1. Shqiptimi i nijetit, si p.sh. “e bëra nijet ta fali namazin e akshamit” – Kjo është në kundërshtim me Sunnetin sepse nijeti bazohet në zemër dhe kjo është sipas konsensusit të dijetarëve dhe shqiptimi i tij është bidat (shpikje në fé). Allahu i Madhëruar ka thënë: “A ju ia mësoni Allahut fenë tuaj…?!” [El-Huxhurat: 16]. Një veprim i tillë nuk është vërtetuar as nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, me ndonjë transmetim të saktë ose të dobët, as nga sahabet dhe as nga tabi’inët.
2. Shprehja “Dëgjuam dhe respektuam” para tekbirit fillestar – Nuk ka asnjë hadith të saktë në lidhje me këtë dhe nuk është vërtetuar nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, se ai thoshte diçka para tekbirit fillestar dhe një gjë e tillë është në kundërshtim me hadithin e Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, me një zinxhir transmetimi merfua: “Vërtetë imami është për t’u pasuar, andaj mos veproni ndryshe nga ai. Kur të merr ai tekbirin, merrni edhe ju.” [Transmetojnë: Buhariu, nr. 722 dhe Muslimi, nr. 414].
3. Thënia “Allahu Ekber” duke e zgjatur tek A-ja dhe tek E-ja (Aaallahu Ekber ose Allahu Eeekber) – kjo aludon në pyetje dhe një veprim i tillë rezulton se namazi nuk është bërë me vend. Imam Ibn Kudame, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Medi (zgjatja) tek hemzeja (ء) te Emri i Allahut e bën atë pyetje që nuk është legjitimuar.” [El-Kafij, 75].
Do të thotë namazi i tij nuk është realizuar sepse është e pavlefshme.
4. Shprehja “Allahu Ekbeeer” (duke zgjatur e-në e fundit) – që ngjason sikur tingulli i daulleve. Kush thotë në këtë mënyrë, namazi i tij nuk është realizuar si duhet. Ibn Kudame, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Zgjatja e “Ekbeeer” e shton elifin (أ) dhe ngjason si tingulli i daulles dhe si rrjedhojë namazi nuk kryhet me vend.” [El-Kafi, 85].
Do të thotë namazi i tij nuk është realizuar sepse është e pavlefshme. Kjo, për shkak se ai nuk ka shprehur tekbirin legjitim siç është “Allahu Ekber”.
5. Shprehja “Allahu Ekber” duke e zëvendësuar hemzen (ء) me shkronjën vav (و), pra të thuhet “الله وكبر” (Allahu vekber) – shprehja më e saktë është “الله أكبر” (Allahu Ekber) e cila është konstante me formën e namazit. Imam Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Praktika e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, duke qenë në ihram ishte shprehja “الله أكبر” (Allahu Ekber), asgjë tjetër dhe të tjerët nuk cituan asgjë.” [Zad El-Mead, 1/194].
6. Shprehja “Allahe Ekber” duke e shprehur hemzen me fet’ha, pra duke i shtuar zanore me “e” (اللهَ أكبر) – kjo bie në kundërshtim me Sunnetin dhe formën e namazit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, sepse ai e ka shprehur “Allahu Ekber” (اللهُ أكبر) me damma tek hemzeja, pra duke e shprehur ashtu siç duhet me zanore “u” tek hemzeja dhe jo me zanore “e”.
7. Shprehja “Allah El-Ekber” (Allahu është i Madh) ose “Allah El-Alij (Allahu është i Lartë) – kjo është në kundërshtim me konstanten e formës së namazit, sepse nuk është vërtetuar se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, të ketë marrë tekbirin me shprehje tjetër veç shprehjes “Allahu Ekber”. Transmetohet nga Ebu Said El-Hudriju, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, me hadith merfua (që i atribuohet Profetit), duke thënë: “Kur të thotë imami “Allahu Ekber”, atëherë edhe ju thoni “Allahu Ekber” (Allahu është më i Madhi).” [Transmeton Imam Bejhekiu, 2309].
8. Leximi i diçkaje nga Kur’ani duke qenë në ruku dhe sexhde – transmetohet nga Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, hadith merfua (i atribuohet Profetit): “Vërtetë unë uà ndaloj leximin e Kur’anit në ruku dhe sexhde.” [Transmeton Muslimi, nr. 479].
