I dërguar llogaritet ai i cili obligohet të përcjell ndonjë mesazh. Për qëllim janë njerëzit të cilëve u është shpallur dhe janë urdhëruar për ta përcjellur atë.
I pari prej të dërguarve ishte Nuhi alejhi selam, kurse i fundit është Muhamedi, sal-Allahu alejhi ue selem.
Allahu,- xhele ue ala!,- ka thënë: “Na të kemi dërguar ty shpalljen, ashtu siç i kemi dërguar shpallje Nuhit, dhe pejgamberëve pas tij; e, Ne iu kemi dërguar shpallje edhe Ibrahimit, edhe Ismailit, edhe Is’hakut, edhe Jakubit, edhe Isait, edhe Ejjupit, edhe Junusit, edhe Harunit, edhe Sulejmanit. E, Davudit ia kemi dhënë (Librin) Zeburin.” (Nisa: 163).
Në sahihun e Buhariut nga Enes ibn Maliku,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- përcillet, në hadithin e ndërmjetësimit (shefatit), se Pejgamberi,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- përmendi se njerëzit shkojnë tek Ademi për t’i kërkuar atij të ndërjmetësojë për ta tek Allahu. Por Ademi alejhi selam nuk pranon dhe i thotë të shkojnë tek Nuhu alejhi selam, i dërguari i parë që ka dërguar Allahu.”
Allahu,- xhele ue ala!,- për Muhamedin,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- tha:
“Muhammedi nuk është babë i askujt prej njerëzve (meshkujve) tuaj, por është Pejgamber i Allahut dhe vula e pejgamberëve, e Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.” (Ahzab: 40).
Nuk ka pasur ndonjë popull, në të cilin Allahu nuk ka dërguar tek ata ndonjë pejgamberë të veçantë ose të dërguar i cili ka ripërtrirë atë që ka sjellë i dërguari para tij.
Allahu,- xhele ue ala!,- ka thënë:
“Na çdo populli i kemi dërguar nga një pejgamber. (Ata u thonin atyre): “Adhuronie Allahun, e shmanguni nga djalli!” Disa prej tyre, Allahu i shpuri në rrugë të drejtë, e disa prej tyre merituan të mbeten në humbje. Andaj, udhëtoni nëpër botë, e shihni se çfarë ka qenë dënimi për ata, të cilët pejgamberët e vet i konsideronin për gënjeshtarë!.” (Nahl: 36).
“E, nëse ata të konsiderojnë ty gënjeshtar, e madje edhe paraardhësit e këtyre i kanë përgënjeshtruar pejgamberët. Pejgamberët e tyre kanë ardhur me dokumente të qarta, fletushka, dhe Libër ndriçues.” (Fatir: 24).
“Na kemi dërguar Teuratin, në të cilin është udhëzimi dhe drita. Sipas tij –pejgamberët, të cilët ishin të bindur e të ndershëm ndaj Allahut i gjykonin hebrenjt, por edhe të diturit dhe juristët gjykonin sipas aaj që është ruajtur nga Libri i Allahut, e për të cilin ata dëshmonin (se është i vërtetë). Prandaj, mos druani nga njerëzit, por druani vetëm prej Meje! Dhe mos i ndërroni argumentet e Mia me ndonjë vlerë të vogël! E, ata që nuk gjykojnë sipas asaj që ka shpallur Allahu, ata janë mohues të vërtetë.” (Maide: 44).
Pejgamberët janë njerëz të krijuar. Pejgamberët nuk posedojnë cilësi hyjnore dhe nuk duhet të adhurohen ata.
Allahu,- xhele ue ala!,- në lidhje me të dërguarin e Tij, Muhamedin,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- i cili është më i miri prej të dërguarëve dhe më i afërti prej tyre tek Allahu:
“Thuaj: “Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi as dëm, përveç atë që don Allahu. E sikur t’i dija fshehtësitë, do t’i shumëzoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sihariques për njerëzit që besojnë”. (Araf: 188).
“Thuaj (o Muhammed!): “Unë nuk mundem t’jua largojë ndonjë dëm juve e as t’ua sjell ndonjë dobi (vetëm Allahu ka pushtet për këtë). Thuaj (o Muhammed!): “Me të vërtetë, mua askush nuk mund të më mbrojë nga dënimi i Allahut; as që mund të gjejë strehim tjetër kund, përveç te Ai.” (Xhin: 21-22).
Pejgamberët i godet çdo gjë që i godet njerëzit e tjerë, siç janë: Sëmundjet, vdekja, nevoja për ushqim, nevoja për të pirë, dhe çdo gjë tjetër që ka mundësi ta godasë njeriun.
Allahu,- xhele ue ala!,- thotë për Ibrahimin alejhi selam, kur ai përshkruan Zotin e tij:
“Dhe i cili më ushqen dhe furnizon me ujë, e kur të sëmuhem, Ai më shëron, dhe i cili do të bëjë që të vdes, e pastja do të më ringjallë.” (Shuara: 79-81).
Muhamedi,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Unë jam njeri si ju, harroj siç harroni ju, e nëse unë harroj, atëherë ma kujtoni.”
Allahu,- xhele ue ala!,- i ka cilësuar pejgamberët si robër të Tij, i ka ngritur në gradat më të larta si dhe i ka lavdëruar ata.
Për Nuhin alejhi selam, Allahu,- xhele ue ala!,- ka thënë:
“(O), pasardhësit e atyre që Ne i bartëm me Nuhun (në barkë)!” Ai (Nuhu) me të vërtetë, ka qenë rob mirënjohës (i Zotit).” (Isra: 3).
Kurse, për Muhamedin,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- thotë:
“I lartësuar është Ai, që i ka shpallur Kur’anin (i cili ndanë të vërtetën prej të pavërtetës) robit të Vet (Muhammedit), që të jetë paralajmërues për botërat (njerëzit).” (Furkan: 1).
Për Ibrahimin, Is-hakun dhe Jakubin alejhimu selam, thotë:
Dhe kujtoji robërit Tonë: “Ibrahimin, Is’hakun dhe Jakubin, të fortë (në besim) dhe largëpamës. Ne, atyre iu dhuruam një virtyt të veçantë, që ta kenë gjithmonë në mend botën e ardhshme. Njëmend, ata janë tek Ne njerëz të mirë e të zgjedhur.” (Sad: 45-47).
Për Isain alejhi selam, ka thënë:
“Ai (Isai), është vetëm rob (njeri), të cilin Ne e kemi dhuruar (me profetni), dhe e kemi bërë shembull për bijtë e Israelit.” (Zuhruf: 59).
Vazhdon..
Autor: Shejh Muhamed Ibn Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë
Nga arabishtja: Suad Burhan Shabani
Burimi: albislam.com