Falënderimi i takon Allahut ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Pejgamberin, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Gjykimit.
Në shkrimin e kaluar e cekëm se i vdekuri mundet të përfiton edhe pas vdekjes së tij dhe për këtë dëshmojnë Allahu dhe i Dërguari i Tij. Veprat që mundet të përfiton i vdekuri janë të shumta dhe të llojllojshme dhe ato vijnë si rezultat i veprave të tij dhe gjurmëve të këtyre veprave që i ka punuar duke qenë i gjallë dhe poashtu mundet t’i vijnë edhe prej të tjerëve të cilët dëshirojnë t’i bëjnë mirë vëllait të tyre musliman.
Poashtu ka edhe vepra tjera për të cilat njerëzit mendojnë se të vdekurit munden të përfitojnë nga to po në fakt ato vepra bien në kundërshtim me parimet fetare dhe i vdekuri nuk përfiton asgjë nga to. Ato vepra janë të përhapura me të madhe në shoqëritë tona dhe nga to ai që përfiton nuk është i vdekuri po janë disa të gjallë të cilët tentojnë që nëpërmjet veprimit të këtyre veprave të arrijnë deri në fitimin e diçkaje nga të mirat materiale të kësaj dynjaje që padyshim se Allahu në to nuk do të zbret bereqetin e Tij.
Cilat janë veprat që të vdekurit nuk i bëjnë dobi pas vdekjes së tij?
– Mbjellja e luleve apo drunjve dhe fletëve të pallmave mbi varre.
Dijetari i njohur dhe myftiu i mëhershëm i Arabisë Saudite, Abdulaziz ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ligjësohet mbjellja e luleve apo pemëve dhe gjërave tjera mbi varre për arsye se këtë asnjëherë nuk e ka vepruar i Dërguari i Allahut,alejhi salatu ue selam, dhe halifët e drejtë”.
Kurse atë që e veproi i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, me dy të vdekurit që Allahu ia mundësoi t’i dëgjon dënimet e tyre në varr dhe mbi varret e tyre vëndoi fleta të pallmave me qëllim që Allahu t’ua lehtëson atyre dënimin, kjo është e veçantë për të. Nuk ka ardhur asnjë transmetim tjetër se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e ka vepruar të njëjtën më vonë me ndokënd tjetër dhe muslimanëve nuk u takon që të shpikin adhurime që nuk i ligjësoi Allahu i Madhëruar. Shiko: “Fetava Islamije” 2/52, dhe “Dispozitat e xhenazeve” f. 253. Shejh Albani.
– Thirrja e ezanit tek varri.
Dijetari Abdurrahman ibën Hasen, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Thirrja e ezanit tek varri është një risi që nuk pranohet në fenë e Allahut dhe që nuk e ka ligjësuar Allahu dhe që nuk e ka vepruar asnjëri nga ata që e meritojnë të ndjeket rruga e tyre”. Shiko: “Durer Sunije” 5/142.
– Të mëshuarit e fytyrës me shuplakë dhe grisja e rrobave.
I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Ai i cili rreh faqet e veta, që gris rrobat dhe që kërkon e ndjek rrugët e sjelljet e Xhahilijetit (padijes para Islame), një i tillë nuk është prej nesh”. (Buhariu).
Ebu Musa, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon se ai u sëmur rëndë, humbi ndjenjat dhe nuk mundi t’i përgjigjej as gruas së tij kur kishte vënë kokën në prehrin e saj. Kur erdhi në vete tha: “Unë jam larg dhe i lirë prej atyre që ishte larg dhe i lirë edhe i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam. Dhe vërtet se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, është i pafajshëm ndaj një gruaje që qan me zë e vajton (apo që rreh fytyrën), ndaj asaj që rruan kokën dhe ndaj asaj që shqyen rrobat (kur i bie fatkeqësi)”. (Buhariu).
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, tregon: “Kur Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, i erdhi lajmi për vrasjen e Ibën Harithas, Xhaferit dhe Ibën Revahas, ai, alejhi salatu ue selam, u ul dhe rrinte i dëshpëruar, ndërsa unë e vështroja nga e çara e derës. Erdhi një burrë dhe i tha se gratë e Xhaferit po qanin (ulërinin). Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, e urdhëroi atë që t’i ndalonte. Burri shkoi dhe u kthye duke thënë se ai u kishte thënë atyre të pushonin, por ato nuk e dëgjonin. Pejgamberi,alejhi salatu ue selam, tha: “Ndaloji ato!” Kështu, ai shkoi përsëri dhe prapë u kthye për herë të tretë dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Për Allah! Ata nuk na dëgjojnë më fare (nuk kemi fuqi mbi to për t’i ndaluar).” (Aishja) shtoi: “I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e urdhëroi që të shkonte dhe t’ua mbushte gojën atyre me dhe”. (Buhariu).
