KUPTIMI I DËSHMISË “MUHAMEDI ËSHTË I DËRGUAR I ALLAHUT DHE OBLIGIMET E UMETIT ISLAM NDAJ SAJ

KUPTIMI I DËSHMISË “MUHAMEDI ËSHTË I DËRGUAR I ALLAHUT DHE OBLIGIMET E UMETIT ISLAM NDAJ SAJ

0 2871

Allahun e vetëm pa shok e falënderojmë dhe e lavdërojmë dhe vetëm prej tij ndihmë dhe falje gjynahesh kërkojmë dhe shpresojmë, e lusim Allahun xh.sh. me emrat e Tij të bukur dhe me atributet e tij të larta, të na ruaj prej së keqes e cila është pasojë e veprave tona, kë do që Allahu e udhëzon në rrugën e drejte nuk ka kush e humbë dhe kë do që Allahu e devijon nga rruga e drejtë me drejtësine e Tij nuk ka kush e udhëzon në të,

 besoj dhe deklaroj me të vërtetë dhe me të drejtë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut të vetëm pa shok dhe besoj dhe deklaroj se Muhamedi-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, është rob, njeri dhe i dërguari i tij, njeriu më i përzgjedhur, u dërgua si paqe mëshirë për të gjithë botrat, paqja, begatitë, mirësitë dhe lumturia e Allahut qofshin mbi të dhe mbi gjithë ata që ndjekin dhe pasojnë rrugën që ai e skicoi deri në ditën e gjykimit.

Në vijim:

O ju njerëz kini frikë Allahun ashtu siç ju ka urdhëruar Allahu në librin e tij të urtë ku thotë: “O ju njerëz, kini kujdes ndaj Zotit tuaj dhe kini frikë ditës kur prindi nuk mund t’i bëjë dobi fëmijës së vet, e as fëmija nuk mund t’i bëjë dobi asnjë send prindit të vet”.[1] Gjithashtu Allahu thotë: “O ju që besuat, kinie frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)![2]

Robër të Allahut:

 Dijeni se nga obligimet më madhështore pas njohjes së kuptimit të fjalës “La ilahe ilallah” është që robi të njeh kuptimin e dëshmisë “Muhameden resulullah”, sepse përmendja e njërës prej tyre e patjetërson tjetrën, kushtet e fjalës “La ilahe ila-Allah” janë po ato të njejtat të asaj “Muhameden resulullah” po ashtu me çfarë prishet (negacionet) njëra, prishet edhe tjetra, pra “La ilahe-ilallah” që do të thotë në përkthimin më të qëlluar dhe më saktë “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë dhe me të vërtet përveç Allahut të Vetmit të pa shok”.

Ndërsa kuptimi i dëshmisë “Muhameden resulullah”, se Muhamedi-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, është i Dërguari i Allahut,d.m.th. : pranimi i saj me gojë, besimi i saj i paluhatshëm me zemër se Muhamed ibn Abdullah el-Hashimij el-Kurejshi është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij, të cilin Allahu e dërgoi mbi gjithë krijesat qofshin ata xhin apo njerëz.

Kjo dëshmi patjetërson: respektimin e Muhamedit-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, me atë që urdhëron, besimi në atë çfarë ai lajmëron, largimi nga ajo që ai na ndalon dhe qorton, si dhe të adhurohet Allahu vetëm se nëpërmjet asaj që ai e ligjëson . Prandaj obligohemi ti besojmë sheriatit të tij-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, dhe ti nënshtrohemi atij: në fjalë, vepra, besim; qoftë ajo që ka të bën në lidhje me besimin në Allahun, pejgamberët, melaiket, librat e Tij, ditën e gjykimit apo kadanë dhe kaderin e Tij, apo veprimet sipas mësimeve të Tij si qoftë ajo në: shehadet, namaz, zekat, agjërimi haxhi etj… si dhe për shumë gjëra tjera të cilat janë bërë legjislative në dorën e tij-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, si: bamirësia, respektimi i prindërve, komshive, ruajtja nga përgojimi etj.

Për tri gjëra bazë që duhet ti din besimtari në jetën e tij është edhe njohja e Muhamedit-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Përveç njohjes së Allahut dhe fesë së Tij duhet ta njeh edhe pejgamberin e Tij i cili është Muhamed ibn Abdullahu ibn Abdulmutalib ibn Hashimi, kurse Hashimi është prej Kurejshëve, kurejshët prej arabëve, e arabët janë nga pasardhësit e Ismail ibn Ibrahimit-paqja e Allahut qoftë mbi të, Halilit të dashurit të Allahut, selamet më të mira qofshin mbi të dhe mbi pejgamberin tonë. Jetoi 63 vjet, 40 vjet para pejgamberllëkut, 23 pas saj si Pejgamber dhe i Dërguar.

