LULJA E PESTË

LULJA E PESTË

0 1082

Hap pas hapi dhe nuhatje pas nuhatjeje po shkoj lule më lule. S’po i marrë të gjitha në dorë, por veç ato që po më vrasin syrin në ecje. Edhe pse krejt i kanë porositë e mëdha që i përmbajnë në vete, por koha e bën të veten në tërë këtë.

Lules së radhës veç më kisha qenë duke iu afruar, dhe sa hap e mbyll sytë, e pata në dorë. E lexova në vete para se t’jua tregojë juve, kurse mbresën që la në mua, më nxiti sa më shpejtë t’ju lexojë juve. Aty shkruante: Jahja ibën Muadhi ka thënë: “Në qoftë se adhurimi do të ishte një zog, atëherë krahët e tij do të ishin agjërimi dhe namazi.”

Të habit fakti se si janë adhurimet e lidhura njëra me tjetrën, kryerja e njërës prej tyre është zinxhir që të nxit në kryerjen e tjetrës. Kur je mirënjohës ndaj një dhuntie, dhuntitë tjera të shoqërojnë në jetë dhe pastaj jeta jote jetohet në mirësi. Këto dy lloj adhurimesh i japin baraspeshë njeriut në përditshmërinë e tij, prej ku zemra orientohet me nxitjet e mendimit të shëndoshë në ecjen e një rruge ku para se të arrijë te shpërblimi duhet t’i tejkalojë sprovat. Sa e qetë bëhet zemra kur ushqehet me adhurime, dhe sa e matur tregohet kur ballafaqohet me sprova. Për këtë thuhet se, diçka që zemra pëshpërit e nxitur nga besimi nxjerr në pah një dritë që pasqyrohet nga vepra.

E ky Muaj, përmes këtyre veprave e mbjell në ne frytin e durimit që të na nevojitet kur t’i ngritëm duart tona drejt Tij dhe t’ia kërkojmë atë që na e qetëson zemrën. Shpirti e ka adhurimin dritë që ia ndriçon rrugën drejt qëllimit të tij, ndaj kur shpirti është i ngopur, trupi s’ndien uri, sepse adhurimi për shpirtin është si drita për syrin. Kur njeriu e di rolin e tij, s’mjaftohet me gjëra të pakta dhe i paktë i duket tërë angazhimi që bën për t’u afruar sa më parë aty ku synon. Çiltëria në brendi jep rezultate të pastra në publik, sepse atë që njeriu e do, aty edhe mendja i rri atij. Sa ushqim i shijshëm që është adhurimi, sa do të ushqehesh me të, sërish veten e ndien të uritur, dhe sa do të jesh i ngopur, ende ke etje për to.

E tillë është jeta kur ndërtohet me adhurime të bëra në bazë të besimit, pasi besimi e ruan njeriun, aq sa njeriu e forcon atë. Më kujtohet se i Dërguari para se të ndahet prej kësaj bote, fjalët e fundit që i la ishin: “Namazi, namazi!”, për këtë, me çka jeton, me aso veprash edhe të vjen fundi, e si është fundi, tregon se si ke qenë në jetë.

Një zemër e bardhë ndriçon në errësirë kur gjumi i ka nxënë të tjerët, e ajo e ka kërkon prej Atij atë që ia bën të bardhë jetën. Dhuntia më e madhe që e përfshin “tokën” është udhëzimi në besimin e vërtetë, e besimi i vërtetë është ta falënderosh Allahun që të ka pajisur me këtë dhunti…

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 579