A jipet zekat për paratë që i kam dhënë borxh?

A jipet zekat për paratë që i kam dhënë borxh?

0 4284

Pyetja: I kam investuar paratë në një biznes, si një partner me një person, ku ai kishte përgjegjësi të mirret me punën, por mënyra e tij për të kryer biznesin nuk më pëlqente dhe kështu që unë pë një kohë nuk kërkova ndonjë fitim prej tij, po edhe ai nuk më dha gjë, e  pasi që kaluan tri vite i kërkova atij shumën time që i kisha dhënë, por, ai justifikohej, e më thoshte: gjendja ime e tanishme nuk më mundëson, dhe vazhdonte të më premtojë disa afate kohore, herë pas here, unë jam i bindur që ai do të më paguajë borxhin, por dua të pyes; nëse unë duhet të paguaj zekatin për këto para?

Përgjigjja: Falënderimi i qoftë Allahut.

Borxhi i një huadhënësi musliman, nuk përjajshtohet nga njëra prej dy rasteve:

(i) Borxhi të jetë tek dikush që e pranon atë si borxh, e di shumën e marrur dhe është i gatshëm ta paguajë atë.

(ii) Borxhi të jetë tek dikush që e pranon atë, por ai është në vështirësi ta paguajë, apo e vonon pagesën, ose të jetë në dorën e atij që e mohon atë.

Në rastin e parë, ai (huadhënësi) duhet të paguajë zekatin për paratë e dhëna borxh, duke ia shtuar ato pasurisë që ka, kështu që ai duhet të paguajë zekatin mbi gjithë pasurinë e tij, për çdo vit, edhe nëse atij nuk i është kthyer borxhi, sepse konsiderohen si para të deponuara. Dhe po ashtu i lejohet që ta vonojë pagimin e zekatit derisa ta marrë borxhin në posedim, dhe pastaj të paguajë për të gjitha vitet e kaluara.

Në rastin e dytë, ai nuk duhet të paguajë zekatin, por nëse e merrë atë, më së miri është të paguan zekatin për një vit, edhe nëse pasuria ka qenë tek personi që është në vështirësi, apo tek ai që e vonon, ose e mohon atë, për disa vite.

Kjo është një përmbledhje e mendimit më të saktë lidhur me këtë çështje.

Ka disa mospajtime mes dijetarëve në lidhje me çështjet që kemi përmendur. Në vijim është një vështrim i shkurtër rreth mendimeve të tyre lidhur me këtë:

Në (el-Mevsu’ah el-Fik’hijeh, 23/238, 239) thuhet:

Borxhi është pronë e huadhënësit, por për shkak se nuk është në posedim të pronarit të saj, fukahatë kanë mendime të ndryshme në lidhje me të. Ibn Omeri, Aisheja, Ikrimeja, dhe Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta) janë të mendimit se nuk ka zekat për borxhin e dhënë dhe arsyeja për këtë është se ajo pasuri nuk mund të rritet (përmes investimit), kështu që nuk ka zekat, siku që nuk jipet për sendet që mbahen për përdorim personal.

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se borxhi që ka arritur periudhën kohore për zekat është dy llojësh: që shpresohet se do të paguhet dhe ai për të cilin nuk ka shpresë se do të paguhet.

a) Borxhi që shpresohet se do të paguhet dhe është në duar të atij që e pranon dhe është i gatshëm ta paguajë atë; në lidhje me këtë ka disa pikëpamje:

1-Këtë e pohojnë Hanefitë dhe Hanbelitë, i këtij mendimi është edhe Theuri; se zakati duhet të paguhet çdo vit nga huadhënësi, sepse është pasuri që i përket atij; por, ai nuk e jep zekatin deri në momentin kur t’i pranojë paratë, dhe se kur t’i posedon, ai duhet të paguajë zakatin për të gjitha vitet e kaluara.

Arsyetimi i këtij mendimi është se: është një borxh i konfirmuar në përgjegjësinë e dikujt, kështu që ai nuk duhet të paguajë zekatin para se ta posedon atë, dhe për shkak se ai nuk mund të përfiton prej tij për momentin, kështu që ai nuk duhet të paguan zekat për pasurinë që ai nuk po e përdor. Sa i takon pasurisë së deponuar, pronari mund ta marrë atë në çdo kohë, e nuk bën pjesë në këtë kategori, bile për këtë (pasurinë e deponuar) ai duhet të paguajë zekatin për çdo vit.

2-Mendimi më e saktë i Shafiut, dhe Hamad ibn ebu Sulejmanit, Is’hakut dhe Ebu Ubejdes, është se ai duhet të paguajë zekatin në fund të çdo viti (e jo të pret derisa të pranon borxhin, për dallim prej të parëve) për borxhin që shpreson se do të paguhet, njejtë si për pasurinë që e posedon, sepse ai është në gjendje ta marrë atë dhe ta menaxhojë.

3-Malikitë ndajnë borxhin në disa kategori: disa prej borxheve duhet të paguhen çdo vit, përkatësisht borxhi i tregtarit, ai që blen dhe shet për tregti; për shumën e fituar nga mallrat e tregtisë.

E për disa borxhe, zekati duhet të paguhet një herë, pasi të ketë kaluar një vit që kur huadhënësi ka pranuar atë borxh, edhe nëse qëndron tek borxhliu për shumë vite.

