Ndiej lodhje kur lexoj Kuran?

Ndiej lodhje kur lexoj Kuran?

0 6593

Jam një muslimane e lindur po qe nuk e praktikoj shumë islamin por kam filluar të lexoj Kuranin po sa herë që unë filloj ta lexoj me vjen shumë gjumë, kurse libra të tjerë lexoj me orë të tëra dhe nuk ndodhë një gjë e tillë. A mund të ketë ndonjë shpjegim për këtë?

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon Allahut…

Një nga dhuntitë e mëdha të Allahut është që të ka mundësuar të lindesh në një familje Islame, mirëpo për të qenë mirënjohës ndaj kësaj dhuntie duhet ta ndihmojmë veten me lexim Kurani, lexim librash e revistash të dobishme, vizita xhamish, ndjekje ligjëratash etj. me qëllim që të shtojmë dituritë tona rreth kësaj feje që garanton shpëtimin tonë në dynja dhe ahiret.

Falënderojmë Allahun që ke filluar ta lexosh Kuranin, por në këtë rrugë do të gjesh pengesa dhe armiq që do të mundohen të të largojnë nga ky synim i lartë. Shejtani nuk ndalet në këtë luftë deri në ditën e Kiametit: “shejtani synon që t’i devijojë në një devijim të largët” – thotë Allahu. Ai do të mundohet që të të largojë nga leximi i Kuranit duke ta paraqitur si të vështirë, duke ta sjellë gjumin, duke të thënë se ti nuk kupton gjë si dhe mënyra tjera. Prandaj, në fillim të leximit të Kuranit Allahu na urdhëroi të kërkojmë strehim tek Ai: “e kur ta lexosh Kuranin kërko strehim tek Allahu nga shejtani i mallkuar”.

Mundohu pra, mos lejo asnjë pengesë të të largojë nga leximi i Kuranit, sepse në të ka udhëzim, shërim dhe shpëtim. Allahu është ai që jep suksesin.

Burimi; albislam.com