Në disa shoqëri ku jetojnë muslimanët ka gra të posaçme të cilat shkojnë edhe i vajtojnë të vdekurit me të holla dhe kështu i nxisin edhe anëtarët e tjerë të familjes që ta vajtojnë të vdekurin duke menduar se me këtë i bëjnë mirë e në fakt vetëm se i bëjnë dëm dhe i vdekuri nuk përfiton asgjë prej kësaj vepreje.
Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Ai i vdekur për të cilin vajtohet, ai ndëshkohet për këtë të vajtuar për të”. (Buhariu).
Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Vajtuesja nëse nuk pendohet para vdekjes, në Ditën e Gjykimit do të ketë rroba prej katranit dhe këmishë prej xherebit (sëmundje e cila e kap trupin dhe e lë me pasoja)”. (Muslimi).
Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Prej udhëzimit të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ka qenë qetësia gjatë sprovave dhe fatkeqësive dhe kënaqësia me caktimin e Allahut, falënderimi i Allahu dhe thënia IN’NA LIL-LAHI UE IN’NA ILEJHI RAXHIUN (Ne jemi të Allahut dhe tek Allahu është kthimi i jonë). Ai, alejhi salatu ue selam, është distancuar nga ajo që i gris rrobat e saja kur e godet fatkeqësia, apo e ngrit zërin duke bërtitur, apo e rruan kokën”. Shiko: “Zadul Mead” 1/527.
– Thënia e “tallkënit” dhe leximi i Kuranit tek varri.
“Tallkën” rrjedh nga fjala arabe Et Telkin që do të thotë rikujtimi i dy dëshmive të vdekurit pasi që të varroset dhe poashtu rikujtimi i tij për përgjigjet që duhet t’i përgjigjet i vdekuri melekëve kur të vijnë dhe ta pyesin se: Kush është Zoti yt, kush është i Dërguari yt dhe cila është Feja jote. Shiko: “Durer Sunije” 5/86 dhe “Reudal Murbi” 3/123.
Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Prej udhëzimit të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, nuk ka qenë ulja tek varri i të vdekurit për të lexuar Kuran, dhe asnjëherë nuk ia ka lexuar “tallkënin” të vdekurit ashtu siç veprojnë njerëzit sot kurse hadithi të cilin e përcjell imam Taberaniu, Allahu e mëshiroftë, nga Ebu Umameh, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, është i dobët dhe nuk merret si argument. Poashtu prej udhëzimit të tij, alejhi salatu ue selam, nuk ka qenë që të mblidhen dhe të han ushqim dhe t’i lexohet nga Kurani të vdekurit, as te varri i të vdekurit e as më vonë, dhe kjo e tëra është prej risive që nuk ka zbritur Allahu ligje për to”. Shiko: “Zadul Mead” 1/523-527.
– Leximi i Fatihas dhe Suretul Ihlas dhe sureve tjera tek varri.
Leximi i Fatihas për të vdekurit dhe Jasinit tek varret dhe leximi i Kul Huve Allahu Ehad njëmbëdhjetë herë është prej risive në fe për të cilat Allahu nuk ka zbritur asnjë ligj. Shiko: “Dispozitat e xhenazes” f. 325. Shejh Albani.
Dijetari Muhamed Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Për leximin e Fatihas për të vdekurit nuk di se ka argument prej Synetit dhe për këtë arsye ajo nuk i lexohet. Baza në adhurime është ndalesa derisa të vijë argumenti që e konfirmon të kundërtën dhe se ajo është prej ligjeve të Allahut të Madhëruar”. Shiko: “Fetava Islamije” 2/52.
– Lënia e Mus’hafit tek varrezat për t’iu lexuar të vdekurit.
Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Lënia e Mus’hafit tek varrezat me qëllim leximi për të vdekurit tek varret është një risi në fe të cilën nuk e kanë vepruar asnjë prej të parëve tanë”. Shiko: “Mexhmua el Fetava” 24/301.
– Lënia e vakëfit për lexim të Kuranit, faljen e namazeve vullnetare, bërjen e dhikrit me qëllim që shpërblimet t’i shkojnë të vdekurit.
Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Prej risive në fe është lënia e vakëfit e sidomos të hollave nga ana e të vdekurit për të lexuar Kuran apo për të falur namaze vullnetare apo për të bërë dhikër apo për t’i dërguar salavate të Dërguarit të Allahut,alejhi salatu ue selam, dhe për t’ia dhuruar shpërblimet shpirtit të atij që e ka lënë vakëfin apo shpirtit të atij që e viziton të vdekurin tek varrezat”. Shiko: “Dispozitat e xhenazeve”. F. 321. Shejh Albani.
– Bërja e hatmeve për të vdekurit dhe mbledhja e njerëzve në një vend për të lexuar Kuran për të vdekurit.
Bërja e hatmeve, vepër e cila është e shpërndarë shumë nëpër shoqëritë tona është një vepër nga e cila nuk përfiton i vdekuri po përfiton vetëm se ai që e lexon edhe atë jo në shpërblime po në të holla.
Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Marrja e njerëzve me qira për të lexuar Kuran dhe për t’ia dhuruar të vdekurit shpërblimet nuk është prej ligjeve të Allahut dhe si vepër nuk e ka pëlqyer asnjë prej ulemave. Nëse i jep sadaka për të vdekurin lexuesit të Kuranit kjo pranohet dhe i bën dobi të vdekurit për arsye se kjo është lëmoshë dhe të gjithë muslimanët janë unik se lëmosha i shkon të vdekurit”. Shiko: “Mexhmua el Fetava” 24/300- 316.
Dijetari Muhamed Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Tubimi i njerëzve nëpër shtëpi për t’i lexuar Kuran të vdekurit nuk ka bazë në fe dhe nuk e ka vepruar asnjëri prej të parëve tanë Allahu qoftë i kënaqur nga ata. Tubimi tek familja e të vdekurit dhe leximi i Kuranit dhe ushqimi i të pranishmëve dhe të ngjashmet me të, kjo e tëra është prej risive në fe për të cilat Allahu nuk ka zbritur ligje”. Shiko: “Fetava Islamije” 2/54.
– Leximi i Jasinit për të vdekurit.
Kjo vepër është një ndër më të kërkuarat në mesin e njerëzve të cilët dëshirojnë t’i bëjnë dobi të afërmeve të tyre që kanë ndërruar jetë mirëpo edhe kjo është nga ato vepra që përfiton vetëm se i gjalli edhe atë materialisht e jo i vdekuri.
Dijetarët janë unik në atë se leximi i sures Jasin për të vdekurin është vepër e cila nuk i shkon të vdekurit. Ekziston mospajtim mes tyre se a lejohet të lexohet pran atij që është në prag dhe moment të vdekjes apo jo? Shumica e dijetarëve e ndër ta Hanefitë, Shafitë dhe Hanbelitë e pëlqejnë leximin e sures Jasin pran atij që është në momentin e vdekjes dhe argumenti i tyre është hadithi të cilin e shënon Ebu Davudi dhe imam Ahmedi nga hadithi i ibën Jesarit, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, i cili thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Lexojani të vdekurve kaptinën Jasin”.
Ky hadith është i dobët dhe imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “El Edhkar” dhe ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “Et Telhis”. Poashtu e përcjell ibën el Arabi nga Darukutnij, Allahu i mëshiroftë, se hadithi është i dobët.
Imam Ahmedi e shënon një gjurmë nga disa prej selefit ku ceket se ia lexuan njërit i cili ishte në momentin e vdekjes Jasinin dhe e cekën e se nëse i lexohet kjo sure i lehtësohet gjendja.
Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “El Isabeh” e cek se zinxhiri i kësaj gjurmoje është i mirë. Shiko: “El Mexhmua” 5/105, “Sherh Munteha el Iradat” 1/341 dhe “Hashijetu ibën Abidin” 2/191.
Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, është i të njëjtit mendim se pëlqehet të lexohet Jasini pran atij që është në momentin e vdekjes dhe thotë:”Leximi i Kuranit për të vdekurit është risi në fe krahas leximit i cili bëhet pran atij që është në momentin e vdekjes, dhe leximi i Jasinit në këtë rast pëlqehet”. Shiko: “El Ihtijarat” f. 91.
Sipas tyre shkaku i pëlqimit të kësaj sureje është se kjo sure në vete përmban teuhid dhe përgëzim me xhenet për atë që vdes me teuhid të pastër, pastaj rikujtimin e ahiret e kështu me radhë dhe kjo e bën që shpirti të përgëzohet dhe me atë t’i lehtësohet dalja nga trupi i njeriut. Shiko: “Metalib Uli Nuha”.1/837.
Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, është i mendimit se urrehet leximi i Jasinit apo diçka nga Kurani pran atij që është në momentin e vdekjes për arsye hadithi është i dobët dhe kjo vepër nuk njihet tek njerëzit. Shiko: “Fevakih Devani”. 1/284, dhe “Sherh Muhtesar Halil” 2/137.
Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Leximi i Jasinit pran atij që është në momentin e vdekjes dhe kthimi i tij kah Kibleja nuk lejohet për arsye se hadithi është i dobët”. Shiko: “Dispozitat e xhenazeve”. Shejh Albani
Është pyetur dijetari dhe myftiu i mëhershëm i Arabisë Saudite Abdulaziz ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, se a lejohet që të lexohet surja Jasin pran atij që është në momentin e vdekjes dhe është përgjigjur: “Leximin e Jasinit pran atij që është në prag të vdekjes disa nga dijetarët e kanë pëlqyer duke u bazuar në hadithin e ibën Jesarit i cili e transmeton nga Ebu Othman Nehdij dhe disa nga dijetarët hadithin e konsiderojnë se është i dobët dhe e cekin se transmetuesi i hadithit nuk është Ebu Othman Nehdij po Ebu Othman njeri tjetër i cili nuk njihet dhe hadithi nuk mundet të pranohet si i vërtetë dhe për këtë arsye nuk preferohet leximi i tij. Ata që e pëlqyen leximin e Jasinit pran atij që është në momentin e vdekjes menduan se hadithi është i mirë dhe e morën si argument, mirëpo leximi i Kuranit atij që është i sëmurë është çështje e mirë dhe ndoshta Allahu i bën dobi kurse veçimi i Jasinit nuk mundet të merret si bazë për arsye se ky hadith është i dobët”. Shiko: “Fetava ibën Baz”. 13/93.
Është pyetur dijetari i nderuar Ibën Uthejmini se a është sipas Sunetit këndimi kaptinës Jasin pranë të sëmurit për vdekje apo jo dhe është përgjigjur:”Këndimi i kaptinës Jasin pran muslimanit afër vdekjes është Sunet tek shumë dijetarë. Janë bazuar në hadithin e Pejgamberit: “Lexojani kaptinën Jasin të vdekurve”. Por këtë hadith disa dijetar e kanë bërë të dobët. Pra, ata që e shohin këtë hadith si të vërtetë leximi i kësaj kaptine pran të sëmurit për vdekje është Sunet. Ndërsa ata që e shohin hadithin e dobët një gjë e tillë nuk është Sunet”. Shiko: “Fetava ibën Uthejmin”. 17/72.
Prej këtyre argumenteve shihet qartë se dijetarët janë unik në atë se leximi i Kuranit në përgjithësi dhe leximi i Jasinit në veçanti për të vdekurin është risi në fe për të cilën Allahu nuk ka zbritur ligj dhe se mospajtimi mes tyre është se lejohet që të këndohet pran atij që është në momentin e vdekjes me qëllim që t’ia lehtëson dhembjet në ato momente dhe t’ia lehtëson daljen e shpirtit me rikujtimin e ahiret dhe xhenetit të Allahut.
– Ngritja e varrezave, meremetimi i tyre, shënimi i fjalëve miradije për ta etj.
Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ceket se i kishte porositur Aliun, Allahu qoftë i kënaqur nga ai: “Të mos lësh statuja pa prishur dhe varr të ngritur pa rrafshuar“. (Muslimi)
Në një transmetim tjetër thuhet: “As statuja, buste pa i prishur mos lë“.
Varr i ngritur është ai i cili dallohet prej varreve të tjera. Ai duhet të rrafshohet, të barazohet me të tjerët që të mos mendohet se banori i këtij varri ka ndonjë cilësi të veçantë qoftë kjo pas një farë kohe.
Transmetohet nga i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, në hadithe të vërteta se ai ka ndaluar të suvatohen varret me llaç gëlqereje, të ulet mbi to, të ndërtohet mbi to, apo të shkruhet në to, e gjithë kjo ngase suvatimi i tyre dhe të ndërtuarit mbi to është metodë që shpien në madhërimin e të varrosurve dhe adhurimin e tyre.
