Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dërguarin e Allahut, familjen e tij, shokët dhe atyre që pasojnë atë.
Ja erdhën dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit, të na përkujtojnë neve me disa gjëra prej tyre:
Fjalën e Allahut: “Ato ditë Na i ndërrojmë midis njerëzve”. Ali Imran 140.
“Çdo qenie e gjallë do ta shijojë vdekjen”. Ali Imran 185.
“Çdo gjë që është në Tokë është e kalueshme (do të shkatërrohet), e mbetet vetëm Fytyra e Zotit tënd, i Madhërueshmi dhe Bamirësi ”. Rahman 26-27.
Në të kaluarën e afërt, ishim duke e pritur ardhjen e këtij muaji, dhe ja ne në dhjetë ditët e fundit, a ka kush që merr këshilla dhe mediton?
Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “O biri i Ademit, ti je vetëm se disa ditë, nëse të kalon një ditë, ka kaluar një pjesë e jotja!”
I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, na ka treguar për veten e tij dhe për dynjanë: “Unë në këtë dynja jam si një kalorës, i strehuar ndër një hije të një peme, i cili pastaj udhëton dhe e braktisë atë hije.” E transmeton Tirmidhiu dhe ka thënë se hadithi është hasen sahih.
Erdhën këto dhjetë ditët e fundit që të na e përkujtojnë ihsanin, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Allahu obligoi mirësinë në çdo gjë.” E transmeton Muslimi.
Ihsan është: “Të adhurosh Allahun sikur se e sheh, edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai ty të sheh.” E transmeton Buhariu.
Duhet të ndjesh mbikëqyrjen e Allahut në vetmi apo në opinion, në fjalë e në vepra, në veprimin e të mirave në mënyrën më të përsosur duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, aze ve xhel. Duke u sjell mirë me veten tënde, duke e larguar atë nga haramet, e të mos veprosh vetëm se atë që Allahu është në pajtim me të, kështu e pastron veten, e rehaton nga devijimet dhe ngatërrimet e dynjasë, nga mjerimi e dënimi në ahiret, Allahu thotë: “Nëse bëni mirë, bëni për vete, e nëse bëni keq, bëni kundër vetes”. Isra 7.
Erdhën këto dhjetë ditët e fundit që të na tregojnë se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat “Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, e edhe në orët e afërta (me ditën) të natës. S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Kjo është një këshillë për ata që pranojnë këshillat”. Hud 114. Allahu thotë: “Nëse lagoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat u janë të ndalueshme, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm”. Nisa 31.
I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Ke frikë Allahun kudo që të jesh, çdo vepër të keqe pasoje me të mirë, ajo (e mira) e shlyen të keqen, dhe sillu me njerëzit me moral të mirë.” E transmeton Tirmidhiu.
Dhe i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Pesë namazet, xhumaja deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër i shlyejnë mëkatet që janë mes tyre, nëse largohet prej mëkateve të mëdha.” E transmeton Muslimi.
Këto dhjetë ditë erdhën të na thonë: O rob i Allahut, ke frikë Allahun, përkushtoju adhurimit, largoju nga mëkatet, që të të falen të kaluarat.
Ngase jeta në adhurim është me e lezetshme se jeta në mëkate: “Vallë, a është ai që qe i vdekur kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo? Ja, kështu (si këtij në errësirë) iu duket mirë mohuesve ajo që veprojnë”. EnAm 122.
Erdhën këto dhjetë ditë që të na përkujtojnë udhëzimin e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem, për të cilin Aisheja, radijalahu anha ka thënë: “Kur vinin dhjetë ditë të fundit e shtrëngonte izarin e tij, gjallëronte natën, zgjonte familjarët.” E transmeton Buhariu.
Ky është një argument për mundin në adhurime të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem, skajimi nga gratë dhe thirrjen e familjes që ta adhurojnë Allahun e Madhëruar, vepruar sipas fjalës së Allahut: “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, ngase Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata), ardhmëria e mirë është e atij që ruhet.”. Taha 132.
Nga udhëzimi i tij, sal-Allahu alejhi ve selem, ishte edhe itikafi në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, Abdullah ibn Omeri, radijallahu anhuma, ka thënë: “I dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, bënte itikaf në dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan.” E transmeton Buhariu.
Aisheja, radijallahu anha, ka thënë: “I dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem jepte mundin e tij në dhjetëshin e fundit, më shumë se ditët tjera.” E transmeton Muslimi.
Nga udhëzimi i tij, sal-Allahu alejhi ve selem është se ai e kërkonte natën e Kadirt, dhe ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetëshin e fundit, kërkojeni atë në netët tek.” E transmeton Buhariu.
Pra, ajo natë mund të ndodh në netët tek prej dhjetëshit të fundit, sa lumturi për atë i cili e arrin bereqetin e saj, përfiton mirësitë e asaj nate, i privuar është ai që privohet nga të mirat e saja, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem për vlerën e muajit të Ramazanit ka thënë: “Në të është nata e Kadrit, që është më e mirë se një mijë muaj, kush është privuar nga të mirat e saja, me të vërtetë është i privuar.” Musnedi i Ahmedit, 12/134.
Preferohet të bëjmë lutje në ato net, Aisheja, radijallahu anha ka thënë: “I thashë: O i dërguari i Allahut! Nëse unë e kuptoj se cila natë është nata e Kadrit, çfarë të them (lutje të bëj)? Tha: “Thuaj: O Allahu im! Ti je Falës, Bujar, e do faljen, andaj më fal mua.” E transmeton Tirmidhiu.
Ajo mund të jetë në natën e njëzet e shtatë, por mund të jetë edhe në netët tjera prej netëve tek, andaj mundohu për çdo natë, e mos u bë vetëm prej atyre që vije në natën e njëzet e shtatë e i le netët tjera.
Ibn Rexhebi, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Emri Falës është prej emrave të Allahut të Madhëruar, ai i tejkalon gjitha të këqijat e robërve, i shlyen gjurmët e tyre, Ai e do faljen, dhe dëshiron që t’ua fal robërve të Tij, gjithashtu dëshiron që robërit të falin njëri tjetrin, nëse ata falin njëri tjetrin Ai sillet me ata me falje, falja tek Ai është më e dashur se ndëshkimi, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Kërkoj mbrojtje me kënaqësinë Tënde nga urejtja, me faljen tënde nga ndëshkimi.” E transmeton Muslimi.
Jahja ibn Muadhi ka thënë: “Po të mos ishte falja më e dashur për të, nuk do ti sprovonte me mëkate njerëzit më të ngritur tek Ai, mirëpo, urdhëroi që të kërkojnë falje në natën e Kadrit, pas mundit të dhënë në vepra të mira në netët e fundit, ngase ata që njihen me vepra të mira, japin maksimumin e tyre në vepra, pastaj nuk shohin tek ata ndonjë vepër të mirë (të meriton faljen), as gjendje e as fjalë, e kthehen në kërkimin e faljes, si gjendja e mëkatarit, neglizhent.”
Abdullah ibn Busr, radijallahu anhu ka thënë: I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Lum për atë i cili në regjistrin e tij gjen shumë istigfar (kërkim falje).” E transmeton ibn Maxhe.
Shpeshto kërkimin e faljes, o rob i Allahut. E lusim Allahun me Emrat e Tij të bukur dhe Cilësitë e Tija të Larta, të na fal neve, mëkatet tona. Lutja jonë e fundit është, falënderimi i takon Allahut Zotit të botëve.
Mesir Matir Dhafiri
Përktheu: Shpend Zeneli
Burimi: albislam.com