Ali ibn Ebi Talibi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, na e ka ndaluar leximin e Kur’anit duke qenë në ruku dhe sexhde.” [Transmeton Muslimi, nr. 480].
9. Shprehja “Rabbena lekel Hamd vesh-shukr (Zoti ynë Ty të takon lavdi dhe falënderimi)”, kur ngritesh nga rukuja – shtimi “vesh-shukr” (dhe falënderimi) nuk ka asnjë bazë në këtë pozicion, por ekzistojnë forma tjera të shprehjes në këtë pozicion, siç janë: “Rabbena lekel Hamd (Zoti ynë, Ty të takon lavdi)”, “All-llahumme Rabbena lekel Hamd (O Allah, Zoti ynë, Ty të takon lavdi)”, Rabbena ve lekel Hamd (Zoti ynë dhe Ty të takon lavdi)”, All-llahumme Rabbena be lekel Hamd (O Allah, Zoti ynë dhe Ty të takon lavdi)”. Të gjitha këto janë hadithe të sakta dhe nuk ekziston në to shprehja “vesh-shukr” (dhe falënderimi).
10. Shprehja “Allahu Ekber” kur ngritesh nga rukuja – kjo është në kundërshtim me atë çfarë thoshte Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në ruku. Ai kur ngritej nga rukuja thoshte “Semi Allahu li men hamideh (Allahu e dëgjoi se kush e falënderoi Atë)”.
Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kur ngritej nga rukuja dhe drejtohej, thoshte “Semi Allahu li men hamideh (Allahu e dëgjoi se kush e falënderoi Atë)”.” [Transmeton Buhariu, nr. 789 dhe Muslimi, nr. 392].
11. Mosngritja e duarve në: tekbirin fillestar, gjatë shkuarjes në ruku dhe pas kthimit nga rukuja – Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i ka ngritur duart e tij gjatë faljes së namazit në tre raste: në tekbirin fillestar, gjatë shkuarjes në ruku dhe pas kthimit nga rukuja. Tekstin e kësaj praktike e sjell Imam Sujutiu në “Katf El-Ez’har”, 33 dhe El-Kutani në “Nadhm El-Mutevatir”, 80
Shejh Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, tregon në “Fetava nur ala darb”, kaseta nr. 177, se ekziston edhe një rast gjatë faljes së namazit që duhet ngritur duart, e ajo është kur ngritemi nga teshehudi i parë.
12. Ngritja e duarve duke qenë ulur në teshehudin e parë kur ngritesh për në rekatin e tretë – është e ditur se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i ka ngritur duart kur është ngritur për në rekatin e tretë dhe këtë e transmetojnë shumica e sahabeve, siç janë: Aliu, Ibn Umeri, Ibn Zubejri, Ebu Hurejre, Ebu Katade, Humejdi dhe të tjerë, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë.
13. Ngritja e duarve afër barkut gjatë: tekbirit fillestar, shkuarjes në sexhde dhe kthimit prej saj, si dhe ngritjes nga teshehudi i parë për në rekatin e tretë – kjo është në kundërshtim me Sunnetin, sepse vërtetohet se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i ka ngritur duart deri tek shpatullat ose tek veshët. Kështu ka ardhur në hadithe të sakte dhe nuk ka ndonjë argument tjetër.
14. Moslidhja e duarve pas tekbirit fillestar – kjo është në kundërshtim me Sunnetin, sepse hadithe të shumta e përshkruajnë formën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, se ai mbi dorën e majt e ka vendosur dorën e djatht (në këtë formë duke i pasur të dy duart mbi gjoks) dhe nuk është vërtetuar se ai nuk i ka lidhur duart në namaz. Gjithashtu, një gjë e tillë (moslidhja e duarve në namaz) nuk është vërtetuar nga askush prej sahabeve, tabi’inëve dhe nga të tjerët prej selefëve (të parëve tanë të mirë).
15. Prekja e veshëve gjatë marrjes së tekbirit fillestar – Ky veprim nuk vërteton asgjë dhe bie në kundërshtim me Sunnetin. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i ngriti duart deri tek shpatullat ose afër veshëve dhe kjo është që ka ardhur në hadithe të sakta që është regjistruar në Sahihe, Sunnene dhe Musnede.