Pra shihet se prej udhëzimit të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, nuk ka qenë meremetimi i varreve, ngritja e tyre, ndërtimi i tyre, shënimi fjalëve miradije mbi ta siç e veprojnë sot shumë nga muslimanët dhe kjo e tëra është risi e cila nuk pranohet në fenë e Allahut. Kush mendon ndryshe le të sjell argumentet që dëshmojnë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i ka vepruar këto risi të cilët i veprojnë muslimanët sot nëpër varreza derisa ka arritur çështja që njerëzit të mendojnë se varret janë pronë private e jo pronë e muslimanëve dhe se ata munden të bëjnë me to çka të dojnë. Nëse vazhdohet që çdo varr i muslimanit të meremetohet dhe mos të ketë hapësirë që pas një kohe të varroset në të njëjtin varr musliman tjetër atëherë do të detyrohemi që në çdo skaj të qyteteve të ndërtojmë varreza apo ndoshta edhe qytete të tëra t’i shëndrrojnë në varreza, Allahu na ruajt.
Qëllimi i shkrimit në varre është qëllimi shënimit të fjalëve miradije që i bënin në kohën e injorancës pra para Islamit dhe që e njëjta sot veprohet nga disa musliman dhe dijetarët e cekin se kjo nuk lejohet kurse shënimi i emrit dhe mbiemrit të vdekurit apo vizatimi i ndonjë shenje me qëllim që të dallohet varri kjo lejohet.
– Përkujtimi i të vdekurit në ditën e shtatë apo ditën e dyzet.
Baza është se kjo është traditë e Faraonëve para ardhjes së Islamit e cila më vonë u përhap tek muslimanët dhe kjo është një vepër e keqe dhe risi në fe e cila nuk pranohet në fenë e Allahut dhe nuk ka asnjë bazë as nga Kurani e as nga Syneti e as nga të parët tanë se duhet të bëhet ndonjë manifestim për të vdekurin qoftë ajo menjëherë pas vdekjes së tij apo ditën e shtatë apo të dyzetën apo pas një viti. Kjo është e tëra risi dhe traditë e keqe tek Egjiptasit e vjetër. Shiko: “Dispozitat e xhenazes”. Shejh Albani dhe “Fetava Islamije”. 2/56.
– Veçimi i vizitës së varrezave natën dhe ditën e Bajramit.
Është bërë traditë që muslimanët ditën e Bajramit apo natën e Bajramit t’i vizitojnë varrezat dhe të bëjnë Bajram me të vdekurit. Ka prej ta tyre që i japin përparësi të vdekurve para të gjallëve dhe i sheh se menjëherë pasi që e falin namazin e Bajramit nisen për tek varrezat dhe i harrojnë të gjallit. Kjo padyshim se bie në kundërshtim me fenë dhe logjikën e shëndoshë. Të vdekurit nuk dëgjojnë dhe atyre nuk u intereson Bajrami, ata e jetojnë jetën e tyre në varr, ka prej tyre që ndoshta dënohen a muslimanët e shkretë shkojnë dhe ia urojnë festën e Bajramit!. Vizita e varrezave është e lejuar madje i Dërguari i Allahut,alejhi salatu ue selam, ka nxitur që ato të vizitohen për arsye se ta mundëson që të lutesh për muslimanë dhe ta rikujton ahiret mirëpo vizitën nuk e ka veçuar me ndonjë ditë po thjesht muslimani mundet t’i viziton për çdo ditë.
Dijetari Muhamed Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dalja natën e Bajramit me qëllim vizite të varrezave është risi në fe për arsye se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, nuk ceket se e ka vepruar këtë vepër dhe se e ka caktuar ndonjë ditë të posaçme për të vizituar varrezat e sidomos ditën e Bajramit. Përcillet se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Ruajuni nga risitë në fe, çdo risi në fe është bidat dhe çdo bidat është devijim dhe çdo devijim të çon në zjarr”.
– Këndimi i Mevludit dhe Qelimeve.
Këto dy vepra janë të shpërndara me të madhe në trevat tona dhe njerëzit mendojnë se janë adhurime të caktuar nga ana e Allahut po në fakt qëndron e kundërta. Këto forma të adhurimeve nuk kanë qenë të njohura as në kohën e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, as në kohën tri gjeneratave të arta (sahabët, tabi’inët dhe gjenerata që erdhi pas tyre), por ajo është risi që filloi të praktikohet te muslimanët disa qindra vite pas përfundimit të shpalljes.
