LULJA E GJASHTËMBËDHJETË

LULJA E GJASHTËMBËDHJETË

0 1361

Duke e fshirë lotin nga syri, ecja nëpër kopsht. Bile pasi e lashë lulen më shpërthyen edhe shumë pika lotësh që u shpërndanë nëpër faqen time. Dora mundohej t’i fshinte, por sërish, lagej e gjithë dora prej tyre.

Në këtë gjendje e gjeta lulen e radhës, mirëpo më vinte turp që ta kapja me dorën e larë në lot. U pajtova që në vend sa ta kapja në dorë të mjaftohem me shikimin me sy. Në këtë mënyrë e lexova lulen në vijim: Ali ibën Ebu Talibi ka thënë: “Në shtatë gjëra nuk ka mirësi: Në namazin që nuk ndien kënaqësi, në agjërimin ku nuk largohesh nga punët e kota, në leximin e ngutur dhe jo me rregull të Kuranit, në adhurimet të cilat nuk të parandalojnë nga mëkatet, në pasurinë që nuk ka bujari, në miqësinë ku nuk ka sinqeritet dhe ngrohtësi, dhe në lutjen ku nuk ka sinqeritet.”

I madh është Zoti, e shqiptoi gjuha nga befasia e kësaj fjale. Edhe nëse merresh me vepra që t‘i ka obliguar Zoti, s’do të kesh kurrfarë dobie, nëse s’kryhen sipas udhëzimeve të Tij. Mendo mbi mençurinë e të mençurit, është thënë më herët, e nga kjo fjalë duhet të mendojmë mbi mënyrën e kryerjes së adhurimeve dhe fitimin e sevapit që na garantohet prej tyre. Sepse nëse agjërimi s’të largon nga e keqja, atëherë veprat tuaja të këqija do të të largojnë nga dobitë e agjërimit.

Adhurimi është një mjet prej të cilit përmirësohet krejtësisht krejt qenia e njeriut, e pastaj prej tij kanë dobi krejt të tjerët. Ta lidhim zemrën me vepra të mira, nëse dëshirojmë që në mirësi të na shkojë jeta. Ngase aty ku etja dhe uria jetojnë sipas besimit, vepra është pasqyrë e asaj që e fsheh zemra. Më mirë të kërkohet pak me dije, se sa të paktë të jemi në dije.

Kur veprohet shumë njeriu s’ka kohë të flasë shumë, e kur heshtja flet më shumë se fjala, ndjehet më shumë se sa që dëgjohet. Ende kisha qenë duke i fshirë lotët, me të vërtetë shumë kisha lotuar, por shumë pak duke e vërejtur. Isha zhytur i tërë në thellësitë e kuptimeve të fjalës në fjalë dhe aspak s’e kisha hetuar çka isha duke bërë. Apo ndoshta, ndonjë pikë loti më kishte pikuar si rezultat i kësaj luleje të cilën vetëm e shikoja, e nuk e kisha marrë në dorë.

Dihet se në etje kërkohet ujë që kjo të shuhet, e në errësirë kërkohet mend që të dilet në dritë. Ishte bashkuar loti i njëjtë nga dy lule të ndryshme, për të më dhënë një drejtim të duhur në jetë. E vërejta se lotët ishin tharë krejtësisht nga sytë dhe nuk më mbeti asgjë tjetër, veç sikurse e fillova leximin e kësaj luleje vetëm me shikim, ashtu edhe të largohem prej saj veç me shikim. Para se ta përfundojë shikimin e fundit, m’u kujtua kjo fjalë: Fjala e të diturit është një dritë shpresë në humnerën e pafund…

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 592