Betohem në Atë që krijoi qiejt pa shtylla, që krijoi tokën se unë e dua atë për hir të Allahut, ai është halifeja i të dërguarit, salalahu alejhi ve selem. E dua këtë njeri të ngritur, i madh gjatë jetës së tij para dhe pas islamit, çdoherë ishte i pari, çdoherë në fillim, ishte i pari ë pranoi islamin prej burrave, i pari që bëri mbledhjen e Kuranit, i pari që emërtoi Kuranin Mus’haf, halifeja i parë i këtij umeti.
E dua dhe e lus Allahun të më ringjall në shoqërinë e tij në Firdeusin e Lartë, mirëpo a meritoj unë që të jem me të, ndërsa ai është i cili morri pjesë në të gjitha ndodhitë me të dërguarin, salallahu alejhi ve selem. Prej Bedrit dhe më pas, e gjithë jeta e tij ishte luftë e sakrifikim. Për t’u habitur është se nuk ishte vetëm që merrte pjesë, por çdoherë kishte ndikim pozitiv, a e kujton qëndrimin e tij gjatë hixhretit, nderimin që e fitoi në shoqërimin e të dërguarit, salallahu alejhi ve selem?! Pastaj çasti i vdekjes së të dërguarit, salallahu alejhi ve selem, çast ku të mëdhenjtë u lëkunden, saqë Omer ibn Hatabi, radijalahu anhu, i ashpri për të vërtetën që ishte çdoherë, derisa tha: “Betohem në Allahun se i dërguari i Allahut nuk ka vdekur, Allahu do ta ngjall atë, do t’ia pres duart e këmbët (atyre që thonë se ka vdekur).” Mirëpo, i Sinqerti, që donte të dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ve selem me një dashuri të madhe, saqë ata që më së shumti e donin ishin ata që më së tepërmi ishin të lidhur me të dhe kishin besim më të fortë.
Pasi që falënderoi dhe madhëroi Allahun tha: “Kush ka adhuruar Muhamedin, ai ka vdekur, ndërsa kush ka adhuruar Allahun, Allahu është i Përhershmi nuk vdes.” Dhe lexoi fjalën e Allahut: “Muhamedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm All-llahut aspak, kurse All-llahu do t’i shpërblejë mirënjohësit”.
E dua shumë se ai ishte i dashur. Njerëzit shoqëroheshin me të dhe ai shoqërohej me ata. Ishte i dashur në mesin e popullit të tij, Allahu qoftë i kënaqur me të, punonte me tregti, mirëpo Zoti që ia dha tregtinë ishte më afër për të se sa tregtia.
E dua sepse ai barti amanetin që kur pranoi islamin, thirri sa që në duar të tij pranuan islamin shumë njerëz, prej tyre: Othman ibn Afani, Talha ibn Ubejdilahi, Zubejr ibn Avami, Sad ibn Ebi Vekasi dhe Abdurrahman ibn Aufi.
E dua sepse kur përqafoi islamin ishte njeriu më i pasur prej Kurejshëve, dhe kur vdiq nuk la trashëgimi as një dinar e as dirhem. Gjithë pasurinë e kishte shpenzuar në rrugë të Allahut.
E dua se hilafeti i tij ishte i bereqetshëm nga Allahu i Madhëruar për gjithë umetin. I gjithë umeti u mblodh rreth tij, ai luftoi renegatët dhe fitnen e tyre, pretenduesit e pejgamberisë dhe drejtoi forcat e muslimanëve kah Persia dhe Bizanti. Allahu i dhe fitore dhe ngadhënjim të madh, Allahu qoftë i kënaqur me të dhe i mallkuar qoftë secili kush e urren.
E dua se i dërguari salallahu alejhi ve selem e donte, siç qëndron në hadithin e Amr ibn As, radijalahu anhu, se i dërguari salallahu alejhi ve serm, ishte pyetur: Cili prej njerëzve është më i dashur tek ti? Tha: Aisheja. E pyeti: Po prej burrave cili? Tha: Babai i saj? E pyeti: Pastaj cili? Tha: Pastaj Omer ibn Hatabi. Kështu përmendi disa emra në vijim.
E dua, e si mos ta dua kur për të i dërguari, salallah ualejhi ve selem, tha: “Po të merrja dikë mik do ta merrja ibn Ebi Kuhafen (Ebu Bekrin) për mik.” E transmeton Tirmidhiu.
E dua sepse njeriu më i mirë, salallahu alejhi ve selem për atë tha: “Banorët e gradave të larta i shohin ata që janë poshtë tyre, ashtu si ju i shihni yjet kur dalin në qiell, Ebu Bekri dhe Omeri janë prej tyre.” E transmeton Tirmidhiu.
E dua se ai është prijësi jonë dhe atë me fjalën e Omer ibn Hatabit, radijallahu anhu: “Ebu Bekri është prijësi jonë i cili liroi prijësin tjetër (pra Bilal ibn Rebahin).”
E dua se është më i miri, siç transmeton ibn Omeri, radijallahu anhu: “Në kohën e të dërguarit salallahu alejhi ve selem zgjedhin mes njerëzve, dhe zgjedhim prej tyre Ebu Bekrin, pastaj Omer ibn Hatabin, pastaj Othman ibn Afanin, Allahu qoftë i kënaqur me ta.” E transmeton Buhariu.
E dua se është prej më të diturve në mesin e sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë, Ebu Said el Hudriju, radijallahu anhu thotë: “I dërguari, salallahu alejhi ve selem, iu drejtua njerëzve dhe tha: “Allahu i dha të zgjedh një robi mes dynjasë dhe çfarë ka tek Ai, e ky rob zgjodhi atë që është tek Allahu. Ebu Bekri filloi të qajë, e ne u habitëm nga të qarit për lajmin që e tregoi i dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, për robin që kishte zgjedhur. Ishte i dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ai që kishte zgjedhur, e Ebu Beri ishte më i dijshmi në mesin tonë.”
E shumë e shumë virtyte tjera të këtij burri, o Allah kërkojmë prej Teje, me emrat e Tua të bukura dhe cilësitë e Tua të larta të na bësh prej atyre që pasojnë këtë sahabi, të na ringjallësh në shoqëri me të, e të na bashkosh me ata në xhenet.
Falënderimi i takon Allahut Zotit të botëve.
Mahmud Kalavi
Përktheu: Shpend Zeneli
Burimi: albislam.com