Ibën Akili, -Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Nuk ia lejoj vetes sime të humbi asnjë moment të kohës në jetë. Nëse goja ime nuk ka mundësi të flet, syri nuk ka mundësi të lexon, atëherë e angazhoj të menduarit tim kur jam i shtrirë apo duke pushuar, ashtu që kur më kujtohet diçka me vlerë të ngritem dhe menjëherë e shënojë. Edhe pse tash i kam mbushur 80 vite, megjithatë e gjej të njëjtin apetit dhe vullnet për t’u pajisur me dituri ashtu siç kisha apetitin në moshën 20 vjeçare”.
Ibën Akili,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Unë e kursej kohën edhe kur jam duke ngrënë ushqim, filloj dhe marrë disa copa buke i lag me ujë dhe pastaj i ha, në mënyrë që ushqimi mos të më marrë shumë kohë, dua që shumicën e kohës sime ta ruaj dhe shfrytëzoj duke kërkuar dituri, e jo duke lozur apo duke ngrënë ushqim”.
Hasani,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,-ka thënë: “Kurrë nuk kam shikuar me sy, kurrë nuk kam folur me gjuhë, kurrë nuk e kam përdorur dorën dhe kurrë nuk kam qëndruar në këmbë derisa sa e kam marrë vesh se kjo vepër që po e bëj a është pajtim apo kundërshtim ndaj Allahut,- xhele veala!. Kur e kuptoja se kjo vepër është nw pajtim me Allahun e veproja, porse posa e merrja vesh qe vepra në fjalë është kundërshtim ndaj Allahut, largohesha nga veprimi i saj”.
Njëherë një burrë nga fisi Temim, thotë: “Unë e kam shoqëruar Rebi ibën Hejthem për dhjetë vite radhazi dhe e kam dëgjuar vetëm dy herë duke folur për çështje të kësaj bote. Njëherë më pyeti: “A e ke ende nënën gjallë?” Dhe njëherë tjetër më pyeti: “Sa Xhami posedoni në vendin tuaj”.
Hiljetul Evlija. vëll. 2, fq. 110.
Muhamed bin Jusuf el Asfehani, -Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë:
“Kush është më i mirë se shoku i drejtë? Familja juaj do të ndajë trashëgiminë që e keni lënë dhe do të kënaqet me parat e juaja, ndërsa shoku i juaj do të jetë i pikëlluar, i brengosur me trashëgiminë e veprave që ju i përfunduat dhe destinacionin final në të cilin do të përfundoni, derisa jeni të varrosur nën dheun e varrit”.
Transmetohet se Hasan ibën Zijad,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- edhe kur ka ngrënë bukë i ka thënë shërbëtorit të tij: “Eja dhe më lexo diçka të përfitoj dituri derisa të përfundoj ngrënien e ushqimit, ngase nëse goja dhe sytë janë të angazhuar me ushqim, veshët i kam të lirë të dëgjoj dhe të përfitoj dituri”.
Jahjha bin Muadh,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Me besimtarin sillu në njërën nga këto tri mënyra:
1. Nëse nuk ke mundësi t’i bësh mirë e t’i ndihmosh, atëherë mos i bëj keq.
2. Nëse nuk ke mundësi ta bësh të ndjehet i lumtur, atëherë së paku mos e mërzit e mos e dëshpëro me fjalë, vepra ose gjeste që e lëndojnë dhe mërzisin vëllanë tënd.
3. Nëse nuk e lavdëron vëllanë tënd, atëherë mos e bën gibet (përgojo) dhe mos e qorto”.
Ibën Kethiri,- ,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Sa i përket Ehli Sunetit dhe Xhematit, ata janë të mendimit se çdo fjalë dhe vepër e cila veprohet dhe nuk ka bazë tek sahabët, ajo vepër llogaritet bidat. Kjo qëndron kështu, sepse sikur veprimi i kësaj vepre të kishte vlerë, ata do ta vepronin si dhe do të bënin gara se cili prej tyre do e veprojë i pari veprën në fjalë, e nuk do bëhej fjalë aspak për neglizhim të asaj vepre”.
Omeri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Nëse ju polemizojnë juve ndjekësit e tekave dhe bidatit me Kur’an, atëherë ju përgjigjuni atyre me Sunet. Ngase Kur’ani përmban mundësinë e këndvështrimeve të ndryshme”.
Muhamed Ibën Vasiu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,-ka thënë: “Kam takuar njerëz të cilët vendonin kokën me kokën e grave të tyre në një jastëk, e jastëku lagej nga lotët e tij, kurse gruaja e tij nuk e hetonte. Gjithashtu kam takuar njerëz që duke qenë në saf qanin, kurse askush nuk e hetonte se po qante!”
Ejub Sihtijani gjithë natën falej, e kur vinte mëngjesi ngrinte zërin, sikurse është ngritur në ato çaste.
Motra e Rebij ibën Hejthem erdhi ta vizitojë atë dhe e përqafoi djalin e tij duke i thënë: “Si je djali im?” Rebij ibën Hejthem i tha motrës së tij: “A i ke dhënë gji?”. Ajo tha: “Jo”. Rebij ibën Hejthem ia ktheu duke i thënë: “Pse atëherë nuk e flisni të vërtetën dhe t’i thuash: “Si je nipi im”.
