Pyetja: Burri im refuzon të kemi fëmijë. Jemi të martuar para dhjetë viteve dhe ai në fillim thoshte se fillimisht duhet të stabilizohemi ndërsa tani thotë: Ku mund ta dimë, ndoshta fëmijët mund të bëhen të këqij dhe të na sjellin kokëçarje edhe nëse do t’i edukonim mirë… si dhe shumë fjalë tjera të kota… a është ky argument që të merr të drejtën që unë të kem fëmijë? Në fillim të martesës i kam thënë se unë dua të bëhem nënë, të rri në shtëpi që t’i edukoj fëmijët dhe këtë gjë e dua dhe jam e përmalluar… unë nuk dua dhe as që e pëlqej të punoj jashtë shtëpisë, çfarë më këshilloni? Ju kujtoj se ai është burrë i mirë dhe unë e dua shumë, mirëpo assesi nuk po mundem t’ia ndërroj mendjen për këtë temë. Kam frikën që kjo dashuri në të ardhmen të shndërrohet në urrejtje, sepse ai po bëhet shkak të më ndalojë nga fëmijët dhe nga kënaqësia e mëmësisë… madje emocionet e mia kundrejt tij veçse kanë filluar të keqësohen. Nuk po mundem të besoj se sa lehtë ai i thotë ato fjalë… a më lejohet t’u iki metodave që ai i përdor për të më ndaluar nga shtatzënia?
Përgjigje:
Lavd-falënderimi i takon Allahut…
Së pari:
Lindja e fëmijëve është e drejtë e përbashkët e bashkëshortëve, asnjëri nuk guxon ta përvetësojë këtë të drejtë duke e privuar tjetrin. Nëse gruaja dëshiron fëmijë nuk guxon burri ta ndalojë nga kjo, prandaj dijetarët kanë sjellë vendim se nuk i lejohet burrit të derdhet jashtë mitrës pa lejen e saj. Muhamed ibën Uthejmini ka thënë: Ulematë thonë: Nuk guxon të derdhet jashtë mitrës pa lejen e saj sepse ajo ka të drejtë të ketë fëmijë, gjithashtu nëse derdhet jashtë mitrës shkakton pakësimin e kënaqësisë, sepse kënaqësia e gruas gjatë marrëdhënieve plotësohet me derdhjen e spermës, prandaj nëse nuk i kërkon leje për këtë shkakton humbjen e kënaqësisë së saj dhe humbjen e pasjes fëmijë. Për këtë, kushtëzojmë që derdhja jashtë mitrës të bëhet me lejen e saj. (Fetava Islamije 3/190).
Pra, burri yt duhet ta mësojë se kjo është e drejtë e përbashkët mes jush dhe nuk i lejohet atij të përdorë metoda që e pengojnë shtatzëninë pa lejen tënde.
Së dyti:
Vonimi i shtatzënisë nga frika e prishjes së fëmijëve dhe mospasjes mundësi për t’i dhënë një edukatë të mirë konsiderohet mendim i keq ndaj Allahut, sepse sheriati është ai që inkurajon për më shumë fëmijë. Besimtari duhet të ketë mendim të mirë për Allahun, se Ai do t’i jep fëmijë të hairit dhe do t’i udhëzojë. Sikur të gjithë njerëzit të kishin këtë frikë, do të pakësoheshin pasardhësit dhe do të ndodhte kundërshtim ndaj asaj që porositi Feja. Ebu Davudi (nr. 2050) shënon nga Makil ibën Jesari, radijallahu anhu, i cili përcjellë se një njeri kishte ardhur te Profeti, alejhi salatu ue selam, dhe kishte thënë: “Kam gjetur një grua fisnike dhe e bukur por sterile, a ta martoj? Jo – i tha Profeti. I erdhi përsëri, prapë e ndaloi. I erdhi për së treti, atëherë i tha: “Martohuni me gra të dashura dhe që lindin, sepse unë do të krenohem me numrin e madh tuajin para popujve tjerë”. (Albani e vlerësoi sahih, në Irvaul Galil nr. 1784).
