Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut…
Koha e therjes së kurbanit fillon pas namazit të Kurban Bajramit, dhe mbaron me perëndimin e diellit në ditën trembëdhjetë të muajit dhul hixhe, pra, dita e Bajramit dhe tre ditë pas.
Më së miri është shpejtimi i therjes pas namazit të Bajramit, sikur që kishte vepruar i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, që të jetë ushqimi i tij ditën e Bajramit prej kurbanit të tij.
Transmeton Ahmedi nga Burejde, radijallahu anhu, të ketë thënë: “I Dërguari, salallahu alejhi ue selem nuk nisej për Fitër Bajram derisa të ushqehej dhe nuk ushqehej ditën e Kurban Bajramit derisa të kthehej, e ushqehej nga kurbani i tij.[1]
Shejh ibn Uthejmini në librin “Dispozitat e Kurbanit” për kohën e therjes ka thënë: “Fillon pas namazit të Bajramit deri në perëndimin e diellit në ditën e fundit të ditëve të teshrikut që është dita e trembëdhjetë e muajit dhul hixhe, atëherë ditët e therjes janë katër: Dita e Bajramit pas namazit, dhe tre ditë pas. E kush ka therë kurbanin para se të falë namazin e Bajramit apo pas perëndimit të diellit ditën e trembëdhjetë nuk është i vlefshëm kurbani i tij. Mirëpo nëse ka ndodhur ndonjë arsye për të vonuar nga ditët e teshrikut si për shembull të ikë kurbani pa qëllim të tij e nuk mund ta gjejë pos pasi të ketë kaluar koha, apo të angazhojë dikë që ta therë, e ky të ketë harruar derisa të kalon koha, atëherë nuk prish punë nëse theret pasi të kalojë koha për shkak të arsyes. Njëjtë sikur atë të cilin e ka zënë gjumi nga namazi apo e ka harruar, atëherë e falë kur të zgjohet apo t’i kujtohet.
Lejohet therja e kurbanit në kohë të natës dhe të ditës, por therja ditën është më primare, në ditën e Bajramit pas dy hutbeve është më mirë, e çdo ditë që vije pas është më mirë se ajo e më vonshme, për shkak të shpejtimit në veprimin e të mirave”.
Në fetvatë e Komisionit të Përhershëm 11/406 thuhet: “Ditët e therjes së kurbanit për haxhiun haxh temetu apo kiran, dhe për kurban (për atë që nuk është në haxh) janë katër: Dita e Bajramit dhe tre ditë pas. Koha mbaron me perëndimin e diellit ditën e katërt, sipas thënieve më të sakta të dijetarëve”.
Përktheu: Shpend Zeneli
Burimi: albislam.com
[1] E ka shënuar Zejlei në librin “Nesb rajah” (2/221) nga ibn Katan, e ky e ka konsideruar të vërtetë.