Unë studioj në Vjenë dhe gjatë studimeve të mia zbulova se në shumicën e prodhimeve ushqimore futet një përqindje shumë e vogël alkooli, që përdoret në bashkimin e dy përbërësve për t’i ruajtur më gjatë ato, apo për t’i bërë më të dendura. Ato materie quhen: AGAR; TRIACETIN; VANILIN; MALTIT; XYLIT; SORBIT; GLYCEROL; PEKTIN. A lejohet konsumimi i këtyre ushqimeve, si dhe barërat që përmbajnë alkool dhe parfumet?
Përgjigje: Në emër të Allahut, falënderim i takon Atij…
Së pari: Alkooli është prej lëndëve dehëse, çdo lënde dehëse është verë e vera është haram. Trajtimi i alkoolit duhet bërë nga dy aspekte:
A është i papastër apo jo?
A ndikon gjatë përzierjes me materie të tjera, qofshin ato barëra apo ushqime?
Për sa i takon aspektit të parë: pjesa dërrmuese e dijetarëve kanë mendimin se vera është papastërti konkrete. Më e sakta është e kundërta, pra që papastërtia e saj është abstrakte.
Aspekti i dytë: alkooli kur përzihet me materie të tjera qofshin ato barëra apo ushqime, ose do të ketë ndikim të dukshëm, ose jo. Nëse ndikimi mbetet i qartë ndalohet përzierja dhe ndalohet përdorimi i atyre ushqimeve apo barërave si haje dhe pije. Nëse me përzierjen nuk mbetet ndonjë ndikim i alkoolit, atëherë lejohet përdorimi i atyre ushqimeve ose barnave qoftë për pije ose haje. Këtu duhet të theksojmë, se ka dallim mes konsumimit të drejtpërdrejtë të alkoolit të pastër dhe mes përzierjes së tij me ndonjë materie tjetër. Konsumimi i alkoolit të pastër është haram edhe nëse është shumë pak, sikurse është haram konsumimi i ngordhësirës e nëse përzihet me diçka tjetër, atëherë shikohet ndikimi i tij, ashtu siç u përmend më lartë. Tani po përmendim fetvanë e dijetarit Muhamed ibën Salih el Uthejmini, i cili këtë çështje e zbërthen si vijon:
“Alkooli siç dihet është materie dehëse dhe si i tillë konsiderohet verë. Këtë e themi duke u mbështetur në fjalët e të Dërguarit, lëvdimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të: “Çdo lëndë dehëse është e ndaluar”, kurse në një transmetim tjetër: “Çdo lëndë dehëse është verë”. Në bazë të kësaj themi që alkooli, i cili përzihet me diçka tjetër dhe nuk venitet, materia e fituar mbetet haram, ngase ndikimi i alkoolit është i pranishëm. Në qoftë se alkooli përzihet me materie të tjera dhe nuk shfaqet ndonjë ndikim i tij, atëherë materia e përzier lejohet, ngase dijetarët janë unanimë për pastërtinë e ujit që është përzier me ndonjë papastërti, mirëpo nuk është ndërruar. Përqindja e alkoolit në krahasim me materiet që përzihet mund të jetë e madhe, ashtu siç mund të jetë e vogël dhe në këtë kuptim alkooli mund të jetë i fuqishëm dhe një përqindje e vogël e tij mbetet me ndikim në materien e përzier. Nga ana tjetër mundet që përqindja e alkoolit të jetë e madhe mirëpo pa ndikim, pra, gjithnjë merret si kriter ndikimi.
Këtu kemi gjithashtu edhe dy çështje për t’i zbërthyer:
E para: A është papastërtia e alkoolit konkrete? D.m.th., a është detyrim që ne të ruhemi, të lajmë rrobat, trupin dhe enët nëse përlyhen me të? Pjesa dërrmuese e dijetarëve ndajnë mendimin se papastërtia e alkoolit është konkrete dhe se pastrimi i trupit, rrobave, enëve apo shtrojave dhe të tjerave është detyrim, ashtu siç është detyrim pastrimi i jashtëqitjes dhe urinës. Këtë mendim e mbështesin në fjalën e Allahut: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani.” (Maide: 90). Po ashtu argumentohen edhe me hadithin që e përcjell Ebu Thalebe el Hushenij, i cili e pyeti të Dërguarin, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, për të ushqyerit nga enët e mosbesimtarëve e ai u përgjigj: “Mos hani prej atyre enëve, përpos nëse nuk gjeni të tjera, në atë rast lajini dhe hani prej tyre”. Në disa transmetime është theksuar arsyeja e kësaj ndalese e që është fakti se ata kanë përdorur verën dhe mishin e derrit në ato enë.