Në fund të shekullit të katërt hixhrij, në Egjipt u formua shteti Fatimij i Shijave armiqve më të mëdhenj të Allahut dhe u shfaq për herë të parë në historinë e muslimanëve festimi i lindjes së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam. Këtë e thotë el Makrizij kur përmend ditët e kalifëve Fatimij, të cilët e festonin ditën e mevludit dhe e bënin festë. Prej mevludëve më kryesorë ishin gjashtë: mevludi i Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, i Aliut, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, i Hasenit, Husejnit dhe i Fatimes, Allahu qoftë i kënaqur nga gjithë ata, si dhe i kalifit që ishte prezent.
Me këtë u vërtetua edhe fjala e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, i cili ua tërhoqi vërejtjen muslimanëve që mos t’i pasojnë jobesimtarët në traditat dhe festat e tyre dhe një prej tyre është edhe mevludi për arsye se më herët krishterët e morën si festë të përvitshme lindjen e Isait, alejhi selam. Ata e bënë atë festë madhështore duke vepruar në të gjëra të shëmtuara, harame të ndryshme, si pirja e alkoolit, nën justifikimin ditë gëzimi dhe lumturie.
Pra, kjo është origjina ku e mbështesin festimin e datëlindjes së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, dhe për këtë imam es Sehavij thotë: “Kur kryqtarët lindjen e Pejgamberit të tyre e bënë festën më të madhe, pasuesit e Islamit kanë më përparësi në respektim”.
Kjo gjë vërtetohet edhe nga fjala e të Dërguarit, alejhi salatu ue selam, që thotë: “Do t’i pasoni ata që kanë qenë para jush pëllëmbë për pëllëmbë dhe bërryl për bërryl. Edhe sikur të hynë në vrimën e hardhucës, edhe aty do t’i pasoni“. Pra, kjo është origjina e mevludit.
Kurse sa i takon “Qelimeve”, kjo fjalë rrjedh nga gjuha arabe “el Kelime” që do të thotë fjalë dhe tek ne për qëllim e kanë thënien e fjalës së shehadetit disa mijë herë me shpresë se kjo fjalë do t’i bën dobi të vdekurit. Të parët që e kanë shpikur këtë vepër janë Shijat dhe ceket se njëri nga ata e kishte pa një ëndërr ku i vdekuri i kishte pas thënë të thotë për të disa mije herë shehadetin dhe ai do të hyn në xhenet.
Këto të gjitha janë pallavra të shejtanëve Shija ku tentuan dhe tentojnë ta shkatërrojnë fenë e pastër të Allahut dhe njeriu i mençur dhe i logjikshëm nuk bie në këtë kurth të shejtanit, mirëpo ajo çka më shumti çudit është qëndrimi i hoxhallarëve tanë që tentojnë ta argumentojnë me argumente të ndryshme këtë risi në fe edhe pse vet e dinë se i vdekuri prej saj nuk ka asnjë dobi po thjesht nuk dëshirojnë t’i humbin bizneset e tyre dhe t’i mbushin xhepat e tyre madje disa Shija filluan të ankohen se hoxhallarët e tanë nuk u lanë për biznes asgjë ua morën bukën me përhapjen e kësaj vepre në mesin tonë dhe të gjithë ata që e kundërshtojnë këtë risi në fe konsiderohen si ekstremistë dhe me fe tjetër. Ata e harrojnë faktin se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, këtë vepër nuk e ka vepruar dhe nuk ka nxitur dhe poashtu shokët e tij me të cilët Allahu ka qenë i kënaqur me ta dhe ata kanë qenë të kënaqur me Allahun nuk e kanë vepruar e në mesin e tyre edhe Ebu Hanifja.
Pra, ata harrojnë se atë pasuri që e marrin është pasuri e fituar me haram dhe se ky haram ua mbush barqet e tyre me zjarr dhe barqet e familjeve të tyre i mbushin me zjarr dhe Allahu për këtë arsye edhe i nënçmon para masës ku jetojnë dhe veprojnë.
Kjo ishte ajo e tëra që pata mundësi me lejen e Allahut ta përmbledhi rreth temës takon se çka i bën dobi dhe çka nuk i bën dobi të vdekurit dhe e lus Allahun e Madhëruar që këto fjalë të na bëjnë dobi në dynja dhe ahiret dhe e lus Allahun që të vdekurit tanë t’i mëshiron, t’i fal, varret e tyre t’i ndriçon dhe zgjeron dhe në xhenetin e Tij të na bashkon.
Përgatiti dhe përkthehu: Irfan JAHIU