A është e lejuar që stomatologu të punojë me gjininë femërore?

A është e lejuar që stomatologu të punojë me gjininë femërore?

0 1508

Pyetje: A është e lejuar që stomatologu të punojë me gjininë femërore? Nëse në një fshat nuk ka stomatologe femër dhe deri në qytet ku ka një të tillë ka përafërsisht 40 km, a justifikohet puna me femra si arsyetim i shpenzimeve dhe mundimit për të shkuar në qytet? Mundësisht një përgjigje më të zgjeruar për të gjitha rrethanat. Nuk po dëshirojmë lehtësime por dëshirojmë te dimë hakun e Allahut sepse dëshirojmë që të fitojmë hallall riskun tonë. Allahu ju shpërbleftë me xhenetul firdeus.

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut ndërsa lavdërimi dhe paqja e Tij qofshin mbi Muhamedin, familjen, shokët dhe ndjekësit e tij…

Çdo mjek, qoftë ai stomatolog apo i ndonjë specializimi tjetër duhet të punojë me pacientët e gjinisë së njëjtë dhe në atë rast mund ta shikojë vendin e sëmurë, ta prekë dhe të bëjë gjithçka është e nevojshme. Në rastin tuaj, ju duhet të punoni vetëm me pacientë meshkuj dhe ndërkohë duhet të mundoheni – sipas mundësive – që vet apo me ndihmën e fshatarëve të organizoni ardhjen e ndonjë mjekeje në atë ordinancë, nëse jo rregullisht atëherë së paku një apo dy herë gjatë javës. Kjo ka shumë rëndësi dhe duhet të kërkoni ndihmë edhe nga hoxha i fshatit që të punojë në vetëdijesimin e fshatarëve lidhur me këtë, t’u thotë atyre se i gjithë fshati ka përgjegjësi fetare përderisa nuk sigurojnë së paku një mjeke që do t’i mjaftojë grave dhe bijave të tyre, sepse Profeti, alejhi salatu ue selam ka thënë: “Çdokush nga ju është bari dhe çdokush nga ju është përgjegjës për kopenë e tij…”.

Nëse nuk ia arrini këtij qëllimi apo nuk gjeni ndonjë zgjidhje tjetër, ju nuk guxoni të punoni me pacientë femra përveç në situata të rënda, kur ju vijnë me dhimbje të papërballueshme apo nuk kanë mundësi materiale për të shkuar deri në qytet. Po e theksoj këtu: me kusht që të mos vijnë thjesht për kontrollim, larje apo vendosje të dhëmbëve të rinj, por të vijnë vetëm për të ndaluar dhimbjet apo për të rregulluar prishjet e rënda.

Për situata të këtilla, dijetarët japin disa porosi:

  1. Gjatë mjekimit të shikosh vetëm në pjesën që je duke e mjekuar, të kesh frikë Allahun aq sa mundesh, të kesh bindjen se Ai të sheh dhe e di për çdo vepër tënden.
  2. Të punosh me doreza gjithsesi, por prapë se prapë të mos prekësh atë pjesë që nuk është e nevojshme për mjekim.
  3. Biseda jote me pacientin të përkufizohet vetëm për atë që është e nevojshme dhe asgjë më shumë.
  4. Të mos vetmohesh me pacienten, por gjithsesi të jetë i pranishëm burri ose një mahrem i saj. Apo së paku edhe ndonjë grua tjetër me qëllim që të mos ndodhë vetmia me atë grua të huaj, sepse Profeti, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Çdoherë që vetmohet një burrë me një grua, i treti në atë mes është shejtani”.

E lus Allahun të të ndihmojë ty dhe çdo mjek/e tjetër të përgjegjshëm që të gjesh zgjidhje dhe të mos biesh në asnjë prej ndalesave të Allahut. Ki frikë Allahun sepse vetëm Ai të jep rrugëdalje!

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM