ZEKATI I FITRIT

ZEKATI I FITRIT

0 20285

Ka shpëtuar ai që është pastruar” (A’la:14)

Falënderimi i takon vetëm Allahut i cili e bëri muajin e Ramazanit zotëri të gjithë muajve dhe dyfishues të mirësive dhe veprave. Atë e falënderojmë dhe e lavdërojmë dhe vetëm prej Tij dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e agjëruesve, shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin birin e Abdullahut.

   Në këtë tekst neve do të mundohemi shkurtimisht të përmendim diçka rreth një “institucioni” tepër të njohur në islam e ai është zekatul fitri. Zekatul fitri është një lloj zekati i cili jepet në fund të muajit të Ramazanit kurse shpjegimin e tij do ta bëjmë në disa pika.

1 – Dispozita e tij:

 

 Sadekatul Fitri u bë i obligueshëm në vitin e dytë sipas Hixhretit dmth së bashku me agjërimin e ramazanit. Kjo është cekur në Kuran, në sunetin e qartë dhe me koncensus të të gjithë muslimanëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Ka shpëtuar ai që është pastruar”.[1] Dmth ka pastruar shpirtin e vet me lëmoshë. Omer Ibn Abdul Azizi-Allahu e mëshiroftë, i urdhëronte njerëzit që të nxjerrin sadekatul fitrin dhe e lexonte këtë ajet. Ikrimeja thoshte: Kuptimi i këtij ajeti është për atë njeri i cili e nxjerr sadekatul fitrin para namazit të bajramit. Pra është obligim për çdo musliman i vogël e i madh, mashkull apo femër, i lirë apo rob kjo bazuar edhe në fjalën e Ibn Omerit-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë:” i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e ka bërë obligim sadakatul-fitrin në ramazan ,me masën një sa’a (2,4 kg përafërsisht) me hurma ose një sa’a me elb për çdo njeri qoftë i lirë apo rob, mashkull apo femër, i madh ose i vogël nga muslimanët.[2]

2 – Urtësia e tij:

   Prej urtësive të zekatul fitrit janë :

  1. Pastrim i agjëruesit nga gjërat e kota që mund ta kenë shoqëruar gjatë agjërimit.
  2. Ndihmë për të varfurit që atë ditë (ditën e bajramit) të mos ia shtrijnë dorën dikujt për të lypur. Ibn Abasi-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë:” i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e bëri obligim zekatul-fitrin, pastrim të agjëruesit nga fjalët e kota dhë për ti udhqyer të varfurit.[3]

3 – Kush e ka obligim zekatul fitrin?

   Obligohet me të çdo musliman i cili posedon një sa’a pasuri që i tepron veç nevojave ushqimore të tij dhe familjes së tij brenda një dite dhe një natë.

4 – Masa e tij dhe llojet e ushqimeve valide:

 

   Masa e zekatul fitrit është një sa’a ndërsa një sa’a është e barabartë me 4 emdad, një mud është i barabartë me dy grushta të mbushur plot me ushqim të njerëzve mesatërë. Kurse nga ushqimi jepet ai ushqim i cili është kryesorë apo bazë në atë vend qoftë ai: grurë, elb, hurma, oriz, rrush i thatë, misër ose qumësht i thatë.  Bazuar në hadithin e Ebu Seid el-Hudriut-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë : ” Në kohën e të Dërguarit të Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e jepnim zekatul-fitrin për të madhin e të voglin, për robërit e të lirët një sa’a me ushqim ose me qumësht të thatë ose një sa’a me elb ose një sa’a grurë ose një sa’a me rrush të thatë.[4] Ndërsa nga mendimet më të qëlluara dhe gjithëpërfshirëse të dijetarëve është ai i Ibn Kajjim el-Xheuziut-Allahu e mëshiroftë i cili thotë: E vërtëta e kësaj çështje është t`i ofrosh të varfërit atë që ia mbulon nevojën në ditën e bajramit me atë që janë të adaptuar banorët e atij vendi (me ushqimin e tyre). Duke u bazuar në fjalët e Muhamedit alejhi selam ku thotë:” Mbulojani kërkesat në ditën e bajramit.” Nuk ka dyshim se nëse mundet të ofrohet skamnorëve ushqimi i cekur në hadithet e pejgamberit aleji selam që janë nga ushqimet bazë në atë vend është më mirë, e nëse jo atëherë u ofrohet ajo që ua mbulon atyre kerkesat e tyre, pasi që qëllimi i gjithë kësaj është t`u plotësohet atyre një deshirë apo t`u arrihet një mirësi, siç thotë edhe i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të:” Mirësi është ajo që e pushon (qetëson) shpirtin dhe e kënaq zemrën, kurse mëkat është ajo që e preokupon shpirtin dhe është e dyshuar në zemër.” 

