GJENDJA E GRAVE NË XHENET

GJENDJA E GRAVE NË XHENET

0 8062

Falënderimi i takon Allahut Zotit të botëve, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të zgjedhurin e të dërguarve, Muhamedin, mbi familjen e tij dhe gjithë shokët e tij.

Pasi që kam hasur në pyetje të shumta rreth gjendjes së grave në xhenet, çfarë i pret ato, kisha dëshirë të i përmbledh disa dobi, për t’ua sqaruar këtë temë atyre, duke vërtetuar me argumente të sakta dhe thënie dijetarësh. Për atë them duke kërkuar ndihmë nga Allahu:

Dobia e parë: Nuk u ndalohet grave pyetjet e tyre për atë se çfarë i pret në xhenet nga shpërblimi dhe kënaqësitë e ndryshme, ngase shpirti njerëzor dëshiron të meditojë për udhëtimin dhe të ardhmen e tij. I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, nuk i ndalonte pyetjet e tilla nga pyetëset për xhenetin dhe çfarë ka në të, prej pyetjeve që iu drejtuan të Dërguarit salallahu alejhi ue selem është “Në xhenet me çfarë do të jenë të ndërtuara ndërtesat? Tha: “një tullë nga ari e një tullë nga argjendi” deri në fund të hadithit.

Dobia e dytë: shpirti i njeriut qoftë mashkull apo femër përmallohet dhe gëzohet gjatë përmendjes së xhenetit dhe çfarë ka nga shumë llojet e kënaqësive, kjo është mirë me kusht që të mos shndërrohen thjesht në shpresime të kota pa i pasuar me vepra të mira, Allahu u thotë besimtarëve: “E ky është xhenneti që u është dhënë për atë që keni punuar”Zuhruf 72. Pra mallëngjehuni shpirtrat me dituri rreth xhenetit dhe vërtetoni ato me vepra.

Dobia e tretë: Xheneti dhe kënaqësitë në te nuk  janë të veçanta për mashkullin e jo edhe për femrat por ai është “përgatitur për të devotshmit” Ali Imran 133.

Prej dy gjinive, siç na tregon për këtë Allahu i Lartmadhëruar: “Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë mashkull ose femër duke qenë besimtarë, të tillët hyjnë në xhennet dhe nuk u bëhet farë padrejtësie”.Nisa 124

Dobia e katërt: Gruaja duhet që të mos e lodh mendjen e saj me pyetje të shumta dhe hulumtim për detajet e hyrjes në xhenet: Ç’farë do të veprohet me te? Ku do të shkon? Etj.

Mjafton të dijë se vetë me hyrjen në xhenet shuhet çdo brengë apo vuajtje që ka pasur, e gjithë ajo do të shndërrohet në lumturi dhe jetë të përhershme, asaj i mjafton fjala e Allahut: “Ata aty nuk i godet kurrfarë lodhje dhe nuk do të nxirren kurrë prej tij”. Hixhr 48 “Atyre u shërbejnë me enë e gastare nga ari, aty do të kenë çka t’u dëshirojë shpirti dhe t’u kënaqet syri. Ju do të jeni aty përgjithmonë” Zuhruf 71.

Para gjithçkaje, asaj i mjafton fjala e Allahut për banorët e xhenetit: “Kjo është dita që të drejtëve u bën dobi drejtësia e tyre. Ata kanë xhenete në të cilët rrjedhin lumenj, janë për jetë të pasosur në to. All-llahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Ky është shpëtim i madh”.Maide 119

Dobia e pestë: Kur Allahu përmend mirësitë e ndryshme në xhenet nga llojllojshmëria e hajeve, pamjeve të bukura, banimeve dhe veshmbathjeve i përfshin me këtë të dy gjinitë, mashkull e femër, të gjithë kënaqen.

Por mbetet që Allahu ka josh burrat dhe përmallimin e tyre për xhenet duke cekur çfarë ka në të si hyritë dhe gratë e bukura, e diç e tillë nuk është cekur për gratë, ndonjë mund të pyet për shkakun e kësaj?

Përgjigja është:

1-se Allahu “nuk pyetet për atë që Ai vepron por ata pyeten” Enbija 23, mirëpo nuk prish punë nëse të përfitojmë nga urtësia e kësaj vepre prej teksteve të sheriatit dhe bazave të fesë, them:

-natyra e gruas është të jetë e turpshme, për këtë Allahu i Madhëruar nuk i përmallon për xhenet ato që turpërohen prej Tij.

-dëshira e gruas ndaj burrit nuk është si dëshira e burrit ndaj gruas, për këtë Allahu përmallon burrat me përmendjen e grave të xhenetit, këtë e vërteton edhe fjala e të dërguarit salallahu alejhi ue selem: “Nuk kam lënë pas meje për burrat fitne më të rëndë se sa gratë”. E transmeton Buhariu.

Ndërsa dëshira e gruas për zbukurim të veshmbathjeve dhe stolit e arit e argjendit tejkalon dëshirën për burrë, Allahu thotë: “A, atë që rritet me stoli”. Zuhruf 18.

-Shejh ibn Uthejmin ka thënë: “Allahu i ka përmendur gratë për burrat ngase burri është kërkuesi dhe dëshiruesi i grave, për atë u përmendën gratë për burrat në xhenet dhe ka heshtur për burrat e xhenetit për gratë, por kjo nuk nënkupton se ato nuk do të kenë burra, po ato do të kenë burra prej pasardhësve të Ademit.

Dobia e gjashtë: Gruaja në jetën e kësaj bote nuk del jashtë këtyre gjendjeve:

1-Ose të vdes para se të martohet.

2-Ose të vdes pas shkurorëzimit para se të martohet me tjetër

3-Ose të jetë e martuar mirëpo burri i saj nuk hyn me te në xhenet, Allahu na ruajt.

4-Të vdes pasi të martohet.

5-Ose ti vdes burri e të mbetet pa burrë deri sa të vdes.

6-Ose ti vdes burri e të martohet me një burrë tjetër.

Këto janë gjendjet e gruas në këtë botë dhe secili rast ka gjendjen e vet në xhenet:

1-Gruaja e cila vdes para se të martohet, Allahu këtë do ta marton në xhenet me një burrë nga banorët e xhenetit, mbështetur në fjalën e të dërguarit salallahu alejhi ue selem: “Në xhenet nuk ka beqari” e transmeton Muslimi. Shejh Uthejmini ka thënë: “Nëse gruaja nuk martohet në këtë botë, Allahu atë do ta marton me atë që ajo dëshiron në xhenet, pra kënaqësia në xhenet nuk është e veçuar vetëm se për burra, por është për burrat e për gratë, e prej kënaqësive të xhenetit është edhe martesa.

2-Gjithashtu edhe gruaja e cila ka vdekur duke qenë e shkurorëzuar.

3-Gruaja burri i së cilës nuk hyn në xhenet. Shejh Uthejmini ka thënë: “Gruaja nëse është prej banorëve të xhenetit, e nuk është martuar apo burri i saj nuk është prej banorëve të xhenetit, ajo kur të hyjë në xhenet, atje ka prej banorëve të xhenetit që nuk janë të martuar prej burrave, pra martohet me një prej tyre.

4-Ndërsa gruaja e cila vdes pas martesës së saj, dhe ajo është në xhenet me burrin e saj me të cilin ka vdekur.

5-Gruaja burri i së cilës ka vdekur dhe ajo nuk është martuar më pas deri sa të vdes, mbetet grua e tij edhe në xhenet.

6-Gruaja burri i së cilës ka vdekur dhe ajo është martuar pas tij, do të jetë me burrin e fundit që është martuar, mbështetur në fjalën e të dërguarit salallahu alejhi ue selem: “Gruaja është e burrit të fundit.”

Dhe fjala e Hudhejfes radijallahu anhu drejtuar gruas së tij: “Nëse do të jesh grua e imja në xhenet, mos u marto më pas ngase gruaja në xhenet do të jetë më burrin e fundit që e ka martuar në dynja, për atë Allahu ka ndaluar që gratë e të dërguarit të martohen më pas, ngase ato do jenë gratë e tij në xhenet.”

Një çështje: dikush mund të thotë: në lutjen që lexohet për xhenazen themi: Zëvendësoja një burrë më të mirë se burri i saj” nëse ajo ka qenë e martuar, si të lutemi me këtë lutje kur ne e dimë se burri i saj në dynja është burri i saj në ahiret, apo nëse nuk ka qenë e martuar?

