Vlera e diturisë
Dituria është fitimi më i mirë, pozita më e ndershme, depozita më e çmuar, fryti më ëmbël i pjekur, e si pasojë nuk ka fitim më të madh se pronari i dijes, i cili me diturinë e tij udhëzon për të mirë dhe ndalon nga e keqja.
Sufjan ibn Ujejne ka thënë: “Ai i cili e kërkon diturinë i është besatuar Allahut.”
Dituria është trashëgimi e profetëve siç thotë Allahu: “Sulejmani e trashëgoi Davudin dhe tha: Njerëz, ne kuptojmë gjuhën e shpendëve e na është dhuruar nga gjithçka, vërtet ky është shpërblim i qartë.”[1] Andaj atij të cilit Allahu ia trashëgon diturinë e Kur’anit dhe sunnetin, le ta dijë se ky njeri është i zgjedhuri i Allahut, i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kujt ia donë Allahu të mirën ia bën të kuptueshme fenë.”[2]
Kërkimi i diturisë dhe shtimi i saj është: nder i cili nuk mbaron, vlerë e cila nuk ka skaj, frytet e saj dalin shpejt, kokrrat e saj janë shumë afër, kërkuesi i saj vuloset në listën e të mëdhenjve: “Allahu i ka ngritur në shkallë të larta ata të cilët besuan prej jush dhe atyre të cilëve iu është dhënë dija, Allahu është i lajmëruar se çfarë punoni ju.”[3]
Nuk ka diçka më me vlerë për robin se sa të jetë ruajtës i diturisë sheriatike. Kjo rrugë të çon drejt suksesit të përhershëm e ai është Xhenneti, çdo krijesë është e kënaqur me veprën e tij, për të kërkojnë falje melekët dhe kanë dëshirë të ulen në ndejat e tyre.
Njerëzit e mençur e vlerësojnë dijen dhe nxisin për të, kështu që me dituri Allahu i ka ngritur disa popuj dhe i ka bërë prijës të së mirës. Sa ka prej atyre që kanë qenë të panjohur të cilët i ka ngritur dituria në rreshtat e të ndershmëve, e sa e sa njerëz kanë qenë të poshtëruar te njerëzit e dituria i ka renditur në vendet e të mëdhenjve. Madje edhe melekët kanë dëshirë të ulen në ndejat e të diturve, të cilat me flatrat e tyre i rrethojnë tubimet e tyre, ndërsa çdo gjë që ka në qiell dhe në tokë kërkon falje për to.
I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush merr rrugën për të kërkuar dituri, Allahu ia lehtëson rrugën për në xhennet dhe me të vërtet edhe melekët i shtrijnë flatrat e tyre për kërkuesin e dijes nga kënaqësia se çfarë bën ai dhe se për dijetarin kërkon falje çfarë ka në qiell dhe në tokë, derisa edhe peshqit në ujë, vlera e dijetarit edhe adhuruesit është: sikur drita e hënës me krahasim me yjet tjera, si dhe dijetarët janë trashëgues të pejgamberëve, ndërsa pejgamberët nuk kanë lënë trashëgimi as dinar e as dërhem, mirëpo kanë trashëguar diturinë, e ai i cili e merr atë le ta marrë në përmasa të mëdha.”[4]
Përgaditi: Nexhat Ceka