Mendimi i dytë rreth kësaj çështjeje është se papastërtia e alkoolit është abstrakte. Ky mendim mbështetet në rregullin, se gjërat në esencë janë të pastra dhe se s’është e domosdoshme që gjërat e ndaluara të jenë të papastra. Helmi është i ndaluar pa dyshim, megjithatë nuk është i papastër, me fjalë të tjera përmendën rregullin e sheriatit “Çdo ndyrësirë është e ndaluar dhe jo çdo e ndaluar është e ndyrë.” Në bazë të kësaj pohojnë, se vera është e ndaluar mirëpo jo e ndyrë, derisa të sillen argumente për të kundërtën. Gjithashtu sollën si argument rastin e derdhjes së verës nëpër rrugë nga ana e muslimanëve kur ajo u ndalua, kurse enët nuk i lanë, ngase nuk lejohet derdhja e fëlliqësirave nëpër rrugë. “Ruhuni nga dy gjëra që ju mallkojnë! Pyetën: Cilat janë ato? I Dërguari tha: Kryerja e nevojës në rrugë apo në vendin ku njerëzit pushojnë.” Argument tjetër që forcon mendimin e dytë është: “Një njeri i dhuroi të Dërguarit një shakull me verë, kurse ai e informoi se ishte e ndaluar. Një i pranishëm i tha dhuruesit diçka fshehtas. I Dërguari e pyeti se çfarë i tha atij. -I thashë që a ta shes-, u përgjigj ai. I Dërguari e ndaloi duke i thënë: “Kur Allahu ndalon diçka, ndalon edhe përfitimin prej saj.” Njeriu nxori shakullin dhe e derdhi verën në prani të të Dërguarit, lëvdimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, e i Dërguari nuk e urdhëroi të lajë shakullin dhe po të kishte qenë vera e ndyrë me siguri që do ta urdhëronte ta lajë atë.
Për sa i takon argumentimit të palës së parë me ajetin “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyra nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” Allahu e përcaktoi se bëhet fjalë për ndyrësirë në vepër, duke thënë “vepra të ndyra nga shejtani” e nuk është ndyrësirë konkrete, ngase bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) papastërtia e tyre nuk është konkrete. Përfundimi se këto gjëra janë të papastra vlen për të gjitha gjërat e përmendura në të njëjtin kontekst dhe nuk mundet që të bëhet dallim mes tyre përpos me argument, që ky bën një përcaktim tjetër.
Ndërsa në hadithin e Ebu Thalebe el Husheniut urdhri për larjen e enëve nuk është për shkak të papastërtisë, sepse ekziston mundësia që me ato fjalë të jetë si qëllim largimi i plotë nga përdorimi i enëve të mosbesimtarëve, ngase kjo e fundit mund të çojë deri tek afrimi me ta e jo për shkak të papastërtisë, kurse papastërtia nuk vërtetohet me dyshim. Sido që të jetë kjo është çështja e parë që duhet kuptuar, se papastërtia e verës nuk është konkrete.
Çështja e dytë: Parfumet që përmbajnë alkool me ndikim për shkak të përqindjes së madhe, parashtrohet pyetja: A lejohet të përdorën jashtë pijes? Përgjigja e kësaj është: fjala e Allahut në ajet “largohuni prej tyre” përfshin të gjitha llojet e përdorimit, pra duhet të largohemi nga haja, pija, lyerja e të tjera. Pa dyshim kjo është më e sigurta, mirëpo përdorimi jashtë pijes nuk përfshihet në mënyrë kategorike, ngase Allahu tregoi arsyen pse duhet të largohemi “Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit e Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?” (Maide: 91) dhe kjo nuk ndodh jashtë pijes, prandaj themi se prej devotshmërisë është mospërdorimi i këtyre parfumeve, mirëpo nuk mund të gjykojmë se është haram.
Burimi: albislam.com
Përktheu: Agim Bekiri