Përgjigjja është ashtu siç ka thënë Shejh ibn Uthejmini: nëse ka qenë jo e martuar atëherë ka kuptimin një burrë më të mirë se sa ka qenë e paracaktuar për te në qoftë se kishte mbetur ende, e nëse ka qenë e martuar atëherë kuptohet më i mirë se ai në cilësitë në këtë botë ngase zëvendësimi bëhet me trupa, sikur po të shes një dele për një deve, dhe zëvendësim me cilësi është ai kur të të them Allahu i ka zëvendësuar mosbesimin e këtij njeriu me besim, sikur që është në fjalën e Allahut: “Ditën kur toka ndryshohet në tjetër tokë, e edhe qiejt (në tjerë qiej), e ata (njerëzit) të gjithë dalin sheshazi para Allahut, Një, Mbizotërues”. Ibrahim 48. Toka është tokë mirëpo ka lëvizur dhe qielli është po ai qiell por është çarë.

Dobia e shtatë: në një hadith të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem drejtuar grave është thënë: “Unë u kam parë shumicë të banorëve të zjarrit”. Dhe në një hadith tjetër i dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Me më pak nur të banorëve të xhenetit janë gratë.” E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Në një hadith tjetër të vërtetë është cekur se çdo burrë nga kjo botë do të ketë dy gra prej grave të kësaj bote.

Dijetarët kanë kundërthënie në lidhje me bashkimin e haditheve të më parme: pra se a janë gratë më së tepërmi në xhenet apo në zjarr?

Disa kanë thënë: Gratë do të jenë më numër më të madh në xhenet dhe po ashtu shumica e banorëve të zjarrit për nga numri i madh i tyre. Kadi Ijad ka thënë: “Gratë janë shumica e pasardhësve të Ademit.”

Disa të tjerë kanë thënë: Gratë janë shumica e banorëve të zjarrit bazuar në hadithet e më parme dhe ato janë shumica e banorëve të xhenetit nëse konsiderohen edhe hyritë, në atë rast bashkimi do ishte më tepër se burrat në xhenet.

Të tjerët kanë thënë: “Ato janë shumica e banorëve të zjarrit në fillim, pastaj do të jenë shumica e banorëve të xhenetit pasi që të dalin nga zjarri, pra myslimanet.

Kurtubiu në shpjegimin e fjalës së të dërguarit salallahu alejhi ue selem “U kam parë shumicë e banorëve të zjarrit” ka thënë: Mund të jetë kjo në kohë kur gratë janë në zjarr, e pasi të dalin me ndërmjetësim dhe mëshirë të Allahut të Madhëruar derisa të mos jetë asnjë nga ata që thonë la ilahe il Allah, atëherë gratë janë shumica e banorëve të xhenetit.

Si përfundim: gruaja të kujdeset të mos jetë prej banorëve të zjarrit.

Dobia e tetë: Nëse gruaja hyn në xhenet, Allahu ia kthen asaj rininë dhe e bën beqaresh, mbështetur në fjalën e të dërguari salallahu alejhi ue selem: “Në xhenet nuk hynë plak… Allahu i Madhëruar nëse i vendos ato në xhenet i shndërron në beqare.”

Dobia e nëntë: në disa fjalë të dijetarëve është thënë se gratë e kësaj bote do të jenë në xhenet më të bukura se hyritë shumëfish, duke konsideruar adhurimin e tyre ndaj Allahut.

Dobia e dhjetë: Ibn Kajimi ka thënë: “Dijeni se xheneti mehr e ka imanin dhe veprën e mirë e jo shpresat e kota me pakujdesi kujtoni fjalën e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem: “Nëse gruaja falë pesë kohët e namazit, agjëron muajin, ruan nderin, respekton burrin, asaj i thuhet: Hy në xhenet nga cila derë të dëshirosh”.

Keni kujdes thirrësit e fitneve dhe shkatërrimit të gruas prej atyre të cilëve dëshirojnë të keqen, abuzimin dhe shmangien nga fitimi i kënaqësive të xhenetit. Mos u mashtroni me shprehjet dhe zbukurimet e këtyre liberalëve si dhe kanaleve televizive, sepse ato siç thotë Allahu i Madhëruar: “dëshirojnë të mohoni ashtu siç mohuan ata e të bëheni të njëjtë”.

E lus Allahun që tua mundëson grave myslimane fitimin e xhenetit, ti udhëzon dhe ti bën udhëzuese për tjerët, ti shmangë nga ato shejtanët prej njerëzve. Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dërguarin tonë Muhamed, mbi familjen dhe shokët e tij.

Përktheu: Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 3108