Vërtet falënderimet janë për Allahun. Atë falënderojmë, falje e ndihmë prej Tij kërkojmë dhe tek Ai pendohemi. Kërkojmë mbrojtje prej Allahut nga e keqja e veprave dhe vetëve tona. Atë që e udhëzon Allahu, askush nuk mund ta humbë dhe atë që Ai e humb, askush nuk mund ta udhëzojë përveç Tij.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij, i Cili është Një dhe pa rival dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, salavatet e Allahut qofshin për të, familjen dhe shokët e tij.
Më pas:
Kujtojmë se fjala jonë në këtë ligjëratë, nuk është e veçantë vetëm për atë vajzë që është në prag të martesës dhe dëshiron të njohë cilësitë e bashkëshortes në Islam, në mënyrë që të pajiset me to dhe të përgatisë veten e saj për realizimin dhe plotësimin e tyre te vetja.
Gjithashtu, nuk është e veçantë për atë grua të martuar, që dëshiron për veten e saj cilësitë e bashkeshortes së mirë dhe nuk është as e veçantë për atë grua, që përpiqet të kurojë mangësinë që mund të ketë në jetën bashkëshortore të saj, por kjo fjalë është më e gjerë se kaq. Ajo është një përkujtim për atë baba, i cili dëshiron për vajzat e tij apo për këdo që është nën kujdesin e tij, edukimin, jetën e mirë dhe hyrjen e tyre në jetën bashkëshortore, në përputhje me qëllimin e Allahut dhe qëllimin e të Dërguarit të Tij, sal-lallahu alejhi ue selam.
Këto janë fjalë ndihmëse për baballarët, në përkujtimin e vajzave të tyre sipas rregullave të Sheriatit dhe moralit të mirë, për atë nënë të kujdesshme në shtëpi, përgjegjëse dhe këshilluese e vajzave të saj, pasi shumë prej vajzave rriten dhe edukohen me morale dhe cilësi të përfituara nga nënat e tyre.
Gjithashtu, kjo është një këshillë për thirrësit që t’i kushtojnë rëndësi kësaj çështjeje, të përhapin ato morale dhe cilësi të larta, në mënyrë që ky të jetë morali i vajzave dhe grave në shoqërinë e imanit dhe vendet e muslimanëve, sidomos për periudhën në të cilën jetojmë, ku gruaja luftohet me një luftë dyshimesh dhe epshesh të pashembullta në historinë e saj të mëparshme, me anë të mjeteve dhe medieve të ndryshme, të cilat synojnë prishjen e virtytit, vlerës, moralit, bukurisë dhe imanit të gruas.
Gruas së mëparshme mund t’i arrinin këto ftesa shkatërruese, ndjellje dhe ide mashtruese, vetëm me vështirësi të madhe nëpërmjet shoqërisë së saj të keqe, ndërsa sot, në kohën që jetojmë, ajo bie në kontakt me ndyrësirat e kësaj bote, duke qenë edhe në shtëpinë e saj, me anë të televizionit, internetit apo revistave dhe gazetave degjeneruese. Në këtë mënyrë fillon të mbijë dhe të rritet në mendjen dhe zemrën e saj, e keqja.
Kjo grua ka nevojë që të jetë e devotshme, e dëlirë, e papërlyer dhe e bindur ndaj urdhrave të Allahut, në mënyrë që t’i mbyllë vetes së saj rrugët depërtuese të së keqes, që përpiqet t’i afrohet çdo çast. Kjo është një përgjegjësi e madhe për çdokënd që ka kujdestarinë ndaj tyre.
Vërtet kjo është një çështje që meriton rendësi dhe angazhim të madh. E them këtë fjalë, duke pasur parasysh se sa pak këshillohet femra e sotme me cilësitë e imanit, moralet dhe virtytet e larta, nën hijen e së cilave ajo duhet të rritet dhe edukohet, duke u shfaqur në shoqëritë tona figura e gruas që ka pak iman, turp dhe moral.
Këto janë disa fjalë rreth cilësive të bashkëshortes së mirë:
E lus Allahun e Madhëruar që është edhe Zoti i Arshit Madhështor, për mirësi dhe begati në këtë shkrim, ta bëjë çelës që hap të mirën dhe mbyll të keqen, udhëzues për zemrat, pastrues për shpirtrat, urë lidhëse me Zotin për të arritur kënaqësinë e Tij, duke u larguar nga çdo gjë që shkakton zemërimin e Tij.
Kur flasim për cilësitë e bashkëshortes së mirë dhe përmirësimin e moralit të saj, nuk duhet të mungojë nga mendjet tona një rregull i madh për këtë temë, që është njëkohësisht edhe baza apo themeli i saj, në arritjen e përmirësimit të figurës së bashkëshortes dhe ky rregull është se përmirësimi arrihet vetëm me anë të dy kushteve:
1- Suksesi, udhëzimi, ndihma dhe lehtësimi i dhënë nga Allahu, sepse Udhëzuesi dhe Dhënësi i suksesit është vetëm Allahu e të gjitha çështjet janë vetëm në dorë të Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai që e udhëzon Allahu, është i udhëzuar dhe për atë që Ai e humb nuk mund të gjesh përkrahës dhe as udhëzues.” {El-Kehf: 17} dhe: “Allahu fton në shtëpinë e paqes (Xhenet) dhe udhëzon atë që Ai do, në rrugën e drejtë.” {Junus: 25} Çka deshi Allahu, është (ekziston) dhe çka nuk dëshiroi, nuk mund të jetë. Nuk ka ndryshim të gjendjeve dhe as forcë përveçse me ndihmën e Allahut, të Lartit, Madhështorit.
2- Përpjekja e njeriut, duke ndjekur ato rrugë dhe mjete në arritjen e saj.
I Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selam, i bashkoi këto dy çështje në fjalën e tij: “Përpiqu për atë që të bën dobi dhe kërkoi ndihmë Allahut…” {Muslimi} Pra përpiqu për atë që të bën dobi, duke ndjekur dhe vepruar ato shkaqe dhe mjete, me anë të së cilave arrin përmirësimin, duke u konkretizuar edhe udhëzimi te ty.
„…dhe kërkoi ndihmë Allahut…”, pra, mbështetu tek Ai, duke e lutur për suksesin e duhur dhe përforcimin tënd në këtë çështje. Ky është një rregull i madh që përmbledh tërë mirësitë.
Rregulli tjetër që vlen ta përmendim, është se burimi i përmirësimit, origjina e njohjes së tij dhe udhëzimi me të, është Libri i Allahut dhe Suneti i Pejgamberit (sal-lallahu alejhi ue selam). Prandaj, është detyrë e domosdoshme për çdo dëshirues dhe thirrës për tek e mira, që të bazohet për realizimin e saj te Kurani dhe Suneti. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet ky Kuran udhëzon për tek ajo që është më e mira…”{El-isra’ë: 9} dhe i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) thotë: “Ju kam lënë diçka, që nëse kapeni pas saj, nuk do të humbni: Librin e Allahut dhe Sunetin tim.” {El-hakim, e saktësoi Albani}
Rregulli i tretë është devotshmëria ndaj Allahut, sepse me të arrihen vlerat e larta dhe plotësimet, ajo është burim i mirësive dhe lumturisë në të dy botët. Është obligim për çdo grua muslimane që të kuptojë se pajisja e saj me moralet e larta të Sheriatit, është një afrim tek Allahu, duke përfituar në këtë mënyrë kënaqësinë dhe shpërblimin e Tij. Në të njëjtën kohë, mangësia e saj në këtë çështje, i humbet pjesë të shpërblimit, në varësi të mangësisë.
Duke dashur të hyj në përmbajtjen e temës rreth cilësive të bashkëshortes së mirë, kujtoj se përmendja e këtyre cilësive do të jetë e përfituar nga drita e Kuranit dhe haditheve të sakta. Prandaj, çdo cilësi e përmendur, do të jetë e shoqëruar edhe me argumentin e saj.
Të parat që mund të përmendim, janë cilësitë e përmendura në suren En-Nisa’e {34}: “Të devotshmet, të bindurat dhe ruajtëset e së fshehtës, që i ka urdhëruar Allahu ta ruajnë…”. Kjo pjesë e këtij ajeti, përmblodhi çdo cilësi të mirë që duhet të ketë një bashkëshorte e moralshme.
Na tregon ky tekst kuranor, se bashkëshortja e mirë është ajo e cila ka përmbledhur dy cilësi:
1- Cilësi që ka lidhje me Zotin e saj.
2- Cilësi që ka lidhje me bashkëshortin e saj.
Për sa i përket së parës, është në fjalën e Allahut: “…të devotshmet, të bindurat…”, pra, ato që janë vazhdimisht të bindura ndaj urdhrave të Allahut, zbatuese të obligimeve të fesë dhe mosneglizhuese ndaj tyre.
“…ruajtëset e së fshehtës, që i ka urdhëruar Allahu ta ruajnë…”, pra, ruajtëse të së drejtave të bashkëshortëve, në prani apo mungesë të tyre. E ruan pasurinë e tij, i ruan sekretet e shtratit dhe i ruan të gjitha detyrimet dhe obligimet ndaj burrit të saj. Çdo e mirë që ajo e realizon, e realizon me ndihmën dhe suksesin nga Allahu, prandaj Allahu thotë: “…ruajtëset e së fshehtës, që Allahu i ka urdhëruar ta ruajnë…”, d.m.th. se realizimi i tyre nga ajo, nuk është thjesht prej aftësisë dhe zgjuarsisë së saj, por është nga suksesi prej Allahut. Ky fakt na rikthen tek ajo që përmendëm më parë, se ndihma, suksesi dhe udhëzimi, janë vetëm prej Allahut.
Fjala “të bindura” përmban edhe kuptimin e asaj gruaje që i përmbahet dispozitave obliguese fetare dhe ndër hadithet që tregojnë për këtë kuptim, është edhe hadithi i Pejgamberit (sal-lallahu alejhi ue selam), që e përcjell Ebu Hurejra, ku i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Ajo grua që fal pesë (farze) të saj, agjëroi muajin e saj, e ruajti organin gjinor të saj dhe iu bind bashkëshortit, do të hyjë në Xhenet nga cila derë të dëshirojë.” {Ibën Hibani, e saktësoi Albani}
Përcjell imam Ahmedi në Musned-in e tij nga Abdurrahman ibën Aufi, se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Ajo grua që fal pesë (farze) të saj, agjëroi muajin e saj, e ruajti organin gjenital të saj dhe iu bind bashkëshortit, i thuhet: “Hyr në Xhenet, nga cila derë e tij të dëshirosh.” Përgëzim me Xhenet, pra, për atë grua muslimane, nëse realizon këto katër punë që nuk e kalojnë numrin e gishtave të njërës dorë, duke iu thënë asaj në Ditën e Kiametit: “Hyr në Xhenet, nga cila derë e tij të dëshirosh.” A nuk është me interes për çdo grua të mirë, që të tregojë kujdes për këto cilësi dhe morale të mira, duke qenë zbatuese dhe praktikuese e rregullt e tyre: falja e namazit, agjërimi i Ramazanit, ruajtja e ndershmërisë dhe ruajtja e detyrimeve ndaj burrit të saj? E pas gjithë këtyre cilësive, vjen edhe premtimi i Allahut dhe shpërblimi i madh: ”Hyr në Xhenet nga cila derë e tij të dëshirosh.”
Origjina e përmirësimit të gruas, është korrektësia me Zotin e saj në devotshmëri. Kjo devotshmëri dhe bindje ndaj Zotit të saj, është çelësi i lumturisë, shpëtimit dhe suksesit për të në jetën e saj bashkëshortore dhe edukimin e mirë të fëmijëve. Prandaj është detyrë e domosdoshme për çdokënd, prind apo kujdestar, që nëse dëshiron të mirën për veten e tij dhe për ata që ka nën kujdesin e tij, të përpiqet që t’i edukojë ato me devotshmëri, përkushtim ndaj Zotit të tyre dhe me korrektesë ndaj dispozitave fetare, e veçanërisht faljes së pesë namazeve, agjërimit të Ramazanit dhe ruajtjes nga çdo vepër e ndaluar që ndikon në dëlirësinë dhe nderin e gruas, siç përmendet në hadith: “…dhe e ruajti organin gjinor të saj…”
Në mënyrë që gruaja të ruajë nderin dhe pastërtinë e saj shpirtërore, kërkohet patjetër nga vetë ajo dhe kujdestari i saj, mbyllja e të gjitha rrugëve të dëmshme për nderin dhe karakterin e saj. E nëse Allahu i Madhëruar i jep sukses në largimin nga haramet dhe një bashkëshort të mirë, atëherë është detyrë për të, frika ndaj Allahut që në fillimin e martesës së saj.
Vlen të përmendim në lidhje me këtë, edhe një çështje tjetër, e ajo është shpenzimi i tepërt në natën e dasmës dhe përgatitjen për të. Ky është një gabim i rëndë me pasoja të dëmshme. Preokupimi kryesor për disa gra në prag të martesës, është pamja e jashtme dhe konkurrenca me shoqet e saj, për sa i përket ceremonisë, gostisë së dasmës apo pajisjes së pajës, duke shpenzuar shuma të mëdha parash. Kjo është një martesë, e cila që në fillimet e saj është me harame që shkaktojnë pakësimin e bereqetit dhe të mirësisë, por nëse gruaja e mirë dhe familja e saj do t’i largoheshin shpenzimeve të tepërta dhe harameve, do të realizohej në këtë mënyrë bereqeti dhe mirësia në këtë martesë. Përcillet nga Ukbetu ibën Amiri se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Martesa më e mirë është martesa më e lehtë (e paktë në shpenzime).” {Sunen Ebi Davud, e saktësoi Albani}, e në një hadith tjetër që përcillet nga Aishja (radijallahu anha): “Gruaja më e begatë, është ajo me më pak shpenzime.” {Ahmedi dhe Nesaiu}
Pra, çështje kryesore për gruan, babanë dhe nënën e saj, duhet të jetë realizimi i një martese të lehtë, të thjeshtë dhe jo të jetë preokupimi i tyre kryesor ato cilësi të ulëta, sepse kjo është një çështje që ka ndikim direkt apo indirekt në jetën bashkëshortore. Nëse është një martesë pa shpërdorim të pasurisë, atëherë është shkak për begati dhe mirësi, por nëse është me shpenzime të mëdha dhe lloje të ndryshme të mëkateve, do të jetë shkak për largimin e bereqetit dhe të mirësisë.
Prej cilësive të bashkëshortes së mirë është edhe përpjekja e saj për ruajtjen nga shejtani – na ruajttë Allahu prej tij – e prej qëllimeve kryesore të shejtanit në këtë jetë, është shkatërrimi i fesë, moralit, jetesës, marrëdhënieve të mira midis njerëzve dhe çdo gjëje të mirë. Çdo ditë ai dërgon ushtrinë e tij, për përçarjen midis njerëzve. Le të meditojmë së bashku këtë hadith të përcjellë nga Xhabir ibën Abdilahi, ku i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Vërtet Iblisi e vendos Arshin e tij mbi ujë, pastaj dërgon çeta, e më i preferuari i tij, është ai që ka shkaktuar fitnen më të madhe. Vjen njëri prej tyre e thotë se veproi këtë e këtë. Iblisi i thotë atij: ‘Nuk ke vepruar asgjë.’ Vjen tjetri e thotë se nuk iu nda dy bashkëshortëve, derisa e ndau burrin me gruan e tij. Iblisi e afron këtë pranë vetes e i thotë: ‘Sa i mirë je ti!’.”{Muslimi} Gruaja e mirë dhe burri i mirë, kanë nevojë që ta kuptojnë mirë këtë temë (pra, përçarjen e shejtanit midis tyre), të jenë të kujdesshëm ndaj këtij realiteti dhe vigjilentë ndaj një armiku që i sheh dhe ata nuk e shohin, e që u lëviz në damarët e gjakut, duke u shkaktuar vesvese, dredhi e kurthe, derisa të realizojë armiqësinë ndërmjet tyre. Ky armik depërton në zemrat e tyre me vesvese. Në Sunetin e të Dërguarit të Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam), janë përmendur dhikrat për hyrjen dhe daljen nga shtëpia, para ushqimit, në momentet e zemërimit e në çdo gjendje e moment, në të cilin njeriu ka nevojë të mbrohet prej shejtanit, në mënyrë që të mos i bëhet ortak në familjen e shtëpinë e tij. Prandaj, le ta mbrojë veten me këto dhikër dhe lutje që janë përcjellë në Sunet, me leximin e Kuranit dhe me devotshmëri ndaj Allahut. Pra, prej cilësive të bashkëshortes së mirë është edhe kujdesi dhe vigjilenca ndaj shejtanit, intrigave, vesveseve dhe çdo gjëje që hedh ai në shpirtrat e njerëzve, duke shkatërruar familjen dhe jetën e çdokujt që i pason dhe ndjek ato. Sa prej shtëpive dhe familjeve janë ndarë dhe përçarë, pikërisht për shkak të vesveseve, kurtheve dhe intrigave të shejtanit? E nëse secili prej tyre do të mbrohej me Allahun, prej shejtanit dhe kurtheve të tij, nuk do të ndodhte ajo ndarje dhe përçarje. Gjithashtu, sa shtëpi janë shkatërruar për shkak të bindjes së tyre ndaj shejtanit të mallkuar, i cili më pas shkon tek Iblisi, për të qenë në pozitë të afërt me të, sepse ndau dy bashkëshortë midis tyre? Është për t’u theksuar se ky armik që na sheh e nuk e shohim, ka përvojë dhe aftësi të madhe për të realizuar të keqen. Nëse ne sot, duam të dimë përvojën dhe suksesin e një kompanie biznesi, e llogarisim atë me vitet e punës së saj: kur ajo është, për shembull, me një aktivitet pesëdhjetëvjeçar, atëherë është e suksesshme. Ndërkohë që përvoja e Iblisit në armiqësinë dhe përçarjen midis njerëzve, është me mijëra vjet.
Prandaj, çdo shtëpi muslimane është në nevojë të mbrojë veten e saj nga shejtani.
Prej cilësive të bashkëshortes së mirë, është që kur e vështron burri i saj, i jep kënaqësi atij, prandaj ajo gjithmonë duhet të përpiqet që të jetë e tillë: t’i japë kënaqësi atij me paraqitjen dhe veshjen e saj. Ajo duhet ta dojë një gjë të tillë dhe nga ana tjetër ta edukojë nefsin e saj me bindje dhe respekt ndaj tij, pa hezitim apo mendjemadhësi. Lexoje me vëmendje këtë hadith të të Dërguarit të Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) që e përcjell Ebu Hurejra: “E pyetën Pejgamberin (sal-lallahu alejhi ue selam) se cila është gruaja më e mirë dhe ai tha:‘Është ajo që të fal kënaqësi kur (bashkëshorti i saj) e vështron, i bindet atij kur e urdhëron, nuk e kundërshton dhe as nuk e shpenzon pasurinë e saj në diçka që ai nuk e pëlqen.” {Nesaiu, e saktësoi Albani}
Kjo është ajo cilësi e mirë për sa i përket paraqitjes, bukurisë dhe bindjes që duhet të tregojë çdo herë me bashkëshortin e saj. Përpjekja për realizimin e dëshirave dhe kënaqësive të tij, duhet ta preokupojë atë. Shumë prej grave – e kjo është për të ardhur keq – nuk e njohin zbukurimin dhe rregullimin e paraqitjes, përveç rasteve kur duhet të dalin nga shtëpia për ndonjë sebep martese apo feste. Ndërsa për sa i përket bashkëshortit të saj, e takon me veshje të rëndomtë, flokë të pakrehur, erë jo të mirë dhe sjellje të cilat i shkaktojnë atij neveri për të. Cila dëshirë mund ta pushtojë zemrën e një burri për një grua, kur pamja e saj me të në shtëpinë e tyre është e tillë dhe kur ajo del, zbukurohet e parfumohet me aromën më të mirë?! Kjo është tregues për injorancën dhe paaftësinë e saj në kontributin që duhet të japë për një jetë sa më të mirë bashkëshortore, si dhe për ngritjen e personalitetit dhe pozitës reale të saj. Kjo gjendje bëhet akoma edhe më e rëndë, nëse ajo, përkundër të gjitha këtyre mangësive të sipërpërmendura, u shton edhe maninë që mund të ketë në mosbindje ndaj burrit të saj, zemërimin që ia pasqyron atij me forma dhe sjellje nga më të ndryshmet, e deri tek ankesa dhe mosmirënjohja e mirësive që i ka falur ai gjatë gjithë jetës së tyre bashkëshortore, duke e shndërruar mjedisin midis tyre në mjedis pakënaqësie dhe intrigash. Një grua me një sjellje të tillë është keqbërëse me vetveten.
I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam), në një hadith që e përcjell Muslimi nga Xhabir ibën Abdullahi, ka thënë: “Nëse ndokush prej jush kthehet (nga ndonjë udhëtim) natën, të mos vijë rrugicave, duke e befasuar familjen e tij, derisa të pastrohet (me largimin e qimeve nga trupi i saj) e munguara dhe derisa të krihet e shprishura (në flokët e saj).” Ky hadith flet dhe është vetëm për gruan. Në këtë mënyrë duhet ta takojë gjithmonë bashkëshortja e mirë bashkëshortin e saj: e pastër, e zbukuruar, e qeshur, sidomos kur ai kthehet nga ndonjë udhëtim apo pas një mungese të gjatë. Realizimi i tyre kërkon prej saj që ta përgatisë vetveten dhe mjedisin e shtëpisë në mënyrën më të mirë. Përcillet nga nëna e besimtarëve Aishja (radijallahu anha), se ajo ka thënë: “U kthye i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) nga një udhëtim dhe vendosa perde me figura në shtëpi. Kur e pa i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam), e hoqi dhe tha: ‘Njerëzit me dënimin më të madh në Ditën e Kiametit, janë ata që duan të përngjajnë me krijimin e Allahut.’ Atëherë,- vazhdon ajo,- e qepa atë një apo dy jastëkë.” {Buhariu, Muslimi} E pse e veproi ajo këtë? Në mënyrë që i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) të shihte jo vetëm tek bashkëshortja e tij, por edhe në shtëpi, një mjedis sa më të bukur dhe të mirë. Dobia që përfitojmë nga ky hadith, është se prej bashkëshortes së mirë, kërkohet rregullimi i shtëpisë, si një shprehje mirëseardhjeje për bashkëshortin e saj të munguar. Gjithashtu, përcillet nga Enes ibën Malik (radijallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) ka thënë: “A doni t’ju lajmëroj për gratë tuaja në Xhenet (d.m.th. ajo grua që e përgatiti veten e saj për Xhenet, me anë të moraleve dhe cilësive të larta)?” Pastaj vazhdoi: “Ajo grua e dashur që lind shumë, kur zemërohet me të bashkëshorti dhe sillet keq ndaj saj ose kur ai zemërohet me të, ajo thotë: ‘Dora ime është me dorën tënde, nuk mund t’ia lejoj vetes që të mbyll sytë e qetë, derisa ti të jesh i kënaqur me mua.’” {Taberani, në Mu’xhem el-Eusat, e saktësoi Albani} E ka prej grave që nuk u bën fare përshtypje fakti që burri i saj është i zemëruar me të, por fle e qetë net të tëra, sikur kjo çështje nuk i intereson apo s’ka të bëjë fare me të dhe harron që një ditë do të takojë Allahun dhe Ai do ta gjykojë për të gjitha këto.
E prej cilësive të bashkëshortes së mirë, është edhe çka përcillet nga Ebu Udhejne es-Sadefiju, ku i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Gratë tuaja më të mira janë ato të dashurat (të përzemërtat) që lindin shumë, të bindurat, përkrahëset në qoftë se i frikësohen Allahut dhe gratë tuaja më të këqija janë ato të zhveshurat e mendjemëdhatë, ato janë hipokritet. Nuk hyn në Xhenet asnjë prej tyre, e shembulli i tyre është si korbi el-easam.” {Bejhakiju në Sunen el-kubra}
Vështro këto cilësi të gruas së mirë dhe të devotshme:
”të dashurat” – kjo me të vërtetë që është një cilësi shumë e mirë dhe bashkëshorti i saj është ai që e meriton më shumë këtë dashuri dhe përzemërsi, duke e shprehur me sjellje të mirë, fjalë të ëmbla, mirëkuptim në marrëdhëniet me të dhe paraqitje të hijshme. Pra, dashuria ndaj bashkëshortit shprehet me anë të fjalëve të ëmbla, paraqitjes, moralit të lartë me të dhe mirëkuptimit midis tyre.
“që lindin shumë” – kjo është një cilësi e çmuar te gruaja dhe e bën atë prej grave më të mira, por nëse gruaja është e sprovuar me lindje të paktë apo sterilitet, për shkak të ndonjë sëmundjeje, atëherë kjo është një mangësi që nuk e dëmton atë, sepse është jashtë mundësive dhe kompetencave të saj dhe Allahu i Madhëruar nuk e merr atë në përgjegjësi. Një mangësi e tillë nuk ndikon në moralin dhe karakterin e saj të mirë. Por nëse ajo vetë e pengon dhe nuk dëshiron që të lindë, atëherë kjo gjë e dëmton atë. Profeti (sal-lallahu alejhi ue selam) ka thënë:“Martohuni me ato të dashurat që lindin shumë, sepse unë do të jem më i shumtë me ju, ndër umetet e tjera në Ditën e Kijametit.” Ajo që kërkohet prej gruas, është që të marrë të gjitha ato shkaqe që e ndihmojnë atë të lindë shumë fëmijë, t’i edukojë dhe të kujdeset për ta me nijet, që në fillimin e martesës së saj, për t’i dhënë shoqërisë njerëz të devotshëm, këshillues dhe dijetarë. Me një nijet dhe përkujdesje të tillë, ajo arrin shpërblime të mëdha.
“të bindurat” – pra, ajo grua që nuk është kryeneçe dhe as e vrazhdë, por e bindur, e dëgjueshme pa bërë kryelartësi dhe mendjemadhësi
“përkrahëset” – është ajo grua që qëndron në krah të bashkëshortit si përkrahëse e tij në të mira, devotshmëri ndaj Allahut dhe në çdo gjë me të cilën arrijnë harmoninë dhe lumturinë midis tyre.
“në qoftë se i frikësohen Allahut” – pra, këto cilësi i bëjnë dobi asaj, në qoftë se i frikësohet Allahut dhe kërkon kënaqësinë e Tij, e nëse i ka këto cilësi, por qëllimi i saj me to është kjo botë, atëherë nuk i bëjnë dobi, derisa të kërkojë kënaqësinë dhe devotshmërinë ndaj Zotit të saj.
“e gratë tuaja më të këqija, janë ato të zhveshurat” – d.m.th., ajo grua që del e zbukuruar dhe e parfumuar, duke u shndërruar në mjet të shejtanit për shkatërrimin e shoqërisë. Një grua që del me një pamje të tillë, është ushtri e shejtanit dhe ai që e fton dhe e nxjerr nga shtëpia e saj, është shejtani, për të përhapur fitne dhe imoralitet ndërmjet atyre që besuan.
“mendjemëdhatë” – ndërmjet zhveshjes dhe mendjemadhësisë ka lidhje, sepse nëse gruaja del e zhveshur, e zbukuruar dhe e parfumuar, cila është ajo cilësi që e shoqëron atë në gjithë këtë? A doli ajo me cilësinë e gruas së thjeshtë, të ndrojtur dhe të përulur ndaj Allahut, apo doli me cilësinë e mendjemadhësisë, fudullëkut dhe pëlqimin e vetes në pamjen e saj? Gjithashtu, në anën tjetër ekziston një lidhje midis thjeshtësisë dhe turpit. Gruaja e ndrojtur e ka zemrën e saj të mbushur me turp, ndërsa gruaja e zhveshur, e cila e ka hedhur hixhabin e turpit dhe ka veshur në vend të tij hixhabin e mendjemadhësisë, pëlqimit të vetes, mashtrimit dhe çdo gjëje që i sjell dëm në jetën e saj individuale dhe bashkëshortore, u cilësua në hadith si “gratë më të këqija”.
“korbi el-easam” – është ai korb, i cili një pjesë të krahëve dhe këmbëve i ka të bardha dhe ky lloj korbi është aq i rrallë, sa ndoshta nuk mund ta shohësh kurrë, sepse korbi që shohim më së shumti, është i tëri i zi. Ky shembull tregon se sa pak nga këto gra do të hyjnë në Xhenet.
Gjithashtu, përcillet se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) ka thënë: “O ju gra! Jepni sadaka dhe shtojeni istigfarin, sepse unë pashë se ishit shumica e banorëve të Zjarrit.” {Buhariu, Muslimi} Pse kjo? Nëse vështrojmë në Sunet tek ato cilësi të këqija që e fusin vepruesin e tyre në Zjarr, do të shohim se shumë prej grave janë të shkujdesura ndaj tyre dhe aq mospërfillëse, sikur nuk do ta takojnë Allahun në Ditën e Kiametit, edhe pse ato i kanë dëgjuar këto hadithe dhe e njohën të mirën e të keqen, por preokupimi i tyre është i kufizuar në dëshirat që kanë.
Në hadithe të tjera të Pejgamberit (sal-lallahu alejhi ue selam) përmenden cilësi të tjera të dëmshme për gruan. Përcillet nga Ibën Umeri se: “E mallkoi Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue selam) atë grua që heq qimet nga fytyra e saj dhe atë që ia heq, atë që bën tatuazh dhe atë që ia bën.” {Buhariu, Muslimi}
Nga Ibën Abasi përcillet: “I mallkoi i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) ata burra që përngjajnë me gratë dhe i ka mallkuar ato gra që përngjajnë me burrat.” {Buhariu}
Edhe pse në disa hadithe janë përmendur këto cilësi të veçanta të ndaluara, prapë gjen prej grave që mallkojnë, duke mos menduar fare se për këto fjalë që thonë, do të pyeten një ditë nga Allahu i Madhëruar apo duke harruar se një ditë do të hyjnë në varr duke u mbuluar me dhe, ku do të mësojnë edhe gjendjen e tyre. Këto cilësi të ndaluara janë përcjellë në Sunet, në mënyrë që gruaja e mirë të distancohet dhe ruhet prej tyre, siç thotë dhe një poet:
E njoha të keqen, jo se e dua,
Por që të ruhem
Kush nuk e njeh të keqen e njerëzve,
Bie lehtë në të.
Prej cilësive të bashkëshortes dhe gruas së mirë, është edhe plotësimi i detyrimeve që ka ndaj bashkëshortit të saj, me përkujdesje në shërbimin ndaj tij. Meditoni pak në këtë hadith që e përcjell Husajn ibën Mihsani, nga halla e tij Esma, ku i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) i tha asaj: “A je e martuar?” Tha: “Po.” Tha (sal-lallahu alejhi ue selam): “Si është sjellja jote ndaj tij?” Tha: “I shërbej dhe i bindem atij, përveç atyre gjërave që nuk kam mundësi.” Tha: “Vështro mirë se cila është gjendja jote ndaj tij, sepse ai (bashkëshorti) është Xheneti dhe Zjarri yt.” {Nesaiu në Sunene el kubra, Ahmedi dhe e saktësoi Albani} Kur mund të jetë bashkëshorti për gruan e tij, Xheneti dhe Zjarri i saj? Këtu kërkohet prej bashkëshortes që ta kuptojë dhe njohë mirë realitetin e saj në detyrimet që ka ndaj tij. Vërtet kjo është një çështje e rëndësishme që ka obligime për bashkëshorten dhe pas së cilës qëndron Xheneti apo Zjarri i saj. Allahu është Ai që të urdhëroi për këto detyrime, prandaj veproi ato në formën dhe mënyrën më të mirë!
Prej cilësive të bashkëshortes së mirë, është që të mos jetë në shtëpinë e saj, shpërdoruese e pasurisë së bashkëshortit, por të jetë konstante. Allahu i Madhëruar thotë: “E ata, të cilët kur shpenzojnë nuk shpërdorojnë dhe as nuk tregohen koprracë, por janë të mesëm.” Gjithashtu, përcillet nga Xhabiri (radijallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) mbajti një hutbe të gjatë, përmendi në të çështjen e Dynjasë e të Ahiretit dhe tha se e para gjë që i shkatërroi Beni Israilët, ka qenë se gruaja e të varfrit i kërkonte atij veshje dhe zbukurime, siç i kërkonte gruaja e të pasurit bashkëshortit të saj. Gjithashtu, përmendi se te Beni Israilët ka qenë një grua e shkurtër, e cila vuri këmbë druri për t’u dukur e gjatë, mori një unazë të mbushur me misk dhe doli midis dy grave të gjata. Dërgoi njëri dikë t’i ndiqte ato dhe ai i njohu dy gratë e gjata, por nuk e njohu atë që mbante këmbë druri. {Ahmedi në El-musned, Ibn Huzejme, e saktësoi Albani} Pra, fillimisht, shkatërrimi i çifutëve erdhi si rrjedhojë e kërkesave shpërdoruese, pasi gruaja e të varfrit, i kërkonte bashkëshortit të saj rroba dhe stoli, siç i kërkonte gruaja e të pasurit bashkëshortit të saj.
Gjithashtu, vështro mirë veprimin shpërdorues dhe mashtrues të gruas së shkurtër, e cila ishte e pakënaqur me caktimin e Allahut për të. E ngjashme me veprimin e saj është edhe veshja e këpucëve me taka të larta, për të cilat unë po ju përcjell fetvanë e Komisionit të Përhershëm të Dijetarëve (lexhne-s):
Veshja e këpucëve me taka të larta nuk lejohet, sepse gruaja, gjatë ecjes me to, mund të rrëzohet dhe njeriu është urdhëruar për distancimin dhe ruajtjen nga rreziqet, në bazë të fjalës së Allahut: “…e mos shkatërroni vetët me duart tuaja.” {El Bekare: 195} dhe: “…e mos vrisni veten.” {En Nisa: 29} Gjithashtu, veshja e tyre e tregon gruan më të gjatë nga ç’është në vërtetë dhe kjo mënyrë zbukurimi është e ndaluar.
Prej cilësive të saj të mira, është edhe mosmohimi i mirësive, pra të mos mohojë ato mirësi që i dha asaj Allahu nëpërmjet bashkëshortit të saj, siç përcillet në hadith: “Nuk e falënderon Allahun, ai që nuk falënderon njerëzit.” {Ahmedi, Ebu Daudi, e saktësoi Albani} Gjithashtu, nga Esma bint Jezid el Ensarije, përcillet se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) i tha: “Mjerë për ju, nëse mohoni mirësinë e atyre që ua bëjnë atë.” Thashë: “O i Dërguari i Allahut, cili është mohimi i mirësive të tyre?” Tha: “Ndoshta ndonjërës prej jush mund t’i vonohet martesa nga prindërit e saj dhe pastaj e furnizon atë Allahu me bashkëshort dhe fëmijë, por kur ajo mërzitet shumë, e mohon dhe thotë: ‘Nuk kam parë kurrë mirësi prej teje.’” {Buhariu, e saktësoi Albani} Përcillet në Sunen-in e Nesaiut nga Abdullah ibën Amri (radijallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Allahu nuk vështron tek ajo grua që nuk falënderon bashkëshortin e saj, ndërkohë që ajo ka nevojë për të.” {e saktësoi Albani}
Prej cilësive të mira të saj, është edhe respekti ndaj bashkëshortit dhe njohja e pozitës, vlerës dhe e të drejtës së tij. Përcillet nga Ibën Abasi se i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk urdhëroj askënd që t’i bëjë sexhde dikujt, e nëse do të urdhëroja dikë t’i bënte sexhde dikujt, do të urdhëroja gruan t’i bënte sexhde burrit të saj.” {Taberaniu në Mu’xhem el-kebir, e saktësoi Albani}
Përcillet nga Zejd ibën Erkami, se Muadhi tha: “O i Dërguari i Allahut, a i ke parë ithtarët e librit se si u bëjnë sexhde kryetarëve dhe priftërinjve të tyre? A të të bëjmë edhe ne ty sexhde?” Tha: “Nëse do të urdhëroja dikë për (këtë) sexhde, do të urdhëroja gruan t’i bënte sexhde bashkëshortit të saj, dhe gruaja nuk do ta plotësojë detyrimin që ka ndaj tij, derisa nëse ai e dëshiron atë duke qenë mbi deve, ajo t’i bindet.” {Taberaniu në Mu’xhem el-kebir, e saktësoi Albani}
E nëse bashkëshorti është prej njerëzve të devotshëm, atëherë e drejta e tij tek bashkëshortja është edhe më e madhe. Përcillet nga Muadh ibën Xhebeli se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Kur gruaja e lëndon burrin e saj në Dynja, i thotë asaj gruaja e tij ndër hyrijet në Ahiret: ‘Mos e lëndo atë, të vraftë Allahu, sepse ai është tek ti për pak kohë dhe do të të lërë ty, për të ardhur te ne.’”{Tirmidhiu, Ibën Maxhe, e saktësoi Albani} Dijetarët thonë se në këtë hadith, ka një paralajmërim të fortë për gruan që lëndon burrin e saj.