E për disa lloje borxhi, nuk ka zekat për to, sikur që është borxhi që nuk është poseduar, njejtë sikur që është dhurata, mehri, ose kompensimi për një dëmtim, dhe të ngjashme.

b) Borxhi i cili nuk ka shpresë se mund të kthehet; si të jetë tek një person i cili është në vështirësi për ta kthyer, ose tek një që e mohon se ka borxh ose që e vonon pagesën. Për këtë ka disa mendime.

1-Mendimi i Hanefive në këtë rast, njëkohësisht është edhe mendimi i Katades, Is’hakut, Ebu Theurit, dhe është një prej transmetimeve të Ahmedit dhe është fjalë e Shafiut, se: nuk ka zekat për të, sepse nuk është në posedim të tij, dhe se nuk është ai në gjendje ta përdorë atë.

2-Mendimi i dytë, është mendimi i Theurit, Ebu Ubejdes, dhe është një transmetim tjetër nga Ahmedi dhe fjala më e saktë e Shafiut, se ai duhet të paguajë zekatin në momentin kur t’i kthehet borxhi për të gjitha vitet e kaluara, mbështetur në fjalën e Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të) në lidhje me borxhin e pasigurt: “Nëse ai është i sinqertë, atëherë le të paguajë zekatin kur ta merr në posedim borxhin, për vitet e kaluara.”

3-Maliku është i mendimit se ai duhet të paguan zekatin vetëm një herë kur ta posedon atë, edhe nëse qëndron tek borxhliu për disa vite. Ky është mendimi edhe i Omer ibn Abdul-Azizit, Hasan el Basriut, Lejthit dhe Evzait.

Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë), pasi që diskutoi mendimet mbi këtë çështje, tha:

Mendimi më i saktë është se zekati duhet të paguhet për çdo vit, nëse borxhi është tek një që është i pasur dhe i gatshëm ta paguajë atë, sepse është në dispozitën e pasurisë së poseduar; por e jep zekatin në momentin kur ta posedon borxhin, përpos nëse dëshiron, e paguan me zekatin pasurisë së tij (ende pa e pranuar nga borxhliu). I pari është një lehtësim, e i dyti është një virtyt, dhe është mënyra më e shpejtë në përmbushjen e detyrës.

Por nëse është tek një njeri që e vonon pagesën, ose tek një person që është në vështirësi, atëherë nuk ka zekat për të, edhe nëse qëndron për dhjetë vite tek ai, sepse ai nuk është në gjendje ta shfrytëzojë atë pasuri, por në momentin kur ta merr atë, ai nxjerr zakatin vetëm një herë, për vitin në të cilin ai posedoi pasurinë dhe nuk duhet të paguajë zekat për vitet që kanë kaluar.

Këtë mendim e përmend Shejh el-Ankari në librin e tij nga Shejhul Islam Muhamed ibn Abdul Vehabit dhe nipërit e tij (Allahu i mëshiroftë). Është gjithashtu mendimi i Imam Malikut (Allahu e mëshiroftë) dhe ky është mendimi më i saktë, për arsyet e mëposhtme:

  1. Është e ngjashme me zekatin e frutave, për të cilat duhet të paguhet zekati kur ato të vilen dhe të fitohet një shumë e caktuar, Shejhul Islam përzgjodhi mendimin se zekati duhet të paguhet për frytet në momentin kur të posedohen, edhe nëse nuk ka kaluar një vit i plotë.
  2. Një prej kushteve të obligueshmërisë së zekatit është që njeriu të jetë në gjendje ta paguajë atë; atëherë kur është në gjendje ta paguajë atë, atëherë e jep zekatin.
  3. Ngase mund të kenë kaluar disa muaj të vitit, para se ta jepte atë si borxh.
  4. Zekati bie për vitet e kaluara, por detyrohet të paguajë zekatin për vitin në të cilin ai e merr në posedim, ky është një lloj lehtësimi për pronarin, sepse si mund ta detyrojmë atë të paguajë zekatin kur ai është i detyruar t’i japë afat atij i cili është në vështirësi? Po ashtu është një lehtësim për personin që është në vështirësi, duke i dhënë atij më shumë kohë.

Ngjashëm me këtë është pasuria e fshehur dhe e harruar. Nëse një person ka varrosur pasurinë e tij nga frika se mund të vidhet, dhe harron vendndodhjen e tij, në këtë rast ai paguan zekatin vetëm për vitin kur ta gjejë pasurinë.

Kështu edhe nëse pasuria që është vjedhur, e qëndron tek vjedhësi për disa vite, atëherë kur pronari i saj arrin ta gjejë atë; ai e paguan zekatin vetëm për një vit, si borxhi që i është dhënë atij që është në vështirësi.

(Sherh el-Mumti ala Zad el-Mustekni, 6/27, 28).

Për në fund:

Ju duhet të paguani zakatin për këto para, për tre vitet gjatë të cilave keni qenë partneritet me shokun tuaj.

Pas kësaj – që nga fillimi i marrëveshjes suaj me të për t’i kthyer paratë – këto para janë shndërruar në borxh tek shoku juaj. Duket qartë se gjendja e tij është e vështirë, kështu që ju nuk duhet të paguani zekat për këto para derisa t’i keni ato në posedim, e vetëm atëherë ju e paguani zekatin vetëm për një vit, edhe nëse borxhi ka qëndruar tek shoku juaj për disa vite.

Allahu e di më së miri.

Burimi: islamqa.info / albislam.com

Përktheu: Shpend Zeneli