15.8 C
Skopje
E diel, 20 Prill, 2025

TË KENI KUJDES NGA SKAJSHMËRIA


Hamdin ia kushtojmë Allahut, kurse lavdërimet dhe shpëtimi qofshin për të Dërguarin e Tij.

            “Të keni kujdes nga skajshmëria”; Fjalë kjo kuptimplote nga hadithet e të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, të cilin pejgamber Allahu e veçoi ndër të dërguarit e tjerë: “Të keni kujdes nga skajshmëria! Ngase ata që ishin para jush u shkatrruan për shkak të skajshmërisë në fe!”[1] I Dërguari, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, tërhoqi vërejtjen nga teprimi, tejkalimi dhe shtrëngimi duke vepruar më shumë seç gjendet në Sheriat, e madje ka treguar se prej shkaqeve kryesore se pse janë prishur popujt e mëparshëm ka qenë ekstremizmi në fe.

            E, madje ai ka tërhequr vërejtjen nga skajshmëria edhe sa i përket personalitetit të tij, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, gjegjësisht të mos lavdërohet duke e ekzagjëruar lavdërimin: “Mos më lavdëroni, ashtu siç e kanë lavdëruar të krishterët Isain, të birin e Merjemes; (Me që) Unë jam robi (i Allahut), thuani: Rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij!”.[2]

            E, nëse qenka skajshmëria gjë e ndaluar kundrejt të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, atëherë ndalesa është më parësore kundrejt njerëzve e krijesave të tjera, ngase veçse jemi njoftuar se si populli i Nuhut, -alejhis-selam!-, e tepruan sa i përket njerëzve të tyre të mirë: Vedit, Suvaës, Jeguthit, Jeukut dhe Nesrit; Të cilët ishin njerëz të mirë, e kishin pasues, të cilëve pasues shejtani ua zbukuroi një të keqe të madhe: t’i bënin këtyre skulptura, e t’i varrnin ato nëpër kuvendet e odat e tyre, që si rrjedhojë kjo t’ua përkujtonte atyre devotshmërinë, ibadetin dhe diturinë e tyre, e që kjo të ndikojë në përmirësimin e tyre; E, pas kësaj, dituria u shua, e njerëzit filluan t’i adhurojnë këto skulptura, ashtu siç e ka shënuar Buhariu në “Sahih” nga Ibën Abasi, -radijallahu anhu!-.

            Skajshmëria në komunitetin musliman ka ndodhur karshi tri kategorive të njerëzve, gjë kjo e cila ka çuar në shkatrrime e dëmtime të shumta:

  1. Kategoria e parë: Ekstremizmi në dijetarë. Kjo ka ndodhur duke iu dhënë përparësi mendimeve të dijetarëve ndaj teksteve të shpallura (Kuranit dhe Sunetit), i cili veprim ka shpier në fanatizmin e urrejtur, e madje edhe në devijimin e fesë. Njëherë Abdullah ibën Abasi, -radijallahu anhu!-, kishte një diskutim me Urve ibën Zubejrin, -radijallahu anhu!-, rreth çështjes së bërjes haxh të llojit temetuë, e që ky i pati thënë: “Ebu Bekri dhe Omeri kanë thënë të kundërtën!”. Atëherë Ibën Abasi, -radijallahu anhu!-, i tha: “Gati sa nuk do të na bien gurë nga qielli; Unë po ju them juve: ‘I Dërguari, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, ka thënë’, e ju më thoni: ‘Ebu Bekri dhe Omeri kanë thënë’”.
  2. Kategoria e dytë: Ekstemizmi në njerëz të përkushtuar në ibadet dhe asketizëm. Dhe kjo ka ndodhur nëpërmjet bidateve, e sidomos kur kanë dashur të marrin bekim nga gjurmët e tyre apo kur i kanë madhëruar, aq sa kanë ndërtuar mesxhide mbi varret e tyre, derisa puna e tyre e prishur shkoi deri aty sa filluan t’i luten, e t’i adhurojnë bashkë me Allahun.
  3. Kategoria e tretë: Ekstremizmi në pushtetarë, mbretër dhe sulltanë. Kjo ndodh, aq sa i japin përparësi rrespektimit të mbretërve, përpara rrespektimit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, i lavdërojnë për së tepërmi, aq sa i bëjnë ndër njerëz “zotëra”, e si pasojë e kësaj njerëzit shijojnë ngjyrat e dënimit dhe fatkeqësisë; Prodhimi i idoleve në Umet është një veprim i rrezikshëm, që gjithsesi duhet thirrur kundër tij. Abdullah ibnul-Mubarek pati thurrur këtë poezi:

Kush tjetër fenë e ka prishur,

pos mbretërit, murgjit dhe dijetarët e fëlliqur

 

Pra, i ka përmendur tri kategori njerëzish, të cilët po qe se prishen, rrjedhimisht prishen edhe të tjerët, e nëse, na qenka shumë i rrezikshëm, -aq sa e shkatrron njerëzimin-, ekstremizmi në njerëz të mirë që i janë përkushtuar ibadetit, atëherë çrreziqe i kanosen njerëzve kur ekstremizmi është kundrejt mbretërve e pushtetarëve zullumqarë, dijetarëve të këqijë e të prishur dhe fetarëve prishës e injorantë?!

            Fanatizmi i neveritshëm i prishë zemrat, i ndrron nijetet dhe synimet, të vërbon për të mos i parë mangësitë, të shmangë nga drejtësia dhe ta humb kulturën që duhet pasur në rast mospajtimesh. Ndaj qëndron në një ether se: “Dashuria e jote për diçka të verbon, e të shurdhon!”. Dhe ne kemi parë se ç’farë ka bërë fanatizmi në periudhat e kaluara, duke çuar muslimanët në keqësim dhe prapambeturi, aq sa shkoi puna deri aty sa armiqtë e Islamit i kolonizuan vendet e muslimanëve, gjë kjo e cila ndodhi atëherë kur u përhap devijimi e humbi argumentimi, u zgjerua padrejtësia, e kur zemrat u zuan e u grindën për çështjet e mospajtimeve, gjegjësisht nuk i patën zemrat e gjera, siç i kishin të parët tanë të mirë, kur bëhej fjalë për ixhtihad që nuk kundërshtonte gjërat e qarta të fesë, përkatësisht Kuranin, Sunetin dhe Ixhmain. Allahu i Lartësuar ka thënë:Mos u bëni si ata që pasi që u erdhën argumentet e dukshme, u shpërndanë dhe u distancuan në mendime. E, për këta do të ketë dënim të madh,”[3]

            Buhariu ka shënuar në “Sahih” nga Ibnuz-Zubejri, -radijallahu anhu!-, se një karavan nga Beni Temim erdhën tek i Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, e Ebu Bekri, pati thënë: “Bëje emir të tyre El-Ka’kaë bin Meabedi bin Zurarah”. Atëherë Omeri tha: “Jo, bëje El-Ekreë bin Habis”. Ebu Bekri tha: “Nuk e nuk pate këtë, veçse prej dëshirës të më kundërshtosh mua!” Omeri i tha: “Nuk ishte se dëshiroja që ty të të kundërshtoj!”. U fjalosën, derisa i ngritën zërat, e për këtë zbriti ajeti: “O ju që keni besuar! Mos nxitoi para urdhërit (dispozitës) së Allahut dhe Pejgamberit të Tij dhe druani Allahut! Allahu, me të vërtetë, i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.”[4][5] Kurse në një transmetim tjetër të Ibni ebi Mulejka qëndron: “Të dy të mirët: Ebu Bekri dhe Omeri,  gati sa nuk u shkatrruan!”

            Pra ky është një rast për të medituar, pra dy sahabët më të mirë, bien në mospajtime sa i përket vlerësimit të individëve dhe ngarkimit të tyre me detyrën e emirit, e, megjithë pozitën e lartë që posedonin të dy sa i përket çështjeve të udhëheqjes së umetit, ata gatin sa nuk u bënë helaq vetëm pse e ngritën zërin në prezencë të të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-.

            E, sheshazi janë shfaqur disa të këqija nga disa zëra që kanë rënë në skajshmëri dhe fanatizëm, nga të cilat të këqija ne, gjithsesi që, ua tërheqim vërejtjen për të pasur kujdes e për t’u ruajtur, siç janë veprimet e atyre që mallkojnë gjithsecilin që e kundërshton mendimin e tij sa i përket çështjeve të ngarkimit të ndonjë individi për çështje të udhëheqësisë, aq sa kumbon se ai i cili nuk e përkrah atë, realisht nuk e përkrah fenë, apo edhe forma të tjera të akuzave, e për të cilët ekziston frika në mos u bien ato nëma mbi kokat e tyre, ashtu siç ka thënë i Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-: “Me të vërtetë kur robi mallkon diçka, atëherë mallkimi ngritet në qiell, e dyert (e qiellit) i mbyllen, e, atëherë zbret në tokë, e (prap) dyert i mbyllen; Pastaj shkon në të djathtë e në të majtë, e kur më nuk gjen dot vend-rënie, kthehet tek ai që është mallkuar nëse ai është meritor për të, e, përndryshe kthehet tek vetë mallkuesi!”[6]

            Le të na zgjerohen gjokset në çështjet e ixhtihadit, e kësisoj të kemi hapësirë për të arritur diturinë e thellë, e si rezultat për ta qëlluar të vërtetën e të saktën.

