Kjo dëshmi nënkupton të shprehurit e këtij besimi me gjuhë dhe të besuarit me zemër se Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, është i dërguar i Allahut te të gjithë njerëzit dhe xhinët, për t’ua kumtuar mesazhin e Allahut. Allahu thotë:“Thuaj (Muhamed): “O ju njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut te të gjithë ju.” (A’raf – 158)
Allahu e dërgoi Muhamedin, salallahu alejhi ve selem, që t’ua tërheq njerëzve vërejtjen nga shirku dhe gjërat tjera që i urenë Ai. T’i thërras në besimin e pastër dhe gjithë atë që e do Ai. Allahu thotë: “Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i thirrur). Dhe madhëroje Zotin tënd!”(Muddethir – 2,3) do të thotë: tërhiqua vërejtjen nga shirku dhe madhëro Allahun me besim të pastër.
Pra, detyra kryesore e tij ishte kumtimi i shpalljes së Zotit. Ai e kreu detyrën e tij në mënyrë të përsosur, pa shtuar asgjë dhe pa lënë asgjë mangët, derisa Allahu e plotësi dhe përkreu fenë e Tij: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe.” (Maide – 3) Për këtë shkak nuk lejohet për asnjërin, pa marrë parasysh kush është ai, të shtojë diçka, të lë mangët, të ndryshojë apo të bëjë zëvendësime në fenë e Allahut.
Kushtet e dëshmisë “Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut”:
- Besimi në gjithë atë që na ka lajmëruar Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, për të kaluarën, të ardhmen, në dunja apo ahiret.
“Çka t’ju japë Pejgamberi, atë merrnie, e çka t’ju ndalojë, përmbajuni” (Hashër – 7)
- Respektimi i tij kur urdhëron apo ndalon: “Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur Allahut, e kush e refuzon, Ne nuk të dërguam ty roje kundër tyre.” (Nisa – 80)
“E kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.” (Ah-zab – 36)]
- Pasimi i rrugës së Muhamedit, salallahu alejhi ve selem, në kuptimin e fesë: “E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.” (Ali Imran – 85) po ashtu Muhamedi, salallahu alejhi ve selem,thotë: “kush bën një punë që s’është prej fesë tonë, ajo është e refuzuar.”
- Përpikëria në të marrit shëmbëlltyrë Pejgamberin, salallahu alejhi ve selem, dhe në pasimin e tij. Allahu thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” (Ahzab – 21)
Nuk ka dyshim se Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, paraqet shembullin praktik dhe të gjallë të Islamit. Ai është shëmbëlltyrë në çdo punë dhe lëvizje. Kush ndjek atë arrin lumturinë dhe shpëton e kush largohet nga udhëzimi dhe rruga e tij devijon dhe humbet.
- Marrja e tij për gjykatës në të gjitha çështjet e jetës tonë, të pajtuarit me këtë gjykim dhe besimi në drejtësinë e tij siç thotë Allahu, azze ve xhel: “Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.”(Nisa – 65)
- Mos teprimi në ngritjen e tij dhe mos zhvleftësimi i obligimeve ndaj tij; muslimani këtu ndalet aty ku e ka lënë Allahu azze ve xhel, Ai thotë:“Muhammedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i Allahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve”(Ahzab –40). Muslimani besimdrejtë nuk beson se Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, posedon diçka që i takon vetëm Allahut, sikur njohja e gajbit (botës së fshehtë), ndryshimi i ligjeve në gjithësi, mundësia për të bërë dobi, dëm, për të dhënë apo penguar diçka si dhe gjëra të tjera që janë veçori të Zotit, apo se meriton të adhurohet, andaj atij nuk i drejtohet me lutje, therje të kurbanit, zotim, kërkim të ndihmës, kërkim të shefatit (ndërmjetësimit tek Allahu për (njerëzit), me mbështetje, frikë, shpresë e tjerë, porse të gjitha këto i takojnë Allahut, që është Një dhe i Pashoq. Ai që i bën këto, ka kundërshtuar Pejgamberin, salallahu alejhi ve selem, i cili ka thënë: “mos më ngritni tepër siç e ngritën krishterët birin e Merjemes sepse unë jam rob andaj më thoni: rob i Allahut dhe pejgamber i tij.
Allahu, subhanehu ve teala, për shkak dijes së Tij se dikush prej njerëzve do ta ngritë Pejgamberin, salallahu alejhi ve selem, në pozitë më të lartë se që ia dha Allahu, e urdhëroi të thotë: “Thuaj:
“Unë nuk u them juve se i kam në kompetencë depot e Allahut (e t’ju sjell mrekulli), as nuk pretendoj se i di fshehtësitë (e t’ju tregoj se kur do t’ju vijë dënimi), as nuk u them se unë jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet mua.” (En’am – 50) po ashtu të thotë: “Thuaj: “Unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, pos çka do Allahu. Sikur ta dija të fshehtën, do t’i shumoja për vete të dobishmet, e nuk do të më prekte gjë e keqe. Unë nuk jam tjetër vetëm se qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë.” (Araf – 188) po ashtu: “Thuaj: “Unë nuk kam në dorë që t’ua largoj dënimin, as t’ju sjell dobi!” Thuaj: “është e vërtetë se mua nuk më mbron askush prej (dënimit) të Allahut dhe përveç Tij unë nuk gjej mbështetje”. (Nuk kam në dorë tjetër), përveç kumtimin prej Allahut dhe përveç shpalljeve të Tij. Kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, i tij është zjarri i xhehenemit, aty do të jenë përgjithmonë, pa mbarim.”(Xhin – 21-23)
Po ashtu edhe zhveshja e tij nga vlerat që ia dha Allahu sikur pejgamberllëku, përgëzimi dhe qortimi i njerëzimit, mrekullitë e ndryshme, lajmërimi për disa gjëra të fshehta, dhënia e Kur’anit dhe diçka të ngjashme me atë, pozita më e lartë në Xhenet (mekamul mahmud), hauzi (burimi i ujit). Mohimi i këtyre gjërave është shkelje e hakuat të tij, gjë që të shpien në shkatërrim në dunja dhe ahiret.
Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ka disa veçori që s’i ka pasur asnjë pejgamber para tij. Ato i përmendi në një hadith që e ka shënuar Muslimi nga Ebu Hurejra, radijallahu anhu, ku thuhet “jam mbivlerësuar nga pejgamberët me gjashtë gjëra: më është dhënë fjala përmbledhëse, jam ndihmuar me frikësim (të pabesimtarëve), më është lejuar plaçka e luftës, toka më është bërë xhami dhe pastrim, jam dërguar te të gjitha krijesat dhe me mua është përmbyllur pejgamberllëku.”
Obligimet e muslimanëve ndaj Pejgamberit, alejhis-selam:
- Obligohen ta duan dhe kësaj dashurie t’i japin përparësi ndaj pasurisë, vetvetes, prindit, fëmijës dhe të gjithë njerëzve.
- Dërgimi i salateve dhe selamve mbi të, pra të thonë (Allahumme sal-li ve sel-lim ala Muhamed) që do të thotë: o Allah, lavdëroe, bekoje dhe përshëndete Muhamedin.
- Këshillimi i tjerëve për të edhe atë dukë mbrojtur sunetin dhe sheriatin e tij.
- Respektimi i porosisë së tij për Alul Bejtin (të afërmit e tij nga Beni Hashimi dhe gratë e tij).
- Dashuria ndaj shokëve të tij dhe besimi se të gjithë ata janë të drejtë.