Prej cilësive të saj përmendim se nëse Allahu i Madhëruar me mirësinë e Tij, i jep asaj fëmijë, është detyrë për të barazia dhe drejtësia ndërmjet fëmijëve të saj. Në hadithin që përcjell Nu’man ibën Beshiri, Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Mbani drejtësi ndërmjet fëmijëve tuaj, mbani drejtësi ndërmjet fëmijëve tuaj.” {Ebu Daudi, e saktësoi Albani}
Prej cilësive të saj të mira është edhe qëndrimi në shtëpi, duke mos qenë një grua që del vazhdimisht, dhe nëse del për ndonjë arsye, të mos jetë e zbuluar, por të jetë me vështrim të ulur, ruajtëse e nderit të saj. Përcjell Salim ibën Abdilah ibën Umeri nga babai i tij, se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Trupi i gruas është turp (pra pjese e ndaluar për t’u zbuluar), e kur ajo del, e bën atë shejtani vegël të tij dhe ajo është më afër me Allahun, kur qëndron në shtëpinë e saj.” {Taberaniu në El-eusat, e saktësoi Albani}
Prej cilësive të saj të mira është edhe ruajtja e sekreteve të bashkëshortit të saj dhe çdo çështjeje që ndodh vetëm midis tyre. Ky sekret duhet ruajtur edhe nëse midis tyre ndodh ndarja. Ata duhet t’i frikësohen të dy Allahut, për ta ruajtur fshehtësinë e të veçantave ndërmjet tyre. Përcillet nga Esma bint Jezidi se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) tha një herë, kur qenë të pranishëm me të disa burra dhe gra: “Ndoshta ndonjëri prej jush u tregon të tjerëve se çfarë bën me bashkëshorten e tij dhe ndoshta ndonjëra prej jush u tregon të tjerave se çfarë bën me bashkëshortin e saj.” Njerëzit heshtën, e unë (Esmaja) thashë: “Uallahi, o i Dërguari i Allahut, ato e bëjnë një gjë të tillë.” I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selam) tha: “Mos e bëni një gjë të tillë.”, e solli një shembull: “Kjo vepër është si shembulli i një shejtani që takon një shejtan tjetër në rrugë, e mbulon atë (bëjnë marrëdhënie) dhe njerëzit e tjerë i vështrojnë ata.” {Ahmedi, e saktësoi Albani} Shohim se Esmaja (radijallahu anha) e filloi me përmendjen e grave, para burrave, për faktin se një gjë e tillë ndodh më shpesh me to, në bisedat që zhvillojnë me shoqet e tyre, duke mos e konsideruar për gjë diçka të tillë e duke treguar çdo fshehtësi që veprojnë me bashkëshortët e tyre.
E kushdo që e ka këtë cilësi prej bashkëshortëve, shembulli i tij është si shembulli i këtij shejtani.
Këto janë disa cilësi të bashkëshortes së mirë, të cilat i mblodha nga Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Tij (sal-lallahu alejhi ue selam), me shpresën se do t’i bëjnë dobi kujtdo që Ai dëshiron prej robërve të Tij dhe vetëm Ai është Përkrahësi dhe Dhënësi i suksesit.
E lus Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, që të na udhëzojë të gjithëve në rrugën e drejtë, atë që dimë ta bëjë argument të mirë për ne dhe jo kundër nesh, të na japë begati në fjalët, veprat, kohët, bashkëshortet dhe pasardhësit tanë! E lus Allahun që ta përmirësojë imanin tonë, i cili është çështja më e rëndësishme, ta përmirësojë Dynjanë tonë, sepse në të është jetesa jonë, ta përmirësojë Ahiretin tonë, sepse në të është kthimi ynë, të na e zgjasë jetën në vepra të mira dhe të na e bëjë vdekjen pengesë nga çdo e keqe!
E lus Allahun që t’i përmirësojë gratë e muslimanëve dhe vajzat e tyre, t’i drejtojë ato në rrugën e drejtë dhe t’i ruajë nga çdo fitne e fshehtë dhe e hapur! E lus Allahun të na japë sukses për veprimin e çdo vepre që Ai e do! Vërtet Ai është Përgjigjësi i lutjeve, Merituesi i shpresës dhe Mbështetësi më i mirë.
Lutja jonë e fundit është: Falënderimi është për Allahun, Zotin e botëve, lavdërimi, mëshira dhe begatia e Tij qofshin për të Dërguarin e Tij, Muhamed ibën Abdullahun (salavatullahi ue selamuhu alejhi, ue ala ehlihi ue sahbihi exhmein).
Solli në shqip: Jusuf Gjevori