KRIZA E TË MENDUARIT

KRIZA E TË MENDUARIT

0 1948

Zoti na tregon në Kuran, se në mes krijesave të kësaj toke, vetëm njeriu ishte ai që pranoi të mbarte përgjegjësinë e amanetit të Tij, ndërkohë që refuzuan nga frika, krijesa të tjera, shumë herë më të mëdha dhe më të fuqishme sesa njeriu. Kjo për arsyen e thjeshtë, se njeriu dallon nga krijesat e tjera të kësaj toke me aftësinë e të menduarit, që do të thotë aftësia e tij për të njohur dhe perceptuar botën, për të arsyetuar, gjykuar, reflektuar dhe vepruar, jo në vetëm në bazë të instinkteve, por mbi të gjitha në bazë të arsyes. Duke qenë i tillë, njeriu është i aftë, ndryshe nga krijesat e tjera, të ketë mundësinë e zgjedhjes dhe vetëadministrimit të jetës së tij. Ai veç kësaj, fal kësaj dhurate të Allahut, që është mendja, është i aftë të nënshtrojë botën përreth, si dhe shumë prej krijesave të tjera dhe t’i përdorë ato në dobi të tij. Mirëpo, mbi të gjitha, kjo aftësi e veçantë e qenies njerëzore e dhuruar nga Zoti, shoqërohet me përgjegjësinë e njohjes dhe bindjes ndaj Atij që i dhuroi këtë mirësi njeriut, ndaj si e tillë, ajo nuk duhet shpërdoruar dhe për më tepër nuk duhet atrofizuar, duke u bërë një imitues i verbër i gjithçkaje që sheh dhe dëgjon.

Ndërgjegjja e njeriut dhe përgjegjësia e të menduarit është individuale dhe jo kolektive, prandaj dhe çdo njeri, çfarëdo qoftë ai, mashkull apo femër, i bardhë apo i zi, i pasur apo i varfër është vetëpërgjegjës para vetes së tij, para Zotit dhe mbarë shoqërisë. Nga ky rregull përjashtohen pikërisht vetëm ata njerëz që e kanë të kufizuar ose inekzistente aftësinë e të menduarit. Kështu që nga kjo pikëpamje islame janë të papranueshme fenomenet dhe praktikat që pranojnë se individë të caktuar të kësaj shoqërie, mund t’i dhurojnë masave njerëzore sisteme të menduari apo të jetuari konform përfundimeve logjike të një njeriu, apo grupi njerëzisht të caktuar. Nëse njeriu si qenie e dobët, shfaq mangësi në të kuptuarin e shumë gjërave, kjo nuk do të thotë aspak se ai duhet t’i drejtohet llojit të tij të mangët, ndërkohë që nuk ka asnjë garanci, se duke i besuar gjithçka një njeriu tjetër si ai, do të mund të njohë të vërtetën e kësaj bote dhe të veprojë si duhet në të. Nëse njeriu ka nevojë për dikë në këtë drejtim, ai ka nevojë pikërisht për Atë që i dhuroi mendjen dhe arsyen dhe për askënd tjetër, fjalët dhe mendimet e të cilit, nuk e kanë burimin e tyre nga Dhuruesi i mendjes.

Allahu në Kuranin famëlartë na ofron modelin e të menduarit të njeriut të mençur duke thënë

“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për të mençurit, 191. për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.”

 Në këto ajete, Allahu na tregon për mënyrën se si mendon një njeri i mençur, për rrugën që ai ndjek dhe për përfundimin që nxjerr. Këta njerëz të mençur janë ata njerëz që nuk harrojnë ta përmendin Zotin në asnjë çast, janë pikërisht këta, njerëzit e mençur, ata të cilët pasi sodisin botën që i rrethon, mendojnë për motivin e krijimit të saj, jo thjesht për mënyrën se si ajo u krijua, apo për shkaqet fizike që e sollën atë në jetë, por për arsyen dhe qëllimin e ekzistencës së saj. Pas kësaj, Allahu na tregon se si mendimi i besimtarit përballet me dilemën e “ekzistencës së paqëllimshme”, tek e cila besojnë një pjesë e jobesimtarëve, duke hedhur poshtë idenë se kjo botë ekziston rastësisht dhe nuk përmbush asnjë qëllim pararendës e duke arritur kështu rrjedhimisht, në konfirmimin e qëllimit të krijimit, të cilin ai tashmë e njeh, por pas të cilit ai kërkon padyshim frytin e këtij meditimi dhe që është natyrisht shpëtimi. Kështu pra, nëse do ta përmblidhnim, do të thoshim se të menduarit e besimtarit kalon nëpër disa faza. E para, është motivimi për të soditur botën, që pasohet nga mahnitja nga krijimi i Zotit, më pas, nga pyetja përse, e më pas tek arritja e përgjigjes së saktë dhe shmangia e të gabuarës dhe në fund, ecja në rrugën e shpëtimit.

