Po përmendim disa dobi të agjërimit të këtyre ditëve:
- a) me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit plotësohet shpërblimi sikur të ishte realizuar agjërimi pandërprerë të tërë vitin.
- b) agjërimi i Shevalit po edhe i Shabanit janë si sunetet e rregullta që janë para dhe pas namazeve farz. Ky agjërim i plotëson lëshimet dhe gabimet e mundshme, që bëhen gjatë kryerjes së farzit, sepse farzet do të kompensohen me nafile ditën e Kijametit. Shumica e njerëzve bëjnë gabime dhe lëshime gjatë agjërimit të detyrueshëm, prandaj kanë nevojë që gabimet e tyre t’i përmirësojnë me vepra vullnetare.
- c) rrekja për të agjëruar pas Ramazanit është sinjal për pranimin e agjërimit të Ramazanit, sepse kur Allahu pranon veprën e ndonjërit e drejton te një vepër tjetër e mirë. Disa dijetarë kanë thënë: shpërblimi i një të mire është e mira që bëhet pas. Kush bën një të mirë pastaj vijon me një të mirë tjetër, ky është një sinjal për pranimin e veprës së parë, ashtu siç sinjalizon vepra e keqe pas një të mire mospranimin e të mirës tek Allahu.
- d) Agjëruesve të Ramazanit shpërblimet e tyre u ndahen ditën e Bajramit. Ajo është ditë e shpërblimeve, prandaj rikthimi me agjërim në ditët e Shevalit konsiderohet si falënderim për këto begati. Begati më të madhe se sa falja e mëkateve nuk ka. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, falte namaz nate derisa i ënjteshin këmbët. Kur i thuhej: E bën këtë e Allahu t’i ka falur të gjitha gabimet e shkuara dhe ato të ardhme?!Ai përgjigjej: A të mos jem rob falënderues?! Allahu, subhanehu ue teala, robërit e tij i urdhëroi ta falënderojnë begatinë e agjërimit duke e përmendur Atë, Ai tha: “(Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni Allahun për atë se ju udhëzoi dhe që të falënderoni.”(Bekare – 185) Prej falënderimit për dhuntinë e agjërimit të Ramazanit është agjërimi i ditëve të Shevalit më pas. Disa muslimanë të gjeneratave të para kur falnin namaz nate të nesërmen gdhiheshin agjërues që me këtë të falënderojnë Allahun për dhuntinë e faljes së namazit të natës. Uehb b. Uirdi kur pyetej për shpërblimet e disa ibadeteve siç është Tavafi dhe të tjera thoshte: Mos pyetni për shpërblimet e këtyre veprave, por pyetni se si duhet të falënderojmë, kur na mundësohet nga Allahu ta bëjmë atë vepër të mirë.
Hafidh b. Rexheb
Përktheu: Agim BEKIRI