Pejgamber u bë me fjalën “Ikra” (lexo) pra me ajetin e parë që i zbriti të sures A’lak, u bë i dërguar më pas me suren Mudethir, vendlindja e tij ishte Mekeja. Emigroi pas dëbimit në Medine, e dërgoi Allahu që tua tërheq vërejtjen njerëzve që të largohen prej shirkut, i ka thirrur njerëzinë në njëshmërinë e Allahut, kështu veproi dhjetë vite duke thirrur vetëm se në teuhid-besim, pastaj u ngjit në qiell ku ju bë obligim falja e 5 kohëve të namazit. Në Mekë u fal tri vite pastaj u urdhërua të emigron në Medine, në vendin ku i zbritën dispozitat tjera të sheriatit, si: zekati, haxhi, agjërimi, xhihadi, ezani, urdhërimi për të mirë dhe ndalimin nga e keqja madje edhe shumë dispozita tjera. Kështu vazhdoi rruga e tij për dhjetë vitet e fundit të tij-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të.

Vdiq i Dërguari i Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të, ndërsa feja e tij mbeti e nuk u zhduk me vdekjen e tij-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, por ai-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, e këshilloi umetin e tij për çdo të mirë dhe e paralajmëroi atë nga çdo e keqe. Ai është vula e të dërguarve dhe e pejgamberëve, nuk ka profet pas tij, e ka dërguar Allahu për gjithë njerëzinë, e bëri obligim respektimin dhe pasimin e tij mbi xhinët dhe njerëzit, kush e ndjek atë dhe rrugën e tij hyn në xhenet, e kush e kundërshton rrugën e tij hyn në xhehenem.

Njohja e të Dërguarit të Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, arrihet duke e mësuar jetën e tij, se si ai-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, e ka adhuruar Allahun, sjelljen e tij fisnike, thirrjen e tij në rrugë të Allahut, xhihadin e tij në rrugë të Allahut e kështu me radhë, pra të ketë dije mbi çdo aspekt për të-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Kjo na bën me dije se çdo besimtarë i cili dëshiron që ta shton njohjen e tij mbi Muhamedin-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, duhet ta lexoj jetëshkrimin e tij, pra të njihet se si ai është sjellë me Allahun e tij, në adhurimin e tij, si është sjellë me familjen e tij, si është sjellë me shokët e tij, si është sjellë me farefisin e tij, si është sjellë me fqinjët e tij, si është sjellë me besimtarët ne përgjithësi, si është sjellë me pabesimtarët, si është sjellë ne luftë e kështu me radhë, prandaj e lusim Allahun të na bën prej pasuesve të tij-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, haptas dhe fshehtas, të na forcon në këtë rrugë deri kur ta takojmë Allahun e Ai të jetë i kënaqur me ne.

 O ju besimtarë ja këto janë obligimet që i ka umeti i tij ndaj të Dërguarit të tij:

 – Besimi i drejtë mbi të si dhe besimi i tij në çdo gjë që më të cilën është dërguar. Thotë Allahu në Kuran: “Atëherë pra, pranojeni Allahun, të dërguarin e Tij dhe dritën që e zbritëm Ne. Allahu është i njohur për atë që veproni”.[3]

I Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Jam urdhëruar ti luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë se nuk ka Zot tjetër pos Allahut dhe të më besojnë mua me atë çfarë jam dërguar”.[4]

Besimi në të është të besosh në profecinë e tij si dhe se Allahu atë e ka dërguar tek njerëzit dhe xhinët, të besohet çdo gjë që i ka zbritur atij, si dhe çfarë ka thënë ai, duke pasur barazi në besimin e tij në zemër, me gojë dhe në vepër, e kjo është plotësimi i besimit mbi të Dërguarin e Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, në mënyrë të plotë.

–                      Obligueshmëria e respektimit të tij-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, dhe kujdesi nga kundërshtimi i tij prandaj kur besohet ai-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, atëherë obligohet respektimi i tij, thotë Allahu në Kuran: ” O ju që besuat, respektoni Allahun dhe të dërguarin e Tij, e mos e braktisni atë se ju dëgjoni”.[5] Po ashtu Allahu thotë: “Çfarë t’ju jep Pejgamberi, atë merreni e çfarë t’ju ndalojë, përmbajuni dhe kinie frikë Allahun, se Allahu është ndëshkues i ashpër”.[6]

Ebu Hurejrja-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush më respekton mua e ka respektuar Allahun, kush më kundërshton mua e ka kundërshtuar Allahun”.[7]

Po ashtu nga ai përcillet se i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ”Të gjithë njerëzit do të hyn në xhenet përpos atij i cili nuk do”. – I thanë sahabët: E kush nuk do o i  Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të? – Tha i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “Kush më respekton mua do të hyn në xhenet, ndërsa kush më kundërshton mua nuk do”.[8]

Ibn Omeri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të:” Jam dërguar para kijametit me shpatë derisa të adhurohet Allahu e të mos i bëhet shok atij, ndërsa rrizku im është bërë ndër shtizën time, kurse poshtërimi dhe mposhtja është për atë i cili më kundërshton mua, kush i përngjan një popullit ai është prej tyre”.[9]

