DISA PREJ GABIMEVE GJATË ABDESIT

DISA PREJ GABIMEVE GJATË ABDESIT

0 959

DISA GABIME TË ABDESIT:

1. Mes’hi (fshirja) e qafës – Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Hadithi “Mes’hi (fshirja) e qafës është siguri (mbrojtje) nga prangat”, është hadith meuduh (i trilluar) dhe nuk është prej fjalëve të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.” [El-Mexhmua, 1/489].
Shejhul-islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk është vërtetuar se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i ka dhënë mes’h qafës gjatë marrjes së abdesit.” [Fetava El-Kubra, 1/50].

2. Dhënia mes’h një pjese të kokës – Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, sjell hadithin e Abdullah ibn Zejdit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në lidhje me formën e abdesit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Profeti i dha mes’h kokës duke filluar nga pjesa e parme e kokës deri në pjesën e pasme.” [Kapitulli: “Dhenia mes’h tërë pjesës së kokës”, 185].
Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk vërtetohet nga ai (Profeti) një hadith i vetëm se ai është mjaftuar duke i dhënë mes’h vetëm një pjese të kokës. Përkundrazi, ai kur i jepte mes’h kokës, e përfshinte tërë kokën (pra fillonte nga pjesa e parme e flokëve dhe e përfundonte deri në pjesën e pasme).” [Zad El-Mead, 1/132].

3. Marrja e ujit të ri për veshët – Transmetohet nga Ebu Umame, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, me hadith merfua (i atribuohet Profetit): “Veshët janë prej kokës.” [Trasmeton Tirmidhiu, nr. 37 dhe ka thënë: “Të veprosh kështu është në pajtim me shumicën e dijetarëve nga sahabët dhe ata pas tyre, se veshët janë prej kokës.”].
Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ai (Profeti) ju ka dhënë mes’h veshëve së bashku me kokën dhe nuk vërtetohet ndonjë argument se ka marrë ujë të ri për larjen e veshëve.” [Efzad, 1/81].

4. Thënia e disa lutjeve gjatë abdesit – “Një gjë e tillë nuk është e vërtetuar.” Këtë e thonë: Ibn Xheuzi në “El-Ilel”, 554 dhe Neveviu në “El-Mexhmu”, 1/489.
Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk është vërtetuar nga ai (Profeti) të ketë thënë ndonjë lutje (specifike) në fillim të abdesit dhe thënia e tij “Eshhedu en la ilahe il-lAllah vahdehu la sherike lek ve eshhedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu…” është thënë në fund të abdesit (pasi ta ketë përfunduar abdesin).” [Zad, El-Mead, 1/187].

5. Mospërkyerja e abdesit – Transmetohet nga Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e pa një njeri (që merrte abdes) duke mos i larë (siç duhet) thembrat e tij, andaj i tha: “Mjerë për ato thembra që janë në zjarr.” [Transmeton Muslimi, nr. 242].
Transmetohet nga Umeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se një njeri ishte duke marrë abdes dhe e braktisi një pjesë të thembrës nga këmba e tij, kështu që Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i tha: “Kthehu dhe përmirësoje abdesin!” [Transmeton Muslimi, nr. 243].

6. Teprica mbi tri herë gjatë marrjes së abdesit – Transmetohet nga Abdullah ibn Mugfel, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, me hadith merfua (i atribuohet Profetit), duke thënë: “Vërtetë do të ketë njerëz në këtë Ummet që do të sulmojnë në mënyrë të pastër.” [Transmeton Ahmedi, 4/86].
Imam Tirmidhiu ka thënë: “Ibn Mubareku ka thënë: “Nuk ka siguri për atë që shton mbi tri larje gjatë abdesit, e vetëm se mëkaton (ngarkohet me mëkat).”” Ahmedi dhe Is’haku kanë thënë: “Nuk merr abdes më shumë se tri herë vetëm ai që është i goditur nga vesveset (ngacmimet psiqike).” [Xhamiah, 44].
Transmeton Amr ibn Shujabi nga babai tij, nga gjyshi i tij se erdhi një beduin tek Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe e pyeti për abdesin. Kështu që, ai e pa atë (Profetin) duke marrë abdes nga tri herë dhe i tha: “Ky është abdesi. Kush e tejkalon këtë, ka abuzuar, ka nëpërkëmbur dhe ka mëkatuar.” [Transmeton Ahmedi, nr. 6684 dhe e saktëson Ibn Huzejme, nr. 174].
Imam Buhariu ka thënë: “Dijetarët e urrenin shpenzimin e tepërt të ujit gjatë marrjes së abdesit.” [Es-Sahihah, nr. 52].

7. Shpenzimi i ujit gjatë marrjes së abdesit – Transmetohet nga Abdullah ibn Amri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kaloi pranë Sa’dit i cili po merrte abdes dhe i tha: “Çfarë është ky shpenzim o Sa’d?!”
Sa’di e pyeti: “A edhe në abdes ka shpenzim?”
Profeti i tha: “Po, edhe nëse je në një lumë të rrjedhshëm.” [Transmeton Ahmedi, nr. 6768; E saktëson Ahmed Shakiri në “Musned”, nr. 6768 dhe e klasifikon si të mirë Shejh Albani në “Es-Sahihah”, nr. 3292].
Imam Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ishte ndër njerëzit që më pak derdhnin ujë për abdes dhe e paralajmëroi ummetin e tij që të mos e harxhonte shumë ujin.” [Zad El-Mead, 1/184].
Muhadithi Ebu Tajjib El-Adhim Abadi ka thënë: “Dijetarët janë të një mendimi (unanim) rreth ndalimit të shpenzimit të ujit edhe sikur të jesh në plazh të detit.” [Aun El-Meabud, 1/170].

8. Mos heqja e gjërave (në trup) që e ndalon ujin të depërtojë gjatë marrjes së abdesit – Kujdes: Ajo që ndalon ujin të arrijë lëkurën, ndahet në dy pjesë:
– e para: ajo që është e nevojshme për trupin (pra nuk duhet të hiqet), si p.sh. jakia, gipsi etj. Në këtë rast i jep mes’h dhe nuk detyrohet heqja e saj;
– e dyta: ajo që nuk hiqet nga trupi, siç janë pigmentet dhe pikat e zeza në trup.

9. Shqiptimi i nijetit para se të fillosh marrjen e abdesit, siç është fjala “e bëra nijet të marr abdes” – Asnjëherë nuk është vërtetuar në hadith ndonjë shqiptim i nijetit. Shejhul-islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Dijetarët kanë rënë dakord se nuk është ligjësuar shqiptimi i nijetit (në fillim të abdesit), por njerëzit e kanë shprehi këtë. Andaj, nevojitet disiplinë në ndalimin e praktikimit të bidatit (shpikjes në fé), e që njëkohësisht i shqetëson të tjerët me zërin e tij.” [Fetava El-Irakije, 1/35].

Marrë nga: Ulum El-Hadith
Përktheu nga arabishtja: Amir Shabani
17.01.2020

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 590