5 – Kur obligohet te jepet zekatul-fitri dhe kur nxjeret?

   Zekatul-fitri bëhet obligim të jepet me perëndimin e diellit në natën e fitër Bajramit, ndërsa sa i përket kohës kemi kohë kur lejohet dhe koha kur është më e mirë të jepet. Sa i përket asaj se prej kur lejohet të jepet është një ose dy ditë para fitër Bajramit sepse kështu vepronte Ibn Omeri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe të tjerë prej shokëve të Dërguarit të Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Ndërsa koha me e preferuar e dhënies së tij është të jepet pas perëndimit të diellit natën e fitër Bajramit deri pak para namazit të fitër Bajramit. Ibn Omeri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell dhe thotë:” Na ka urdhëruar i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ta japin zekatul-fitrin para se te dalin njerëzit për ta falur namazin (e Bajramit).” – Nafiu-Allahu e mëshiroftë thotë: Ibn Omeri e jepte një ose dy ditë para ditës së fitër Bajramit. – Ndërsa në versionin tjetër Nafiu-Allahu e mëshiroftë thotë: Ibn Omeri ua jepte zekatul-fitrin atyre që e pranonin atë ,një apo dy ditë para ditës së fitër Bajramit.[5] Po ashtu fjala e Ibn Abasit-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë:” i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e bëri obligim zekatul-fitrin, pastrim të agjëruesit nga fjalët e kota dhe ushqim për të varfurit. Ai i cili e jep këtë sadaka para namazit të Bajramit i pranohet (si zekatul-fitër) ndërsa ai i cili e jep pas namazit të Bajramit i quhet vetëm sadaka.[6]

   Thotë Ibn Kajjimi-Allahu e mëshiroft: Nga këto hadithe kuptojmë që nuk lejohet të nxirret sadekatul fitri pas namazit të bajramit.

   Kurse Ibn Tejmije-Allahu e mëshiroftë thotë: Nëse vonohet sadakatul fitri pas namazit të bajramit personi obligohet ta paguaj atë edhe më vonë dhe asesi nuk lirohet nga ky obligim me kalimin e kohës.

Madje tjerë nga dijetarët kanë thënë: Fukahatë janë dakorduar që sadekatul fitri nuk i falet atij që e vonon dhe se ajo ngel borxh deri sa ta lanë atë borxh, njëherit edhe vonesa është haram dhe se vonuesi ka bërë një haram nëse e ka vonuar me pa arsye të pranuar.

6 – Kujt i jepet zekatul-fitri?

   Dhënia e zekatul-fitri është pothuaj e ngjajshme me zekatin në përgjithësi. D.m.th. u jepet tetë grupeve të përmendura në fjalën e Allahut:Allahu caktoi obligim që lëmosha (zekati etj.) t’ju takojnë vetëm: të varfëre (nevojtarëve), të ngratëve(që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobëtve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve) në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së vet.[7] Ndërsa fukaratë dhe miskinat kanë më shumë përparësi, bazuar në hadithin që e transmeton Ibn Abasi-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë:” i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e bëri obligim zekatul-fitrin, pastrim të agjëruesit nga fjalët e kota dhë ushqim për ti udhqyer të varfurit.[8]

   E lusim Allahun të na jap dije të saktë mbi dipozitat e fesë tonë, të na bëj nga bujarët dhe bamirësit e këtij muaji e të na I pranoj veprat tona pasi që vetë Allahu thotë në Kuran: “Te Ai ngritet fjala e mirë (besimi) dhe veprimi i mirë, e Ai i pranon ato.”[9]

Dhe lutja e fundit e jona është: Falemenderimi I takon Allahut Zotit të Botrave.

   Përgatiti: Nexhat Ceka

[1] A’la:14

[2] Mutefekun alejhi.

[3] Transmeton Ebu Davudi, Ibn Maxhe e të tjerë kurse hadithi është hasen.

[4] Mutefekun alejhi.

[5] Mutefekun alejhi.

[6] Transmeton Ebu Davudi, Ibn Maxhe e të tjerë kurse hadithi është hasen.

[7] Teube:60.

[8] Transmeton Ebu Davudi, Ibn Maxhe e të tjerë kurse hadithi është hasen.

[9] Fatir:10

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 579