Mendimi është një proces që kërkon kohën e vet, ai përmban periudhën e përsiatjes dhe reflektimit dhe si i tillë, njeriu e ka të pamundur ta kalojë këto proces me shpejtësi. Krijimi i Zotit dhe bota mahnitëse mes së cilës njeriu jeton edhe pse nuk është statike, por e gjallë dhe dinamike, është mjaftueshëm e ngadaltë për t’i dhënë kohën e duhur njeriut, për të medituar për pamjen statike dhe dinamike të saj. Nata dhe dita, dielli dhe hëna, qielli dhe toka, stinët dhe klima, lindja dhe vdekja, si dhe çdo fenomen tjetër natyror i kësaj bote, ndodhin në një periudhë kohore të mjaftueshme për ta bërë njeriun të meditojë dhe reflektojë mbi jetën dhe arsyen e krijimit.

Ndërkohë, objektet të cilat më së shumti e rrethojnë njeriun modern, janë produkt i dorës së tij, dheu i rrugëve mbi të cilin mbin bari është i mbuluar nga asfalti, mbi të nuk ecin më kafshët, krijesat e paimitueshme të Zotit, por makinat produkt i njeriut, qyteti ku ai jeton është i mbushur me pallate të larta, që ia kalojnë hijeve të pemëve, ku edhe këto të fundit janë mbjellë nga dora e njeriut dhe krasitur dhe prerë po nga dora e tij, qielli është veshur me smog gri, edhe ky produkt i njeriut, ku dhe yjet mezi dallohen përtej tij. Jeta e njeriut të sotëm pothuajse rrethohet në shumicën e rasteve vetëm nga produkte njerëzore, të cilave u njihet fillimi dhe data e skadencës dhe si të tilla, ato nuk ndjellin kurrfarë kërshërie meditimi. Pothuajse çdo produkt i sotëm njerëzor, duke nisur që nga ushqimet e deri tek i ashtuquajturi art, fabrikohet dhe konsumohet në një kohë marramendëse. Në të nuk ka asgjë enigmatike, asgjë të panjohur, dhe për rrjedhojë, asgjë për të menduar, thjesht një botë kalimtare që rrjedh shpejt dhe përlumshëm, ku sasia dhe shpejtësia e shijimit të saj bashkë me përmbajtjen, nuk të rezervojnë asnjë kënaqësi meditimi. Intensiteti i madh i informacionit, bollëku i figurave dhe përmbajta shterpe e gjithë këtij kaosi të qëllimshëm, bashkë me atë që përmendëm më sipër, si dhe faktorë të tjerë të rëndësishëm e kanë shndërruar njeriun e sotëm në mjaft raste, në një imitim të shëmtuar të vetë produkteve të pajeta që ai prodhon, në një manekinë apo një makinë që edhe mund të përllogarisë dhe veprojë shumë shpejt, por që nuk mendon dhe as nuk mediton për atë që qëndron përtej kësaj jete dhe kësaj bote të kufizuar. Kështu pra, nëse Zoti e vendosi njeriun në një botë, e cila në çdo germë të saj shqipton Emrin e Tij dhe i kujton njeriut qëllimin e tij të ekzistencës, njeriu që nuk beson me aftësinë e tij të kufizuar krijuese, nisur nga mosbesimi, ka krijuar një botë të rreme thuajse virtuale, gjeneruesit e së cilës janë të gjitha ideologjitë jofetare dhe epshet njerëzore që mohojnë Zotin ose rolin e Tij në botën e njeriut. Për këtë dhe njeriu i sotëm e në veçanti rinia, edhe pse mund të gjesh mes saj zgjuarsi të lindur, të dhuruar nga Krijuesi, nuk arrin të perceptojë më shumë sesa anën e jashtme të gjërave, gjë që për rrjedhojë, shpie herët ose vonë drejt mosbesimit. Këtë fenomen Allahu e ka treguar mjaft qartë në Librin e Tij duke thënë:

“Ata dinë vetëm anën e dukshme të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të pavëmendshëm. 8. Vallë, a nuk mendojnë ata në vetvete? Allahu ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe ato që gjenden në mes tyre – vetëm me qëllim dhe afat të caktuar. E, me të vërtetë, shumica e njerëzve nuk besojnë në takimin me Zotin e tyre.”

Kështu pra, njeriu i sotëm, viktimë e së cilës më së shumti është rinia bashkëkohore, është zhytur në përjetimin e një morie pafund shijesh të shkurtra si: seksi, droga, alkooli, sporti, lojërat e fatit, muzika, kinemaja, fotografia, videoklipi, komedia, etj., si dhe në një mori disiplinash shkencore, si informatika, mekanika, mjekësia, arkitektura, financa, marketingu etj., të cilat si qëllim të tyre fillim e mbarim sot kanë vetëm përmbushjen e egos njerëzore, që përkthehet në dëshirën e tij për pasuri, kërshëri, pushtet dhe përjetësi. Allahu e përshkruan këtë mjaft qartë në fjalën e Tij kur thotë:

 “Kurse ata që mohojnë shpalljet tona, do t’i godasë dënimi për shkak të mohimit. 50. Thuaj: “Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut apo se e di të padukshmen dhe as nuk them se jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet”. Thuaj: “A barazohet i verbri me atë që sheh? A s’po mendoni?”

Nëpërmjet këtyre fjalëve që Allahu i mëson Profetit t’u thotë atyre që nuk besojnë, ne kuptojmë pikërisht atë se për çfarë mendojnë dhe jetojnë njerëzit jobesimtarë të kësaj bote, për pasuri, për të njohur gjithçka, për pushtet dhe për përjetësi. Janë pikërisht këto preokupime, me të cilat vrasin mendjen njerëzit e sotëm dhe janë pikërisht këto, edhe kriteret e vlerësimit që dominojnë mentalitetin e botës së sotme, të cilave Allahu iu jep përgjigje me këto fjalë, të cilat Ai i mbyll me një pyetje mjaft domethënëse: “A barazohet i verbri me atë që sheh? A s’po mendoni?”, duke na treguar se të mendosh vetëm për këto gjëra, është verbëri e mendjes.

Një model të këtij të menduari në mënyrë të verbër, Allahu na e jep në Kuran, kur na tregon për një nga armiqtë e tij, sesi ai me të ashtuquajturën zgjuarsi të tij, mohojnë të vërtetën dhe shpalljen e Allahut. Ai thotë:

“Ai mendoi dhe kurdisi. 19. Qoftë i mallkuar, për atë që kurdisi! 20. Prapë qoftë i mallkuar, për atë që kurdisi 21. Pastaj vështroi rreth vetes rrudhi vetullat dhe u vrenjt, pastaj u kthye i kapardisur dhe tha: “Kjo nuk është tjetër, veçse magji nga ato të vjetrat; 25. Kjo nuk është tjetër, veçse fjala e një njeriu!” 26. Unë do ta hedh atë në Zjarr të Xhehenemit.”

 Modeli i të menduarit të këtij njeriu, paraqitet si vijon: ai fillimisht mendon sipërfaqësisht për shkaqet e jashtme, pasi nuk gjen në to asgjë që të përmbushë gjykimin e tij sipërfaqësor, pra ka mungesë objektiviteti, kalon direkt në vetëpërcaktimin subjektiv të motivit të asaj që sheh, duke dhënë një gjykim tërësisht të pasaktë dhe të padrejtë, duke mohuar kështu të vërtetën, Fjalën e Zotit dhe për rrjedhojë, i kundërvihet udhëzimit të Tij, dhe si i tillë ai është i humbur dhe nuk vjel gjë tjetër nga ky i menduar shterp, veçse humbjen e tij.