16. Shkuarja në ruku dhe pastaj të thuhet “Allahu Ekber” – sipas Sunnetit është që njëherë duhet thënë “Allahu Elber” pastaj shkohet në ruku. Transmetohet nga Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ka thënë: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, njëherë bënte tekbirin (thoshte “Allahu Ekber”) pastaj shkonte në ruku ose sexhde. Gjithashtu, transmetohet nga Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ka thënë: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem merrte tekbir kur kthehej nga rukuja dhe thoshte “SemiAllahu limen hamiden” derisa e drejtonte trupin e tij nga rukuja dhe më pas thoshte “Rabbena lekel hamd”, pastaj bënte tekbir (thoshte “Allahu Ekber”) kur shkonte në sexhde.” [Transmeton Buhariu, nr. 789 dhe Muslimi, nr. 392].
17. Shprehja “Rabbi-gfirli vel veledi vel xhemi el-muslimin (O Zot, më fal mua, prindërit e mi dhe gjithë muslimanët)” midis dy sexhdeve – kjo nuk ka argument dhe e obligueshme është të thuhet në atë pozitë “All-llahumme gfirli, verhamni, verzukni, vehdini, ve afini, verfe’ani (O Allah, më fal, më mëshiro, më furnizo, më udhëzo, më jep shëndet dhe më ngrit)” [Transmeton Ebu Davudi, nr. 850 dhe të tjerë nga hadithi i Ibn Abbasit, ndërsa Imam Neveviu e klasifikon hadith të mirë në “El-Edhkar”, nr. 168].
KUJDES: kush dëshiron të lutet për prindërit e tij dhe muslimanët, le të lutet në sexhde të tij. Transmetohet nga Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Robi më afër Zotit tij është kur gjendet në sexhde, andaj shtojini lutjet.” [Transmeton Muslimi, nr. 1083].
18. Moslëvizja e buzëve gjatë leximit – kjo është në kundërshtim me Sunnetin. Është e obligueshme që namazfalësi ta dëgjojë zërin e tij duke lexuar dhe kjo bëhet me lëvizjen e buzëve.
Është pyetur Ebu Ma’meri: “A lexonte Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në drekë dhe ikindi?”
Ai tha: “Po.”
E pyetën: “Si e vëreje?”
Tha: “Vërehej nga lëvizja e mjekrrës së tij.” [Transmeton Buhariu, nr. 760].
19. Shprehja “All-llahumme sal-li ala sejjidina Muhammed (O Allah, lartësoje zotëriun tonë Muhammedin)” gjatë teshehudit – shtesa “sejjidina (zotëriun tonë)” në teshehud nuk ka argument dhe e duhura është të thuhet salavati pa të (All-llahumme sal-li ala Muhammed).
20. Thënia e teshehudit me zë të lartë – sipas Sunnetit, thënia e teshehudit duhet të bëhet me zë të ulët e jo të ngritet zëri. Abdullah ibn Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: “Prej Sunnetit është që teshehudi të fshihet (të mos dëgjohet zëri).” [Transmetojnë: Ebu Davudi, nr. 986, Tirmidhiu, nr. 291 dhe ka thënë: “Hadithi është hasen-garib dhe dijetarët e hadithit veprojnë me të.”, e saktëson Ibn Huzejme, nr. 806, Hakimi në “El-Mustedrek”, nr. 870 dhe Shejh Albani në “Sunnen Ebi Davud”, nr. 986].
Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ulja e zërit gjatë leximit të teshehudit është mendim unanim i gjithë dijetarëve.” [El-Edhkar, nr. 134].
21. Zgjatja e selamit – sipas Sunnetit është që të bëhet pa zgjatje. Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: “Fshehja (ulja e zërit) e selamit është prej Sunnetit.” [Transmeton Tirmidhiu, nr. 297 dhe thotë se hadithi është hasen-sahih. Ibn Mubareku, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kjo do të thotë se nuk i shtohet zgjatje dhe kështu është e pëlqyer tek dijetarët.”
Shkruajti dhe përzgjedhi: Shejh Bedr ibn Muhamed El-Bedr El-Unezi në “Ulum El-Hadith”
Përktheu nga arabishtja: Amir Shabani
22.01.2020