Pyetje:
Shumë mysliman janë tolerant në lidhje me gjykimin me ndonjë ligj tjetër pos ligjit të Allahut të Lartësuar, duke besuar se kjo tolerancë nuk ka ndikim në të kapurit për fenë Islame, çka është e vërteta rreth kësaj çështje?
Përgjigje:
Kjo çështje ndahet në disa kategori dhe çdonjëra prej saj ka dispozitë të veçantë:
-Nëse ai i cili gjykon me ligj tjetër, pos ligjit të Allahut, e di se e ka obligim që të gjykojë me ligjin e Allahut dhe e di se ligjet e shpikura nga njerëzit janë në kundërshtim me sheriatin, por gjykimin me këtë ligj (të njerëzve) e sheh diçka të pëlqyeshme dhe se nuk ka mëkat për këtë vepër apo beson se e ka të lejuar të gjykojë me ligj tjetër apo beson se ky ligj është më i mirë se ligji i Allahut, apo beson se ky ligj është i barabartë me ligjin e Allahut dhe se njeriu ka të drejtë të zgjedhë të gjykojë me Kur’an dhe Sunet apo të gjykojë me ligjet e shpikura nga njerëzit, atëherë ky person ka bërë kufër të madh dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.
-Nëse gjykon me ligj tjetër dhe këtë vepër e bën si shkak i ëndjeve apo përfitimeve të çastit, por e di se është duke bërë mëkat të madh ndaj Allahut dhe se e ka obligim që të gjykoj me ligjin e Allahut, ky person nuk ka bërë kufër të madh i cili e nxjerr nga Islami, por ka bërë mëkat të madh ndaj Allahut që në të njëjtën kohë i themi kufër i vogël (që nuk nxjerr nga Islami), ashtu siç kanë thënë Ibn Abasi dhe Muxhahidi dhe dijetarët tjerë, se ky person ka bërë kufër të vogël, zullum të vogël dhe fisk të vogël dhe se nuk është kufër i madh, pra ky është mendimi i Ehlu Sunetit, ndërsa Allahu i Lartësuar në lidhje me këtë thotë:
“Dhe gjykoji sipas asaj që të shpallë All-llahu”[1]
“E kush nuk gjykon me atë që zbriti All-llahu, ata janë mohues.”[2]
“Ata që nuk gjykojnë sipas asaj që ka shpallur All-llahu, si ata janë zullumqarë.”[3]
“E kush nuk gjykon sipas asaj që All-llahu e zbriti, të tillët janë mëkatarë të dalë jashtë rrugës së Zotit.”
“Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtar, derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.”[4]
“A mos kërkojnë ata gjykimin e kohës së paganizmit?! E, kush është Gjykatës më i mirë se Allahu për njerëzit që besojnë bindshëm?”[5]
-Ligji i Allahut të Lartësuar është ligji më i mirë dhe është obligim të ndiqet ky ligj, sepse me këtë ligj rregullohet dhe përmirësohet gjendja e umetit, si në kohën tani ku jetojmë, po ashtu edhe për të ardhmen, me këtë ligj përmirësohet e gjithë bota, por shumica e njerëzve këtë nuk e dinë, Allahu na ndihmoftë dhe s’ka mund dhe fuqi pos të Allahut të lartësuar.[6]
Shejh AbdulAziz bin Baz –Allahu e mëshiroftë!-
Përktheu dhe përshtati nga arabishtja:
Mujdin Xh. Xhaferi
10/04/13
[1] Sure Maide,49
[2] Sure Maide,44
[3] Sure maide, 45
[4] Sure nisa, 65
[5] Sure Maide 50
[6] Burimi: binbaz.org.sa , Mexhmu el fetava vel mekalat mutenevia, pjesa 5