Së treti:
Gruaja nuk detyrohet t’i bindet burrit të saj të përdorë diçka për ta penguar shtatzëninë sepse ashtu shkakton humbjen e të drejtës së saj. Ajo mund të shfrytëzojë hilen që të mbetet shtatzënë, që është një ndër synimet e martesës. Asaj i lejohet t’i refuzojë haptas ato metoda pengimi, e nëse ai këmbëngulë në qëndrimin e tij, kësaj i lejohet të kërkojë shkurorëzimin për të shpëtuar nga dëmtimi që po i bëhet.
Këshilla për burrin tënd: të mundohet të ketë fëmijë dhe t’i shtojë pasardhësit, ta mësojë se ajo është prej dhuntive të Allahut, të cilës nuk ia di vlerën përveç atij që nuk e ka atë mundësi dhe ta dijë pengimi i gruas nga lindja e fëmijëve është zullum dhe nëpërkëmbje e të drejtave të saj.
Për ju të dy, po sjell një këshillë të vlefshme nga dijetari Ibën Uthejmin rreth kësaj çështje. Atij iu bë kjo pyetje, një i ri i martuar që kishte tre fëmijë – elhamdulilah – shkurtimisht i tha: unë dhe shoqja kemi vendosur të mos bëjmë më shumë fëmijë në mënyrë që të kemi mundësi t’u japim fëmijëve tanë një edukatë të vërtetë islame, ç’thoni ju?
Ai dha këtë përgjigje: Ky veprim nuk është i saktë d.m.th. ndalimi i pasjes fëmijë, sepse është në kundërshtim me udhëzimin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem: “Martohuni me gra të dashura dhe që lindin, sepse unë do të krenohem me numrin e madh tuajin para pejgambereve në Ditën e Kiametit”, pastaj njeriu nuk mund ta dijë, ndoshta ata fëmijë i vdesin dhe ky mbetet pa asnjë pasardhës. Pra, arsyeja se këtë e bëjnë për të pasur forcë mbi edukimin e tyre e ndoshta edhe për t’i mbuluar shpenzimet e tyre janë arsye të dobëta, sepse në realitet hairi dhe përmirësimi janë në dorë të Allahut megjithëse edukimi është shkak, s’ka dyshim. Sa njerëz ka, që patën vetëm një fëmijë dhe nuk arritën t’i japin edukatën dhe sa njerëz ka, që patën nga dhjetë fëmijë dhe arritën t’i edukojnë dhe që Allahu ia udhëzoi ata. S’ka dyshim se ai që thotë se kur shtohen fëmijët nuk ke mundësi t’i edukosh, ai ka shprehur mendim të keq ndaj Allahut, madje ndoshta për këtë mendim do të ndëshkohet. Besimtari i vendosur i vepron shkaqet e ligjësuara dhe nga Allahu kërkon ndihmën dhe suksesin. Kur Allahu sheh tek ai synimin e pastër, do t’ia përmirësojë të gjithë punët. Këtij vëllai pra, i them: Mos, mos e pengo lindjen, mos e pengo lindjen, bëj sa më shumë fëmijë që mundesh, sepse furnizimi dhe udhëzimi i tyre është nga Allahu. Sa më shumë edukim që jep aq më shumë shpërblehesh. Nëse ke tre fëmijë dhe i edukon mirë do të shpërblehesh vetëm për ata tre, mirëpo sikur të kishe dhjetë do të shpërbleheshe për dhjetë. Pastaj, ku mund ta dish, ndoshta nga ata dhjetë Allahu do të bëjë dijetarë e muxhahida që do t’i bëjnë dobi Umetit dhe e gjithë ajo do të jetë rezultat i bamirësisë sate. Bëj sa më shumë fëmijë, Allahu ta shtoftë pasurinë dhe ta zgjeroftë riskun”. (Fetava Nurun ala Derb)
Allahu na dhëntë sukses neve dhe juve në atë që Ai dhe që është i kënaqur. Allahu e di më së miri.
Përktheu: Omer Berisha
Burimi: albislam.com