RRUGËTIMI DREJT ALLAHUT

RRUGËTIMI DREJT ALLAHUT

0 2397

Dr. Abdur Rezzak El Bedr

Besimtari është udhëtar në këtë botë. Rrugëtimi i tij ka një qëllim madhor, të jetojë në bindje ndaj Allahut. Synimi i tij është ta fitojë kënaqësinë e të Lartit, Madhërishmit. Në këtë jetë ai praktikisht pohon se esenca e tij është të jetojë duke e realizuar detyrën kryesore, nënshtrim ndaj Allahut, subhanehu ve te’ala.

Në këtë jetë detyra e tij është ta njeh Zotin dhe Mbrojtësin e tij. Të jetojë duke mësuar për Allahun nëpërmjet emrave Tij të bukur dhe cilësive të Tij absolute. Ai e njeh Allahun edhe nëpërmjet shenjave dhe argumenteve në gjithësi dhe bindet se Atij i takon madhështia dhe lartësia. Në krijim e Tij shfaqet fuqia dhe dituria e Tij e pakufishme. Allahu e drejton këtë gjithësi dhe nën sundimin e Tij është çdo gjë, në qiej dhe në tokë. Pastaj besimtari e vazhdon rrugëtimin e tij duke e realizuar plotësisht adhurimin dhe fenë sinqerisht për Allahun. “Thuaj: Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.” (El En’am, 162-163)

Ky rrugëtim i besimtarit e ka fillimin dhe përfundimin e tij. Fillon me fillimin e jetës dhe vazhdon përgjatë jetës në të cilën besimtari kalon nga një adhurim në tjetrin, nga një vepër të mirë në tjetrën derisa të vjen çasti i caktuar dhe momenti i pashmangshëm. “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” (El Hixhr, 99)

Përfundimi i këtij udhëtimi është xheneti gjerësia e të cilit është sa qiejt dhe toka, i përgatitur enkas për të devotshmit.

Xheneti është stacioni i fundit. Në të është kënaqësia e udhëtarëve dhe begatitë e amshueshme të llojeve që syri si ka parë, që veshi si ka dëgjuar dhe nuk i ka paramenduar zemra njerëzore. Kur të hyjnë në Xhenet atyre do tu drejtohet Allahu, azze ve xhel-le: A dëshironi t’ju shtoj edhe ndonjë gjë (mirësi)? Besimtarët do përgjigjen: A nuk i zbardhe fytyrat tona, a nuk na vendose në Xhenet duke na larguar nga zjarri i xhehenemit. Atëherë Allahu do ta largojë perden dhe nuk do tu jepet asgjë më e dashur për ta se sa ta shohin Zotin e tyre, subhanehu ve te’ala. (Muslim)

Allahun e lus të na e mundësojë këtë kënaqësi duke na përmalluar për takimin me Të. Amin.

Në këtë rrugëtim besimtari ka nevojë për lëvizës që nxisin dhe mundësojnë udhëtimin e besimtarit. Dijetarët kanë qartësuar se kemi tre lëvizës brenda zemrës së besimtarit: Dashuria, Shpresa dhe Frika.

Dashuria e drejton besimtarin kah Rruga e drejtë e bën atë të vendosur ta ndjekë atë rrugë. Nga dashuria varet edhe forca lëvizëse e besimtarit.

Shpresa është udhëzuesi i besimtarit në këtë rrugë, ndërsa frika e frenon atë nga gjërat e ndaluara. Këto tre gjëra Allahu, xhel-le ve ala, i ka përmendur në ajetin vijues: “Vetë ata që idhujtarët u luten, kërkojnë t’i afrohen Zotit të tyre, madje edhe më të afërtit, duke shpresuar mëshirën e Tij dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij. Me të vërtetë, nga dënimi i Zotit tënd duhet të ruhet gjithkush.” (El Isra, 57)

Në këtë rrugëtim disa veprime janë të domosdoshme. Udhëtarët duhet të kenë kujdes ndaj obligimeve të fesë, ti kryejnë llojet e ndryshme të adhurimeve duke u larguar nga ndalesat dhe mëkatet. Këtë duhet ta bëjnë nga frika prej Sunduesit të Gjithëdijshëm.

Nuk ka vepra më të dashura për t’ju afruar Allahut se sa ato me të cilat na ka detyruar. Imam Buhariu në Sahihun e tij e ka shënuar hadithin e Ebu Hurejres, radijallahu anhu, i cili në realitet është hadith kudsij: Kush e armiqëson një të dashur të Timin, atij i kam shpallur luftë. Robi nuk më afrohet me asgjë që është më e dashur për Mua se sa obligimet me të cilat e kam detyruar. Robi do të vazhdojë të më afrohet me vepra vullnetare deri sa ta dashuroj atë dhe atë që Unë e dua bëhem dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi i tij me të cilin shikon, dora e tij me të cilën rrëmben dhe këmba e tij me të cilën ec. nëse kërkon diç prej Meje do t’ia jap, nëse kërkon strehim tek Unë do ta strehoj.

Në këtë rrugëtim do të hasim edhe në pengesa. Nëse nuk largohemi prej tyre ato do ta pengojnë arritjen tonë në cakun e dëshiruar. Prandaj besimtari që e do Allahun e madhëruar dhe frikohet nga dënimi i Tij mundohet tu shmanget këtyre pengesave në rrugëtimin e tij. Pengesat kryesore janë tre:

Ti përshkruash të barabartë Allahut (Shirku), të cilën duhet ta mënjanojmë me sinqeritet ndaj Allahut.

Risitë (Bidatet) nga të cilat do të shpëtojmë duke e ndjekur Sunetin e të Zgjedhurit, sal-lallahu alejhi ve selem.

Mëkatet e ndryshme prej të cilëve duhet të kemi kujdes dhe të largohemi me pendim dhe vendosmëri që asnjëherë të mos i përsërisim.

Në rrugëtimin drejt Allahut do të ballafaqohemi me vjedhës dhe banditë që na dalin në udhë. Duhet të jemi vigjilent. Banditi më i madh është Shejtani, Allahu na mbrojt prej tij. Shumë ajete kuranore flasin për armiqësinë e tij dhe detyrën tonë të jemi vigjilent ndaj kurtheve të tij. Allahu na tregon se ai (shejtani) do të mundohet të na sulmoje nga çdo anë, se si mundohet të na del në pritë në çdo rrugë, për të na larguar nga veprat e mira. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve selem, thotë: Shejtani u del në pritë besimtarëve në rrugët e tyre.

në pritë dalin edhe ushtarët dhe ndihmësit e shejtanit nga llojet e njerëzve dhe xhinëve, Allahun e lusim të na mbrojë prej të gjithëve.

Ky rrugëtim nuk e pranon ecjen e ngadaltë, përtesën, ngecjen dhe vonimin…ai kërkon shpejtim, shfrytëzim të rasteve, gara në vepra të mira. Kështu jeta merr kuptimin e duhur, shndërrohet në fitore dhe shkallë për tu ngjitur më lartë drejt synimeve më madhore. Në të gjithë në këtë botë e kemi një afat të caktuar, ai nuk vonohet dhe nuk vjen para kohe. I lumtur është ai i cili bëhet gati për atë ditë, ditën e ballafaqimit me atë që e kemi vepruar.

Përktheu: M-r. Talha Kurtishi

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 576