ADHURIMI NË KOHË TRAZIRASH

ADHURIMI NË KOHË TRAZIRASH

0 1484

E ka sqaruar i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, në hadithin që e përcjell Muakil ibn Jesar, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Adhurimi në kohë trazirash (luftrasht) është si të bëhet hixhret për tek unë”. Shënon Muslimi

Tek Taberaniu në librin e tij “Mu’xhem el Kebir”, qëndron: “Adhurimi në kohë fitnesh është si të bëhet hixhret për tek unë”.

SHPJEGIMI I HADITHIT

I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem në këtë hadith na tregon se adhurimi në kohë trazirash dhe kohë sprovash, e të shkujdesit ka shpërblimin e hixhretit. Hixhreti, siç është e ditur, është një prej adhurimeve të mëdha, me pozitë të lartë tek Allahu. Përhapja e shtimi i fitneve është një prej shenjave të afrimit të Kijametit, mbështetur në fjalën e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem: “Disa ditë para Kijametit ngritet dituria, zbret injoranca, dhe shpeshtohen vrasjet”. Shënon Buhariu dhe Muslimi

Dhe fjala e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem: “Shkurtohet koha, ngritet dituria, shfaqen fitnet, përhapet kopracia e shpeshtohen vrasjet”. Shënon Buhariu dhe Muslimi

Menaviu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “Fejdul Kadir” ka thënë: fjala e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem: “Adhurimi në kohë trazirash”, pra në kohë sprovash, dhe të turbullirave, është “si të bëhet hixhret për tek unë”, për nga shpërblimi i madh. Ose ka kuptimin, se emigrues ishin të pakët në atë kohë, për shkak pamundësisë që shumica të emigrojnë, kështu është edhe me adhuruesit në kohë trazirash, janë të pakët.

Ibnul Arabiu ka thënë: “Ky lloj ngjasimi me hixhretin shpjegohet në atë mënyrë se në fillim njerëzit iknin nga vendet joislame, në vende islame, kështu është edhe kur ndodhin fitnet, njeriu duhet që së bashku me familjen e tij të ikë prej fitnes në adhurim, duke i braktisur njerëzit dhe gjendjen që i rrethon, ky është edhe një prej llojeve të hixhretit”.

POROSI PROFETIKE

  • Adhurimi në kohë fitnesh është ngritur në një pozitë të lartë si një hixhret, për disa shkaqe, të cilat dijetarët i kanë përmendur gjatë shpjegimit të këtij hadithi, prej tyre;

Shkaku i parë: Ngase shumica e njerëzve e anashkalojnë adhurimin, duke u preokupuar me gjëra tjera, e nuk i përkushtohen asaj, pos individë, siç e ka përmendur këtë Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë.

Shkaku i dytë: Ngase shumica e njerëzve në kohë fitnesh pasojnë epshet e tyre, e nuk i kthehen fesë, kështu që gjendja e tyre është e ngjashme me gjendjen e injorantëve, e nëse ndokush prej tyre vetmohet, i përmbahet fesë, adhuron Zotin, kërkon kënaqësinë e Tij, e largohet nga hidhërimi i Tij, ky është në pozitën e atij që bën hixhret prej injorantëve për te i dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, me besim ndaj tij, duke ndjekur urdhrat e tija, e duke u larguar prej ndalesave. Kështu e ka përmendur ibn Rexheb, Allahu e mëshiroftë.

Shkaku i tretë: Ngase ai i cili i përkushtohet fesë në atë kohë, i zënë me adhurim, i skajuar prej njerëzve, ka shpërblimin sikur të bën hixhret te i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, i përshtatet për arsye se edhe emigranti i cili largohet për shkak fesë, prej atyre që e pengojnë që t’i bashkangjitet të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem, kështu edhe ky i cili është vetmuar me adhurim ka ikur prej njerëzve për t’iu bashkangjitur adhurimit ndaj Zotit, kështu që ky në fakt ka bërë hixhret tek Zoti, duke ikur prej gjithë njerëzve, siç e përmend këtë Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë.

Shkaku i katërt: Kur të shtohen fitnet zemrat preokupohen, e kur njeriu të angazhohet me adhurim, kjo aludon për fuqinë e preokupimit të zemrës me Allahun, aze ve xhel, e shtohet shpërblimi i tij, siç e përmend Imam ibnul Xheuzi, Allahu e mëshiroftë.

  • Formën e adhurimit të cilën Allahu e dëshiron prej nesh; shejh Islam ibnTejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Ibadet është emër i përgjithshëm, i çdo gjëje që e do Allahu dhe është në pajtim me të, qofshin fjalë, apo vepra, të dukshme apo të padukshme, pra, namazi, zeqati, agjërimi, haxhi, të folurit drejtë, kryerja e përgjegjësisë, respektimi i prindërve, mbajtja e lidhjeve farefisnore, përmbajtja e premtimeve, urdhërimi në të mirë, ndalimi nga e keqja, bamirësia ndaj fqinjit e jetimit, të varfërit, rrugëtarit, e pronës që e posedon, lutja, përmendja e Allahut, leximi i Kuranit, e të ngjashme prej adhurimeve.

Prej adhurimeve të padukshme, siç janë, dashuria ndaj Allahut, dhe të dërguarit të Tij, kthimi tek Allahu, sinqeriteti, durimi, falënderimi, pajtueshmëria me caktimet e Tij, mbështjetja në Allahun, shpresimi i mëshirës së Tij, frika nga dënimi, e të ngjashme prej adhurimeve.

Sepse adhrimi ndaj Allahut është një qëllim parimor, i pëlqyer dhe i preferuar, për të cilin edhe u krijuan krijesat, siç thotë Allahut në Kuran: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” Dharijat, 56

Për këtë qëllim dërgoi edhe profetët, Allahu thotë: “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni!.” Enbija, 25.

Kështu që roli ynë në këtë jetë, mesazhi kryesor është të zbatojmë adhurimin ndaj Allahu Një.

HADITHI I SHTATË

UDHËZIME DHE POROSI PROFETIKE

Burimi: albislam.com / Islamweb.net

Përktheu: Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM