parasysh që dhuna në familje mbetet e padenoncuar.

Familja shqiptare vuan sot probleme të mëdha në drejtim të funksionimit të marrëdhënieve mes pjesëtarëve të saj. Për pasojë kemi tensione të shumta brenda saj, që shfaqen në formën e konfliktit të brezave, konfliktit gjinor si dhe dështimin e familjeve të shumta në edukimin e fëmijëve.

Të mbrojmë familjen

Ne besojmë se aspekti më i rëndësishëm nga ku duhet të nisë shërimi i problemeve të familjes është ai moral, shpirtëror dhe kulturor. Kjo sepse familja, që në gjenezën e saj të hershme është ngritur pikërisht mbi këto vlera. Zoti krijoi mashkullin dhe femrën dhe mbolli mes tyre dashuri e mëshirë, prej së cilës mbin fara e filizit të ri, që më pas shumëfishohet në familje të tjera që formojnë shoqërinë njerëzore. Vlerat mbi të cilat ngrihet kjo marrëdhënie janë dashuria, dhembshuria, respekti, besnikëria, sinqeriteti, përkujdesja, sakrifica, bashkëpunimi, toleranca, mirëkuptimi, përkushtimi, durimi etj.

Vlera të tilla duket se po humbasin pak e nga pak në shoqërinë tonë ku individi po bëhet gjithnjë e më shumë materialist, duke humbur shpesh gëzimin e shpirtit.
Jo vetëm kaq, por pikëpamje të shumta po cenojnë edhe themelet doktrinarë mbi të cilat ndërtohet kjo formë e organizimit shoqëror. Në emër të modernizmit, liberalizmit shoqërive të sotme u ofrohen një sërë modele të tjera, të konsideruara alternative, të cilat në fakt nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se rrënojnë themelet e familjes tradicionale, duke lënë pas vetëm zbrazëtirë të pazëvendësueshme të saj. Shpesh janë liritë dhe të drejtat e njeriut ato që përdoren për ta përqendruar vëmendjen tek individi përkundër jetës së përbashkët familjare, e cila, në fakt, kërkon përkushtim e përkujdesje. Individi i sotëm nxiton menjëherë të kërkojë të drejta pa u kujdesur fillimisht të ofrojë kontribute. Kjo e ka atomizuar jetën e tij, duke sjellë atë që mendimtarët e shek. XX e kanë quajtur “vetmia njerëzore”. Kjo i bën shoqëritë e sotme më të palumtura se kurrë, me gjithë zhvillimin e madh ekonomik e teknologjik.

Familja e sotme shqiptare ka një krizë modelesh, duke mbetur e dyzuar në turbullitë e ideologjive të reja. Realiteti ku ajo ndodhet sot, është i mjaftueshëm për të kuptuar se modelet e ofruara nga filmat, telenovelat, reality show-et janë të rreme dhe të paafta për të sjellë lumturinë e dëshiruar. Ato janë të paafta të ndërtojnë individë të shëndetshëm, për sa kohë e gjithë urtësia botërore na mëson se kjo bëhet vetëm nëpërmjet aftësisë për të qenë i përmbajtur e i ekuilibruar në raport me pasionet e dëshirat. Mediat na mësojnë t’i shtojmë e jo ti kontrollojmë pasionet tona, dhe kjo na bën të paaftë për të jetuar në mënyrë të ekuilibruar.

Ne besojmë se njeriu është një qenie fisnike dhe e shenjtë, ndaj dhe me të nuk mund të eksperimentohet, si në plan individual ashtu edhe shoqëror, si në atë fizik ashtu dhe në atë shpirtëror. Modeli tradicional i familjes shqiptare natyrisht që ka nevojë të madhe të përmirësohet, por padyshim që edhe me ato mangësi që ai ka, ofron një model shumë më të shëndoshë dhe të qëndrueshëm sesa alternativat aventureske që na ofrohen së fundmi në emër të emancipimit dhe modernizmit. Kjo do të thotë se rruga për rregullimin e shoqërisë duhet të kalojë doemos nga familja dhe kjo do të thotë patjetër rikthim tek vlerat morale e kulturore. Njerëzit duhet t’i kthehen besimit tek vlerat e humbura, e asgjë më shumë sesa besimi tek këto vlera nuk mund ta përmirësojë gjendjen e familjes së sotme shqiptare.

Marrur nga: lidhjahoxhallareve.com

Hoxhë Mr Shpend Zeneli
Hoxhë Mr Shpend Zenelihttps://www.albislam.com
Kryeredaktor i faqes islame albislam.com, nga viti 2011 e ne vijim. I diplomuar në fakultetin e sheriatit pranë Universitetit Islamik në Medine. Viti 2005-2011. Magjistër i shkencave Kuranore pranë Universitetit Al Kasim, viti 2014-2018. Hatib, imam dhe mualim pranë xhamisë Haxhi Azem, Shkup, me fillim nga dhejtori i vitit 2018. Përkthyes i rregullt i librave nga gjuha arabe, recenzues fetar dhe njëkohësisht ligjerues në kurse për mësimin e gjuhës arabe.

Ndani postimin:

Abonohu

Të fundit

Të ngajshme
Artikuj

Lutja e Uthmanit (radijAllahu anhu) kundër njërit prej havarixhëve

Ebu Kilabe (Allahu e mëshiroftë), rrëfen: “Ndodhesha me një grup...

Vërtet të mirët janë në një jetesë të këndshme

"Vërtet të mirët janë në një jetesë të këndshme!"...

Zbukurohu për Allahun… jo për njerëzit!

Allahu i Madhëruar thotë: "O bijtë e Ademit! Merrni stolitë...

Pesë kategoritë e namazlinjëve

"Njerëzit në namaz ndahen në pesë kategori:" ➊ I ndëshkuar...

Kur’anijunët dhe rreziku i tyre

Kur'anijunët janë një grup që pretendojnë të ndjekin vetëm...

Çka është për ty libri?

Për Xhahidhin, me sa vijon:"Nuk njoh fqinj më të...

Shpresa (الرجاء)

Shpresa (الرجاء) është një adhurim i rëndësishëm i zemrës,...

Dashuria si akt i zemrës

Dashuria në Islam është një nga adhurimet më të...

Një kokërr ve mund të vërtetojë ekzistimin e Zotit

U pyet Ahmed ibn Hanbeli: si e njohe ekzistimin...

Vitit të Ri Hixhrij

Fillimi i vitit të ri hixhrij është një ngjarje...

Frika si adhurim i zemrës

Frika (الخوف) është një ndjenjë e natyrshme dhe thelbësore...

Koncepti i Teuhidit dhe bukuria e tij

Teuhidi është koncepti themelor në Islam që nënkupton njësimin...