Kështu pra, në momentin që meditimi mbi botën dhe fenomenet që na rrethojnë, laicizohet dhe zhvishet nga e shenjta që qëndron pas saj, çdo gjë reduktohet ngjashëm në një teneqe të zbrazët, që kumbon në një zhurmë pashije dhe që nuk të thotë asgjë që të mbush shpirtin. Është pikërisht kjo “zhurmë” që ndot dhe rrethon me akustikën e saj pa pushim, jetën e njeriut të sotëm ngado që ai shkon, e cila nuk e lë atë të mendojë i qetë dhe i pavarur, nuk e lë të meditojë për botën dhe të reflektojë për shpëtimin e tij personal.

Ndoshta treguesi më i qartë i kësaj bote, apo këtij brezi që nuk mendon, është rënia e dëshirës dhe vullnetit për të lexuar dhe rritja e epshit vetëm për të parë e dëgjuar dhe për të imituar e llomotitur sa më shumë. Autori i librit “Lamtumirë Fjalë” citon disa fakte tronditëse, se si për një periudhë njëzet vjeçare (1982-2002) në grupmoshën nga 18-24 vjeç, treguesi i leximit kishte rënë në 28%, grup ky, i cili kishte më shumë gjasa të përcaktohej si grupi që ka të ngjarë të lexojë më shumë, por që sot rrezikon të quhet grupi që ka gjasa të lexojë më pak. (fq. 120) Ndërkohë, një anketim i një reviste në Lindjen e Mesme (El-Kabes) konstatonte se 72 % e të rinjve preferojnë kompjuterin para librit, 10 % e të anketuarve pengohen nga koha e pamjaftueshme për të pasur një kohë të veçantë për leximin, kohë kjo që zihet nga gjumi, ulja nëpër kafe, përsëritja e mësimeve dhe shikimi i televizorit, ndërkohë 18 % e brezit që po rritet nuk është i bindur se bibliotekat publike kanë rëndësi. Xhorxh Uill, një tjetër studiues ky, pohon se: “Sot fëmijët shpenzojnë më shumë kohë pranë lodrave elektronike sesa para televizorit, mesatarisht 5.5 orë në ditë.”

Këtu nuk mund të lë pa cituar një pasazh nga libri “Lamtumirë Fjalë” të autorit Hart Uegner, i cili thotë: “Kujt duhet t’ia hedhim fajin? Nëse shoqëria bashkëkohore është shndërruar në një mjedis armiqësor ndaj librit, nuk ke nevojë të shkosh tutje për të gjetur arsyet e saj, mjafton të shfletosh faqet e romanit futuristik “451 Gradë Fahrenhait” i shkrimtarit Rej Bredbëri, ku kjo ide shfaqet në shprehjen e saj më të skajshme. Këtu lexuesi ndeshet me një shoqëri, ku qëllimi më i lartë është të jesh i gëzuar, librat digjen pasi ata shkaktojnë pakënaqësi. Në këtë realitet, televizioni është i vetmi mjet informacioni e dëfrimi dhe, i alternuar me drogën, ky është i vetmi shteg drejt lumturisë. Mbajtja e librave është e ndaluar. Edhe leximi, si të jetë një veprimtari armiqësore, është nxjerrë jashtë ligjit.” Uegner, më tej pohon se: “Megjithëse kanë kaluar afro 40 vjet që kur Fransua Tryfo e përshtati për ekran “451 Gradë Fahrenhait-in”, përfundimet janë dramatike për shikuesin bashkëkohor. Kushdo që do ta rishohë filmin tani në 2006, do të vërejë me keqardhje se elemente të dikurshme, të ashtuquajtura “tmerre” të letërsisë fantastiko-shkencore, rrezikojnë të bëhen pjesë përbërëse e jetës sonë.” (fq.7)

 Kështu pra, të nderuar pjesëmarrës, syri dhe veshi janë shqisa, mjete për të vënë mendjen dhe mendimin në punë, Zoti prandaj na i ka dhuruar. Por, nëse kënaqja shterpe e këtyre shqisave kthehet qëllim në vetvete, nëpërmjet një bote virtuale, imazh-epshndjellëse dhe një akustike droguese që ngjan më tepër me zhurmën, atëherë padyshim që rinia e sotme do të përjetojë krizën e të menduarit dhe do të humbasë shumë së qeni, qenie e përgjegjshme njerëzore.

 J. Topulli

10/01/2013

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 581