            O Allah, o Krijuesi i qiejve dhe tokës, o Ti që e di të padukshmën dhe të dukshmën, o Zoti i Xhibrilit, Mikailit dhe Israfilit, Ti je Ai që i gjykon robërit e Tu në ato çështje në të cilat kanë rënë në mospajtime, e në këto mospajtime na udhëzo, -me lejen Tënde-, në atë që është e vërtetë, Ti, me të vërtetë, e udhëzon kë dëshiron në udhën e drejtë!

Dr. Jasir Burhami

Gazeta “El-Fet’h” 09.03.2012 (E premte, 16 rebiul-ekhir 1433h)

Nga arabishtja: Mirsim N. Maliqi

[1] Sahih – Shënon Ahmedi në “Musned” (1781, 3122), Ibën Maxhe në “Sunen” (3028), Nesaiu në “Es-Sunenul-kubra” (3951), Ibën Huzejme në “Sahih” (2684), e të tjerë. Shejh Albani e ka vlerësuar për sahih në “Es-Silsiletu es-Sahiha” (1283), “Sahih ibni maxhe” (2473) etj., sikurse të njëjtin vlerësim ka dhënë edhe Shejh Ahmed Shakiri në “Musned Ahmed” (5/85). Sh. P.

[2] Sahih – Shënon Buhariu në “Sahih” (3214), Ahmedi në “Musned” (152, 162), Ibën Hibani në “Sahih” (418, 419)., e të tjerë nga hadithi i Omer ibën Hatabit, -radijallahu anhu!-.

[3] Kurani, Ali Imran: 105

[4] Kurani, El-Huxhurat: 1

[5] Sahih – Shënon Buhariu në “Sahih” (4494, 6787), Ahmedi në “Musned” (15798), e të tjerë. Sh. P.

[6] Hasen – Shënon Ebu Davudi në “Sunen” (4262), Bejhakiu në “Shuëbul-iman” (4786), e të tjerë. E kanë vlerësuar për hasen Ibën Haxheri në “Tekhrixh mishkat el-mesabih” (4/385),  Sujuti në “El-Xhamius-Sagir” (2069), Albani në “Sahih ebi Davud” (4905), “Sahihul-xhami” (1672), etj. Sh. P.

Ndani postimin:

Abonohu

Të fundit

Të ngajshme
Artikuj

Lutja e heshtur për evladin

Në historinë e artë të Islamit, gjejmë shembuj prekës...

Lutja e Uthmanit (radijAllahu anhu) kundër njërit prej havarixhëve

Ebu Kilabe (Allahu e mëshiroftë), rrëfen: “Ndodhesha me një grup...

Vërtet të mirët janë në një jetesë të këndshme

"Vërtet të mirët janë në një jetesë të këndshme!"...

Zbukurohu për Allahun… jo për njerëzit!

Allahu i Madhëruar thotë: "O bijtë e Ademit! Merrni stolitë...

Pesë kategoritë e namazlinjëve

"Njerëzit në namaz ndahen në pesë kategori:" ➊ I ndëshkuar...

Kur’anijunët dhe rreziku i tyre

Kur'anijunët janë një grup që pretendojnë të ndjekin vetëm...

Çka është për ty libri?

Për Xhahidhin, me sa vijon:"Nuk njoh fqinj më të...

Shpresa (الرجاء)

Shpresa (الرجاء) është një adhurim i rëndësishëm i zemrës,...

Dashuria si akt i zemrës

Dashuria në Islam është një nga adhurimet më të...

Një kokërr ve mund të vërtetojë ekzistimin e Zotit

U pyet Ahmed ibn Hanbeli: si e njohe ekzistimin...

Vitit të Ri Hixhrij

Fillimi i vitit të ri hixhrij është një ngjarje...

Frika si adhurim i zemrës

Frika (الخوف) është një ndjenjë e natyrshme dhe thelbësore...