Sot jemi në ditën e parë të muajit të shtatë hënor – rexheb. Është një ndër muajt ‘hurum’ (të shenjtë) së bashku me dhul-ki’den, dhul-hixhen dhe muajin muharem. Ka shumë të pavërteta të thurura rreth këtij muaji – siç na bëjnë të ditur dijetarët e hadithit. Ibën Haxher El-Askalani potencon: “nuk ka asnjë hadith të saktë që flet për vlerën e këtij muaji.”
*Në këtë muaj nuk ka ndonjë adhurim të veçantë por kemi një obligim të vetëm: të largohemi nga të këqijat, nga padrejtësitë dhe mëkatet. Allahu i lartësuar thotë:
“Te Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu siç është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në to.” (Teube: 36)
Ky muaj, ka edhe një rol tjetër, që lidhet me atë që u tha më lartë: përgatitja dhe forcimi i vetes me adhurime, në mënyrë që të mos plogëshëhtohemi gjatë muajit të ramazanit ku kërkohet një zell më i madh në adhurim.
Dijetari hanefij, Ebu Bekër El-Belhij, ka thënë: “Muaji rexheb është muaj i mbjelljes, shabani (që vijon) është muaji i ujitjes, ndërsa ramazani është muaji i vjeljes”
Nëse prej tani ushtrohemi me punë të mira, nuk do dorëzohemi në ditët e para të ramazanit.
Agim Bekiri
01/07/1442
13/02/2021