Vuaj nga ngurtësimi i zemrës,
çfarë është zgjidhja?
Zemra në këtë botë rrotullohet rreth ngurtësimit dhe butësisë. Ngurtësohet me mëkate dhe gjunahe, ndërsa kur i çon në vend urdhrat e Allahut zemra zbutet.
Shkaku i ngurtësimit të zemrës është largimi nga Allahu i Lartësuar. Kur të bjerë zemra nën reshjen e mëkateve, robi nuk duhet ti dorëzohet kësaj nxirrje të zemrës. Por duhet të nxitojë ti fshijë ato mbeturina që i posedon rreth zemrës së tij duke u kthyer ka Allahu dhe duke iu nënshtruar Atij. Allahu i Lartësuar e lavdëron të dashurin e Tij, Ibrahimin, paqja e Allahut qoftë mbi të, i cili vazhdimisht kthehej tek Allahu në çdo rast. Allahu thotë: “Vërtet, Ibrahimi ishte shumë i butë, shumë i dhembshëm dhe i kthyeshëm.”[1]
Shkaqet që e shërojnë ngurtësimin e zemrës janë:
- Përmendja e shpeshtë e Allahut:
Të përmendurit Allahut sjell kënaqësi, gëzim, risk, burrëri, të çon që çdoherë të jesh i vetëdijshëm për mbikëqyrjen e Allahut, ta adhurosh vetëm Allahun, të afrohesh vetëm nga Ai, që është shkak për të shpëtuar nga dënimi i Tij.
Mekhuli ka thënë: “Të përmendurit e Allahut është shërim, kurse të përmendurit e njerëzve është sëmundje.”
Një njeri erdhi tek Hasen el-Basriu dhe i tha: Vuaj nga ngurtësimi i zemrës. – Ai i tha: “Zbute zemrën tënde me përmendjen e Allahut.”
Me dhikër ngrihen gradat, shlyhen mëkatet, largohen të këqijat, vuajtjet, fatkeqësitë, zgjerohet kraharori dhe qetësohen zemrat. Allahu thotë: “Pra ta dini se me të përmendurit e Allahut zemrat stabilizohen.”[2] Është këshilla e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, për atë i cili ka kërkuar këshillë nga i Dërguari i Allahut, e ai i tha: “Gjuha yte le të jetë vazhdimisht e lagur me përmendjen e Allahut.”[3]
Me të përmendurit e Allahut ngjallen zemrat, kurse i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Shembulli i atij i cili e përmend Allahun dhe atij që nuk e përmend Allahun është sikurse shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.”[4] Kush e kupton madhështinë e Allahut e përmend shpesh Allahun, ndërsa shpeshtimi i përmendjes së Tij është shenjë e sinqeritetit me Allahun.
- Ruajtja e gjymtyrëve nga mëkatet:
P.sh. e ruan dëgjimin tënd nga muzika, nuk shikon gjëra të ndaluara, e ruan gjuhën nga gënjeshtra, shpifja, përgojimi etj.
- Leximi i shpeshtë i komentimit të Kuranit:
Në Kuranin e madhërishëm ka mësime dhe këshilla madhështore, nxitje, kërcënim, premtim, përgëzim, inkurajim, dënim, kështu që lexuesi i këtyre gjërave ndalet dhe mediton rreth tyre dhe kuptimit të tyre.
- Prezantimi në ligjërata fetare:
Ndeja me njerëz të mirë, dëgjimi i dijetarëve të çon drejt rrugës së ahiretit dhe të bën asket të dunjasë së përkohshme.
- Leximi i librave të dijetarëve:
Në leximit të rreshtave që i kanë shkruar dijetarët ka thesare të cilat ta shtojnë besimin, andaj kur lexon ndonjë libër të ndonjë dijetarit që ka punuar me dijen e tij, dije se lexon prej atij të cilin e ka lavdëruar Allahu, se e ka frikë vetëm Allahun, ku thotë: “Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët, Allahu është mbi gjithçka është mëkatfalës.”[5] Andaj ai i cili lexon nga ata që e kanë frikë Allahun pritet të cilësohet me cilësitë e tyre.
- Vizita e varrezave:
Vizita e varrezave është prej udhëzimit të Muhammedit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kjo është specifikë vetëm për burrat e jo për gratë. Vizita e varrezave është gjëja më e mirë që të tregon për jetën e shkurtër të kësaj bote, si dhe të mos shpresosh në diçka të përkohshme. Prandaj sa lot kanë derdhur njerëzit e devotshëm kur i kanë vizituar varrezat nga frika prej Allahut duke kujtuar vendin e tyre pas vdekjes. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Vizita e varrezave ua përkujton vdekjen.”[6]
Përgaditi: Nexhat Ceka
[1] Hud: 75.
[2] Rrad: 28.
[3] Transmeton Tirmidhiu.
[4] Transmeton Buhariu.
[5] Fatir: 28.
[6] Transmeton Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe.