CILËT JANË ATA QË I PËRKASIN EHLU SUNNEH UEL XHEMAH E CILËT JO ?

CILËT JANË ATA QË I PËRKASIN EHLU SUNNEH UEL XHEMAH E CILËT JO ?

0 2379

Cilët janë ata që i përkasin Ehli Sunneh uel Xhemah dhe cilët jo

Shejhul-islam Ahmed Ibn Tejmije u pyet rreth hadithit të Profetit (salallahu alejhi ue selem) që thotë: “Do të përçahet umeti im në shtatëdhjetë e tre grupe.” Cilat janë këto grupe dhe çfarë besimi ka çdo njëri prej këtyre grupeve?

Ai u përgjigj: Elhamdulilah. Ky hadith është sahih (autentik) dhe mjaft i njohur nëpër librat e hadithit, siç janë Suneni i Ebu Daudit, Timidhiut, Ibn Maxhës etj. Teksti i tij është ky: “Çifutët u përçanë në shtatëdhjetë e një grupe, që të gjitha janë në zjarr përveç njërës. Të krishterët u përçanë në shtatëdhjetë e dy grupe, që të gjitha janë në zjarr përveç njërës. Ky umet do të përçahet në shtatëdhjetë e tre grupe, që të gjitha janë në zjarr përveç njërës.” Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet:“në shtatëdhjetë e tre fe (sekte)”. Në një nga transmetimet thuhet se sahabet i thanë: O i Dërguari i Allahut! Cili është grupi i shpëtuar? Ai tha: “Çdo kush që është me atë të cilën jam unë sot dhe sahabet e mi.” Në një transmetim tjetër thuhet se ai tha: “Ai është xhemati, dora e Allahut qëndron mbi xhematin.”

Për këtë arsye thuhet se pse grupi i shpëtuar është Ehli Sunneh uel Xhemah, që edhe janë pjesa më e madhe e (Umetit) dhe bashkësia më e shumtë. Ndërsa grupet e tjera janë ata të paktit e të veçuarit, ata që përçahen mes vetes, bidatçinjtë dhe ata që shkojnë mbas tekave dhe dëshirave të tyre. Asnjë prej këtyre grupeve nuk arrin t’i afrohet masës së grupit të shpëtuar, e jo më të barazohet me të. Madje mund të ketë prej këtyre grupeve të tilla që janë tepër të vogla në numër. Veçantia që i bashkon të gjitha këto grupe është: Largimi nga Kurani, Sunneti dhe Ixhmai. Cilido që vepron sipas Kuranit, Sunnetit dhe Ixhmait i përket grupit të Ehli Sunneh uel Xhemah. Përsa i përket përcaktimit se cilat janë këto grupe, njerëzit kanë shkruar shumë vepra rreth tyre dhe i kanë përmendur ato në librat ku flasin për sektet, por të thuhet prerazi se ky grup i cilësuar është një prej shtatëdhjetë e dy grupeve, patjetër që duhet argument për këtë gjë. Allahu e ka bërë haram në përgjithësi të folurit pa dije, po ashtu edhe e ka bërë në veçanti haram, të folurit pa dije ndaj çështjeve që i përkasin Atij. I lartësuari thotë: “Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.” (Araf:33) “O njerëz! Ushqehuni me të gjitha ato gjëra të lejuara e të mira që gjenden në Tokë dhe mos ndiqni gjurmët e djallit, sepse ai është njëmend armiku juaj i hapur. Ai ju nxit vetëm në të këqija, në vepra të turpshme dhe të flisni për Allahun gjëra që nuk i dini.”(Bekare:168-169) “Mos paso atë për çka nuk e di!”(Isra:36) Ajo që dua të them gjithashtu është edhe fakti se shumë prej njerëzve flasin për këto grupe me hamendje dhe sipas dëshirave të tyre. Grupin e tij dhe ata që e pasojnë këtë grup i konsideron si të vetmit ata që i përkasin Ehli Sunneh uel Xhemah, ndërsa grupet e tjera që nuk pajtojnë me të janë bidatçinj! Pa dyshim që kjo është një humbje e qartë. Pasuesit e së vërtetës dhe të Sunnetit nuk pasojnë tjetër kë veç të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), që nuk fliste nga mendja e tij, por vetëm me shpalljen që i zbriste. Vetëm Profeti (salallahu alejhi ue selem) është ai njeri që i duhet besuar për çdo gjë që informon dhe i duhet bindur për çdo gjë që urdhëron. Një pozitë e tillë nuk i takon asnjë imami, përveç Profetit (salallahu alejhi ue selem). Çdo njeriu i merret dhe i lihet fjala përveç të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem). Cilido që e konsideron një njeri tjetër përveç të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) se ai që e do atë dhe pajton me të është prej Ehli Sunneh uel Xhemah dhe ndërsa ata që nuk pajtojnë me të janë bidatçinj e u përkasin grupeve të humbura, -siç edhe ka njerëz të tillë ndërmjet pasuesve të imamëve të fesë-, pa dyshim që një njeri i tillë edhe vetë i përket bitaçinjve dhe grupeve të humbura. Nga kjo që u tha bëhet e qartë se njerëzit të cilët e meritojnë më tepër se kushdo tjetër që t’i përkasin grupit të shpëtuar; janë pasuesit e Hadithit dhe të Sunnetit, ata që nuk pasojnë asnjë njeri tjetër me fanatizëm përveç të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem). Ata janë njerëzit të cilët më mirë se kushdo tjetër njohin thëniet dhe veprimet e Profetit, ata që më tepër se kushdo tjetër bëjnë dallimin ndërmjet haditheve të vërteta dhe atyre jo të tilla. Imamët e këtyre njerëzve janë ata të që i kuptojnë më së miri hadithet dhe njohin kuptimet e tyre dhe i pasojnë ato, duke i besuar, punuar çka thuhet në to, duke i dashur dhe miqësuar me të gjithë ata që miqësohen me to dhe armiqësuar me të gjithë ata që armiqësohen me to. Ata i ballafaqojnë të gjitha besimet e thëniet me Kuranin dhe Sunnetin dhe nuk e konsiderojnë diçka prej bazave të fesë apo prej saj nëse ato nuk kanë ardhur me të vërtetë nga shpallja me të cilën u dërgua Profeti. Çdo gjë e cila i është shpallur Profetit në Kuran apo Sunnet përbën bazën të cilën e besojnë dhe mbështeten në të. Për sa i përket çështjeve të cilat njerëzit nuk kanë rënë dakord, siç janë emrat dhe cilësitë e Allahut, kaderi, kërcënimi me zjarr, urdhërimi për të mira dhe ndalimi nga e keqja e të tjera të ngjashme me këto, Ehli Sunneh i ballafaqon ato para Allahut (librit të Tij) dhe të dërguarit të Tij (haditheve të Profetit) dhe i komenton fjalët e paqarta për të cilat nuk kanë rënë dakord grupet e përçara, sipas Kuranit dhe Sunnetit. Nëse kuptimet që përmbajnë këto fjalë pajtojnë me Kuranin dhe Sunnetin i pranojnë ato e ndërsa ato që nuk pajtojnë i hedhin poshtë. Ehli Sunneh nuk shkojnë pas hamendjeve dhe çka u pëlqen atyre, sepse të shkosh pas hamendjeve është injorancë dhe të ndjekësh dëshirat pa pasur udhëzim prej Allahut është padrejtësi. E keqja në vetvete bashkon: injorancën dhe padrejtësinë, e Allahu i madhëruar thotë: “kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur (për pasojat e kësaj përgjegjësie). Si pasojë, Allahu do t’i dënojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, ndërsa do t’ua pranojë pendimin besimtarëve dhe besimtareve. Vërtetë Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Ahzab:72-73) Allahu këtu përmend faljen sepse Ai e di që çdo njeri patjetër do të ketë tek ai injorancë dhe padrejtësi, e më pas Allahu falë atë që do. Një njeriu besimtar vazhdimisht do t’i bëhet e qartë ajo e vërtetë për të cilën ai ishte injorant ashtu siç edhe do të largohet nga ato punë për të cilat kishte vepruar në mënyrë të padrejtë. Padrejtësia më e afërt që ai bën është ajo ndaj vetes së tij, siç thotë i Lartësuari: “Allahu është mbrojtës i atyre, të cilët besojnë dhe ata i nxjerr nga terri në dritë” (bekare:257) “Ai është i cili robit të vet i shpall argumente të qarta për t’iu nxjerrë juve nga terri në dritë.” (hadid:9) “Elif Lam Ra. Librin ta kemi shpallur që me lejen e Zotit të tyre t’i nxjerrësh njerëzit nga terri në dritë” (Ibrahim:1)

