EMËRTIMET E SHKENCËS SË AKIDES DHE TEVHIDIT TEK EHLU SUNETI (2/2)

EMËRTIMET E SHKENCËS SË AKIDES DHE TEVHIDIT TEK EHLU SUNETI (2/2)

0 1768

            Suneti (Es-Sunneh)

          Kuptimi i kësaj fjale ka shtegtuar varësisht përdorimit të saj në kontekstet terminologjike, andaj çdo dijetar islam e ka përkufizuar asisoj që t’i shërbejë e t’i vijë për shtat ndonjë shkenceje. Për shembull, ulematë e hadithit, sunetin e përkufizojnë kësisoj: Ajo që i atribuohet të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, qoftë fjalë, vepër, miratim apo cilësim. Kurse ulematë e usulul-fikh-it, thonë kështu: Ajo çka e urdhëron Ligjvënësi, por jo në kuptimin obligativ. Kurse ulematë e fikhut, e definojnë siç vijon: Ajo për veprimin e të cilës shpërblehet ai që e bën, por nuk denohet ai që e lë.

Kurse ulematë e akidës së vërtetë, konsiderojnë se Suneti është një prej vend-burimeve nga ku mirret dhe vërtetohet akideja e shëndoshë. Andaj, disa nga selefi vlerësuan se suneti është pasimi, e disa tjerë thanë se është Islami, e që të dy fjalët nuk bien ndesh me njëra-tjetrën, ngase Islami vërtetë konsiston besimin e vërtetë, kurse pasimi jep të kuptosh rreth burimit dhe metodologjisë.

       Andaj, fjala sunet arriti të përfshijë këtë kuptim: Pasimi i akides së vërtetë, e cila është e vërtetuar në Kuran dhe Sunet.

            Prej ulemave që e përdorën këtë nocion, me këtë kuptim terminologjik, është Imam Ahmed ibën Hanbel në librin e tij “Es-Sunneh”, që përmbante akiden e vërtetë, e cila qe vërtetuar me transmetimet e njerëzve të drejtë e besnikë nga i Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!- dhe shokët e tij. Njëjtë ka vepruar edhe i biri i Imam Ahmedit, Abdullahu, në librin e tij “Es-Sunneh” dhe Ibën ebi Asim në librin e tij “Es-Sunneh”.[1]

            Bazat e fesë (Usulud-din)

            Që të kuptohet mirëfilli ky tog, ne duhet të zbërthejmë kuptimet e të dy fjalëve në arabisht: usul dhe din.

            Fjala usul është shumësi i fjalës asël, e që në aspektin gjuhësor përkthakon këtë kuptim: Ajo mbi të cilën ndërtohet diçka, siç është themeli i shtepisë. Kurse terminilogjikisht nënkupton atë që ka degë.

            Kurse din, do të thotë: nënshtrueshmëri dhe përulje; Kurse përkufizimi i kësaj fjaleje në fe është kështu: Bazat e përgjitshme dhe principet themelore e madhështore, nëpërmjet të cilave realizohet rrespektimi i Allahut dhe të Dërguarit të Tij, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, si dhe nënshtrimit karshi urdhërsave dhe ndalesave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, -sal-lallahu alejhi ue selem!-. Dhe me këtë kuptim nuk është për qëllim asgjë tjetër përpos se shkenca e akides dhe tevhidit.[2]

            Disa dijetarë kanë shkruar libra në akide, e që në to kanë përmendur termin Usulud-din. Prej tyre, El-Bagdadij (vdiq: 429h), në librin e tij “Usulud-din”, Ibën Batta (vdiq: 378h) në librin e tij “Esh-Sherhu vel-Ibaneh an usulid-dijane” dhe El-Esharij (vdiq: 324) në librin e tij “El-Ibane an usulid-dijane”.[3]

             El-Fikh El-Ekber

            Fjala fikh në gjuhë do të thotë: kuptim i hollësishëm; Kurse atribuimi i këtij kuptimi në el-ekber (më i madh, më madhështor) vie si shkas për të nxjerrë nga ky term fikhun që ka të bëjë me hallallin e haramit, etj.. Ky term u njoh vetëm në shekullin e dytë hixhrij, atëherë kur Imam Ebu Hanife En-Nuëman e titulloi librin e tij kësisoj “El-Fikhul-Ekber” në të cilin libër përmblodhi një tërësi bindjesh të selefit, e duke argumentuar me këtë titull se kjo tematikë është më madhështorja në sheriatin Islam. Ky term nuk i vie përshtat asgjësendi tjetër përpos se shkencës së akides.

             Sheriati (Esh-Sheriah)

         Përdorimi i fjalës esh-sheriah ka pasë përdorim më specifik, siç ka thënë Shejhul-Islam Ibën Tejmije, -rahimehullah!-: “Kredot të cilat i besojnë Ehlu Suneti, si p.sh. besimi i tyre se imani është fjalë e vepër, se Allahu cilësohet vetëm ashtu siç Ai e ka cilësuar Vetvetën apo e ka cilësuar i Dërguari i Tij, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, njashtu besimi se Kurani është Fjalë e Allahut, e nuk është e krijuar, etj.!”[4]

            Pra, në këtë kuptim Esh-Sheriah është po sikur Es-Sunneh, e me të janë për qëllim besimet të cilat Allahu i ka ligjësuar, e ndonjëherë janë edhe veprat, e ndodhë që të jenë të dyja, pra besimet dhe veprat e ligjësuara nga Allahu, -subhanehu ue te’ala!-.

            Edhe në këtë rast disa dijetarë kanë shkruar libra në akide, kurse i kanë titulluar me fjalën esh-sheriah, e që i pari prej tyre është Ebu Bekër El-Axhurij, -rahimehullah!-, në librin e tij “Esh-Sheriah”, e pastaj Ibën Bata El-Hanbelij, -rahimehullah!-, në librin e tij: “El-Ibane an sheriatil-firketin-naxhije ve muxhanebetil-firekil-medhmume”.[5]

             El-Iman

            Nga gjeneratat e para (selefi) gjejmë të kenë shkruar libra duke i titulluar me fjalën iman, e në të cilat kanë shtjelluar tematikat e tevhidit dhe të akides, e që i pari i këtij lloji është libri: “Kitabul-iman ve mealimuhu ve sunenuhu ve istikmalu-derexhatihi” të autorit Imam Ebu Ubejd El-Kasim ibën Selam El-Bagdadij, -rahimehullah!-; Pastaj libri “Kitabul-Iman” të El-Hafidh Ebu Bekër Abdullah ibën Muhamed ibën ebi Shejbeh El-Absij, -rahimehullah!-. Më tej libri “Kitabul-Iman” të El-Hafidh Muhamed ibën Is’hak ibën Jahja ibën Mendeh, -rahimehullah!-.[6]

 Nga arabishtja: Mirsim Maliqi

[1] Shih: Ibrahim El-Burejkan, El-Medkhalu li dirasetil-akidetil-islamije, f.12

[2] Shih: Ibrahim El-Burejkan, El-Medkhalu li dirasetil-akidetil-islamije, f.11

[3] Shih: Nasir bin Abdulkerim El-Akël, Mebahith fi akideti ehlis-sune vel-xhemaah, f. 10

[4] Shih: Ibën Tejmije, Mexhmuul-fetava, 19/306-307

[5] Shih: Muhamed Jusri, Ilmul-akideti inde ehlis-suneti vel-xhemaah, f. 136

[6] Shih: Muhamed Jusri, Ilmul-akideti inde ehlis-suneti vel-xhemaah, f.130

GJITHASHTU NË ALBISLAM