Pyetja: Jam një femër që do të kem provim në lëndën e rregullave të leximit të Kuranit (texhvid), provimi do të mbahet në një dhomë të mbyllur përpara tre profesorëve meshkuj, në një dhomë të mbyllur, ku do të jem unë dhe ata. A lejohet kjo? Duke jua bërë me dije se nuk ka profesoresha që do t’i zëvendësonin ata profesorë.
Përgjigje: Nuk prishë gjë nëse ti hyn në provim përpara tre profesorëve, me kusht që biseda jote të përkufizohet në gjërat e nevojshme, duke mos bërë përkëdheli në të folur. Më parësore do të ishte provimi i saj para profesoreshave apo në prani të një mahremi (mashkull i familjes së ngushtë) të saj, mirëpo nëse kjo nuk është e mundshme, atëherë nuk prishë gjë, sepse:
Një: Prania e një femre në mesin e disa burrave pa pasur ndonjë frikë nuk prishë gjë sipas disa dijetarëve. Ata mbështeten në hadithin që e ka shënuar Muslimi (2173) nga Abdullah ibën Amër ibën As se një grup njerëzish nga fisi Beni Hashim kishin hyrë te Esmaja, bija e Umejsit ndërkohë Ebu Bekri – burri i saj atëbotë – hyri dhe kur i pa ata nuk e pëlqeu këtë. Ia tregoi rastin Profetit, alejhi salatu ue selam dhe i tha: Tek ata pashë vetëm të mira. Atëherë, Profeti, alejhi salatu ue selam, tha: Allahu e ka pastruar atë nga ajo e keqe; kurse më vonë hipi në minber dhe tha: “Pas sodit, asnjë burrë nuk guxon të hyjë te një grua që nuk e ka burrin aty përveç nëse me të është edhe një burrë apo dy burra tjerë”.
Imam Neveviu në Sherh Muslim thotë: çdo grua që nuk e ka burrin e saj në shtëpi, d.m.th. pavarësisht a është jashtë vendit apo vetëm jashtë shtëpisë, ndërsa hadithi në fjalë flet për mungesën e Ebu Bekrit nga shtëpia.
Sipas këtij hadithi, mësohet se vetmia e dy apo tre burrave me një grua të huaj është e lejuar, megjithëse sipas medhhebit hanbelij një gjë e tillë është haram, atëherë shpjegimi i drejtë do të ishte se në këtë hadith bëhet fjalë për burra që nuk mund të supozohet se mund të bien në të keqen e madhe, për shkak se janë shumë të mirë, të moralshëm etj. Një gjë të tillë e shprehë edhe Kadi Ijadi.
Abdulaziz ibën Bazi ka thënë: “Nuk lejohet që gruaja të hipë në veturë me një vozitës që nuk është mahrem i saj, nëse nuk ka edhe dikush tjetër pos atyre dyve, sepse ashtu do të quhej vetmi (hulve) ndërsa Profeti, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Çdoherë që vetmohet një burrë e një grua, shejtani është i treti i tyre”. Por, nëse së bashku me ta është dhe një burrë apo më shumë ose dhe një grua apo më shumë, atëherë nuk prishë gjë, nëse nuk ka ndonjë frikë për ta. Sepse hulve-ja prishet me praninë e personit të tretë apo më shumë”. (Fetaval Meretil Muslime 2/556); (Fetva Shejh Bin Baz 5/78).
Dy: Sipas mendimit më të vërtetë zëri i gruas nuk është avret.
Në librin e medhhebit Shafij “Mugnil Muhtaxh” (4/210) thuhet: “Zëri i gruas nuk është avret, lejohet ta dëgjosh me vëmendje nëse je i sigurt nga fitneja. Pëlqehet prishja e zërit nga ana e saj kur t’i trokasin në derë, le të mos i përgjigjet me zë të butë, por le ta trashë zërin duke e venduar dorën mbi gojë”.
Në librin e medhhebit Hanbelij “Keshaful Kanaë” (5/15) thotë: “Zëri i gruas së huaj nuk është avret, porse haram është kënaqja më zërin e saj edhe në qoftë duke lexuar, e gjithë kjo nga frika e fitnes”.
Në Fetvatë e Komisionit të Përgjithshëm (17/202) thuhet: “Zëri i gruas si zë nuk është avret, prandaj nuk është haram të dëgjohet, përveç nëse biseda e saj bëhet me përthyerje dhe përkëdheli, në kësi raste ndalohet ta dëgjojë dikush tjetër përveç bashkëshortit, sepse Allahu ka thënë: “O gratë e të Dërguarit! Ju nuk jeni si gratë e tjera. Nëse i frikësoheni Allahut, mos flisni me përkëdheli, që të mos ju dëshirojë ai që ka zemër epshore, por flisni drejt dhe në mënyrë të ndershme” (Ahzab 32).
Allahu dhëntë suksese drejt asaj që Ai e do dhe është i kënaqur.
Allahu e di më së miri.
Burimi; albislam.com
Përktheu: Omer B.