Një gjë që duhet të dihet është edhe fakti se njerëzit të cilët pasojnë grupet e ndryshme në besim, nuk janë në të njëjtën gradë. Ka prej tyre të atillë që kanë rënë në kundërshtim me Sunnetin në baza themelore të fesë, e ndërsa të tjerë në çështje mjaft të imta. Çdokush që iu është kundërvënë grupeve të tjera që janë shumë më larg Sunnetit sesa grupi i tij, ai për këtë është i lavdëruar për të vërtetën që ka thënë dhe për të pavërtetën që ka kundërshtuar, por ai e ka kaluar kufirin e drejtësisë gjatë kundërpërgjigjes së tij duke mohuar një pjesë të së vërtetës dhe duke pranuar një pjesë të së pavërtetës. Dhe kështu që ai i është kundërvënë një bidati të madh me një bidat më të vogël se i pari, të pavërtetës me një të pavërtetë më të pakët se e para. Në realitet kjo është gjendja e shumicës së teologëve kelamist që e identifikojnë veten si pasues të Ehli Sunneh uel Xhemah.Njerëz të tillë nëse të tilla bidate nuk i përdorin si arsye për tu ndarë nga xhemati i myslimanëve, e nuk miqësohen dhe armiqësohen me njerëzit për shkak të këtyre risive, atëherë të tilla risi konsiderohen si gabime, e Allahu i madhëruar ua falë të tilla gabime besimtarëve.Në të tilla pozicione kanë rënë mjaft nga Imamët dhe të parët e këtij umeti. Ata kanë thënie të cilat i kanë nxjerrë në bazë të ixhtihadit, ndërsa në realitet këto thënie bien në kundërshtim me atë çka thuhet në Kuran dhe në Sunnetin autentik. Këta njerëz dallojnë nga ata të cilët miqësohen me ata të cilët pajtojnë me ta dhe armiqësohen me ata të cilët nuk pajtojnë me ta, përçajnë xhematin e myslimanëve, dhe i nxjerrin prej fesë apo i bëjnë fasika (të prishur) ata me të cilët nuk pajtojnë me ta në mendime dhe ixhtihade e këtë nuk e bëjnë me ata që pajtojnë me ta, e lejojnë luftën ndaj atij me të cilin nuk pajtojnë dhe nuk e lejojnë ndaj atij me të cilin pajtojnë, pa dyshim që njerëz të tillë u përkasin ithtarëve të përçarjes dhe grupeve të humbura. (marrë nga mexhmua fetaua v.3 f.345-348)

Përktheu: J.Topulli

jtopulli.wordpress.com/…/cilet-jane-ata-qe-i-perkasin-ehli-sunneh-uel-xhemah-dhe-cilet-jo