Ata bin Rebah,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,-ka thënë: “Selefi e konsideronin bisedë të kotë çdo gjë përveç Kur’anit dhe Sunetit, urdhërimin në të mirë e ndalimin nga e keqja si dhe bisedonin për çështjet prej të cilave varet jetesa në tokë. A e dini se i keni me vete melaqet të cilët shënojnë e regjistrojnë fjalët dhe veprat e juaja? A nuk do ju vije turp nëse njërit nga ju i shpaloset e i hapet regjistri i punëve të cilat i vepronin gjatë ditës e natës, e të mos gjejë aty asnjë vepër të cilën e keni vepruar për botën tjetër, çfarë do t’i thoni Allahut, pyeteni veten tuaj?!.”
Hatim el Asam, -Allahu qoftë i kënaqur me të!,-ka thënë: “Është e mashtruar zemra e atij i cili nuk i mendon katër rreziqe e nëse nuk mendon për to nuk është i mbrojtur nga mjerimi, trishtimi dhe humbja.
1. Rreziku i Ditës së Ndarjes, kur Allahu do të deklarojë: “Ky grup është për Xhenet e ky grup për në Xhehenem. Njeriu nuk e dinë se cilit grup do t’i takojë.”
2. Njeriu u krijua në tri errësira , kur engjëlli e shpalli atë në mesin e njerëzve të lumtur ose në mesin e njerëzve të mjeruar. E, njeriu nuk e dinë se a do të jetë i lumtur apo i mjeruar.
3. Kujtimi i trishtimit i cili pason menjëherë pas vdekjes, sepse njeriu nuk e dinë a do merr lajme të mira nga melaqet se Allahu është i kënaqur me të, apo do merr lajme hidhura se Allahu është i hidhëruar me të.
4. Dita kur njerëzimi do të qëndrojnë në grupe të shpërndara e tu tregohen veprat e tyre, e njeriu nuk e dinë a do të jetë nga të shpëtuarit apo të humburit”.
Hasani i tha Mutarrif el Harashit,- Allahu qoftë i kënaqur me të dy: “Këshilloji shokët tuaj”.
Mutarrifi i tha: “Kam frikë të flas diçka që nuk e veprojë vetë”.
Hasani ia ktheu: “A ka ndonjë njeri në mesin tonë i cili vepron të gjitha ato që e thotë? Shejtanit do t’i pëlqente shumë kjo, sepse nëse kështu analizohen gjërat atëherë askush nuk do të merrte guximin të urdhëronte në të mirë dhe të ndalonte nga e keqja”.
Ibën Kajimi, -Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Allahu e dënon me dy dënime atë i cili e harron Allahun dhe vazhdon me mëkate:
1. Allahun e harron atë dhe nuk e udhëzon në rrugën e drejtë.
2. Allahu e bën që ai ta harrojë vetveten e tij.
Kur Allahu e harron një person , atij i shkakton moskujdesje, e le të braktisur, pas dore dhe të pabindur. Si rezultat i kësaj rrënimi dhe shkatërrimi i afrohet më afër se duart dhe fytyra e tij”.
Hasan el Basriu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “O njeri, në të vërtetë ti je përmbledhje ditësh, çdo ditë që kalon, kalon një pjesë e jetës tënde”.
Abdullah ibn Mes’udi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Nuk e dua atë njeri i cili rri kotë, as nuk punon punë të kësaj bote e as botës tjetër”.
Njëri nga selefët ka thënë: “Kur mëkati i gënjeshtrës bëhet klithmë, britma dëgjohet deri te Allahu, dhe melaqet fluturojnë dhe ankohen çka kanë dëshmuar”.
Njëherë u takuan disa prej ulemave të selefit dhe filluan të bisedonin rreth asaj se sa lloje të gabimeve i keni parë tek biri i Ademit?
Njëri nga ta nuk ngurroi mori fjalën dhe tha: “Janë aq shumë saqë nuk kemi mundësi t’i numërojmë. Mirëpo unë deri tash i kam numëruar dhe me kanë ndalur rreth tetë mijë mëkate. Porse përkundër kësaj unë e gjeta ilaçin e mbulimit dhe largimit nga këto të meta dhe mëkate. Ilaçi i të gjitha këtyre mëkateve është ruajtja dhe kujdesi i gjuhës. Sepse shumica prej tyre burimin kryesorë e kanë gjuhën. Andaj ruani fortë gjuhën tuaj”.
Malik bin Dinari, -Allahu qoftë i kënaqur me të!,- e takoi një burrë i cili e falte namazin shkel e shko dhe tha: “Më vjen keq për fëmijët e tij”. Njëri nga ata që ishin prezent e pyeti me habi?! Ai nuk falet si duhet, por çfarë kanë të bëjnë me të fëmijët e tij?
Malik bin Dinari, tha: “Ai është udhëheqësi i familjes dhe ata marrin
mësim nga ai”.
Ebu el Lejth, -Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Ka qenë njëherë një baba i cili hezitonte t’i kërkonte të birit të tij shërbime sepse frikësohej se ai nuk do t’i kryente shërbimet dhe pastaj për këtë arsye ai të përfundonte në humnerën e zjarrit të Xhehenemit”.
Ibën Auvn,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- rrëfen se njëherë e kishte thirrur nëna tij. Ai iu kishte përgjigjur thirrjes së nënës si çdo herë, porse kësaj radhe e vërejti se zëri i tij i përgjigjes ishte me i ngritur lartë sesa zëri i thirrjes nga ana e nënës, kur e kuptoi këtë nuk ngurroi kërkoi falje dhe i liroi dy robër për ta fshirë gabimin e tij”.
Përzgjodhi dhe Përshtati: Suad Shabani
Burimi: albislam.com