A lejohet t’i lë disa sunete për të mos rënë në fitne?

A lejohet t’i lë disa sunete për të mos rënë në fitne?

Pyetje: Do të udhëtoj në një vend në të cilin shumica e njerëzve janë injorantë apo bidatçij, a mundet që t’i bëj disa përmirësime veprave dhe fjalëve të mia, në mënyrë që t’u iki disa fitneve dhe të përqendrohem në themele? Shembull për këtë: njerëzit të cilët nuk e kuptojnë Teuhidin, unë preferoj që t’u flas për Teuhidin në vend që të mbrohem pse i ngre duart gjatë tekbireve në namaz dhe pse e lëviz gishtin apo gjëra të tjera të Sunetit?

Përgjigje:

Së pari: nëse je që praktikon Sunete që kanë ardhur nga i Dërguari i Allahut nuk është e drejtë që të thuash “dëshiroj të bëj disa përmirësime”, ngase vetë ato vepra janë të përmirësuara, mirëpo ndoshta qëllimi i pyetjes tënde ishte që të mos i shfaqësh ato vepra para disa njerëzve duke shpresuar arritjen e disa dobive të caktuara dhe ikjen nga disa dëme po ashtu të caktuara.

Së dyti: S’kam mëdyshje se angazhimi për të sqaruar Teuhidin dhe çështjet e akides në mesele, të cilat i përmende është prej veprave më të rëndësishme. Teuhidi është çelësi i thirrjes së të dërguarve, alejhim selam, dhe detyrimi i parë i njerëzve, si dhe është kushti themelor për pranimin e veprave. Nëse ndodh ose ke ndonjë supozim të fuqishëm, se veprimi i disa veprave të mira, siç është lëvizja e gishtit në namaz për shembull, mund të çojë në ndonjë fitne apo të komprometojë personalitetin tënd dhe njerëzit kjo gjë t’i largojë prej teje apo t’i preokupojë nga ajo që është më e rëndësishme, atëherë nuk prish punë që t’i braktisësh ato vepra duke pasur parasysh rrethanat. Allahu e di qëllimin tënd dhe se ti nuk i braktis ato nga pakujdesia, porse për një dobi të fesë dhe në këtë rast me lejen e Allahut shpërblehesh.

Burimi; albislam.com

përktheu: Agim Bekiri