– Pasimi i sunetit të pejgamberit-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, marrja e tij si model dhe ndjekja e udhëzimi të tij, Allahu thotë: “Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu të ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë”.[10] Gjithashtu Allahu thotë: ”Ndiqnie rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën”.[11] Prandaj duhet ta ndjekim udhëzimin e tij, sunetin e tij, pra të mos e kundërshtojmë atë. I Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush i largohet sunetit tim, ai nuk është i imi”.[12]

– Prej obligimeve të këtij umeti ndaj të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, është dashuria ndaj tij më shumë se familja, fëmijët, prindërit dhe të gjithë njerëzit. Allahu thotë: Thuaj (o i dërguar): “Në qoftë se etërit tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se Allahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa Allahu të sjellë vendimin e Tij. Allahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur”.[13]

Enesi-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk beson ndonjëri prej jush derisa unë të jem më i dashur tek ai se fëmija i tij, prindërit e tij dhe njerëzit në përgjithësi”.[14]

Prandaj nuk ka kurrfarë dyshimi se kujt i mundësohet ta ndjek rrugën e tij, ai e shijon ëmbëlsinë e imanit, ndjen kënaqësi në këtë rrugë, madje i tejkalon të gjitha peripecitë që i dalin në këtë rrugë duke qenë i kënaqur me Allahun dhe të Dërguarin e tij -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Ky njeri çdo rrugë e sheh në sheriatin e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ngase ai është i kënaqur me të si i Dërguar dhe e do atë -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Pra kush e do të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, sinqerisht e pason atë ashtu siç thotë poeti:

I bën mëkat Zotit tënd derisa pretendon se e do Atë

Kjo me të vërtet në analogji është e çuditshme

Në qoftë se je i sinqertë në dashuri do ta pasoje atë

Sepse i dashuruari atë që e do e respekton

Shenjat që tregojnë se e duam të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, janë:

Pasimi i sunetit të tij, marrja si shëmbëlltyrë e të Dërguarit të Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, largimi nga ndalesat e tij, ecja sipas edukatës së tij në vështirësi dhe në rehati.

– Gjithashtu prej obligimeve të umetit ndaj të Dërguarit të Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, pas vdekjes së tij është edhe ndihma e tij dhe nderimi i tij, siç thotë Allahu në Kuran: ”Që ju (njerëz) t’i besoni Allahut dhe të dërguarit të Tij dhe atë ta përkrahni e ta respektoni, e (Allahun) ta madhëroni për çdo mëngjes e mbrëmje”.[15]

Nderi i të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, pas vdekjes së tij, ndihmesa e tij duhet të jetë prezent në çdo rast të jetës së tij, sikurse me qenë prezent me të, pra kur përmenden hadithet e tij, suneti i tij, gjatë dëgjimit të emrit të tij, jetëshkrimit të tij, mësimit të sunetit të tij si dhe thirrja në thirrjen e tij si dhe ndihmesa e kësaj thirrjeje.

– Gjithashtu prej obligimeve tona ndaj të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, është dërgimi i salavateve mbi të, thotë Allahu në Kuran: Është e vërtetë se Allahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhëronie pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam”.[16] I Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush dërgon një herë salavat mbi mua, Allahu dërgon dhjetë herë salavat mbi të”.[17]

Po ashtu i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Koprrac është ai, në praninë e të cilit përmendem unë e ai nuk dërgon salavate mbi mua”.[18]

Salavatë mbi të Dërguarit e Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, është legjislative në shumë raste, Ibn Kethiri-Allahu e mëshiroftë, përmend 41 vende, prej tyre do të cekim si për shembull:

Salavati mbi të Dërguarit e Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, gjatë hyrjes në xhami dhe gjatë daljes prej saj. Salavatet pas ezanit, salavatet pas ikametit, gjatë bërjes së duasë, në teshehud, në namazin e xhenazës, gjatë mëngjesit dhe mbrëmjes, ditën e xhuma, gjatë tubimeve dhe pas shpërndarjes nga tubimi, gjatë hutbeve si gjatë hutbeve të xhumasë, kur shkruhet emri i tij-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, në namazin e Bajrameve ndërmjet tekbireve, në fund të duasë së kunutit, në Safa dhe Merves gjatë sajit, kur qëndron pranë varrit të tij, kur jemi ngushtë në vështirësi, pas mëkatit, si dhe në shumë vende tjera të cilat i ka cekur Ibn Kajimi-Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “Xhelaul efham fi salati ve selami ala hajril enam”.

– Prej obligimeve të këtij umeti ndaj ti është është edhe:

            Obligueshmëria në të gjykuarit sipas gjykimit të tij, pas të cilës duhet të jetë i kënaqur me gjykimin e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, thotë Allahu në Kuran: ” Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit po qe se i besoni Allahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mire”.[19] Gjithashtu Allahu thotë: “Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht”.[20] Gjykimi me sunetin e tij dhe me sheriatin e tij vazhdon edhe pas vdekjes së tij.

– Gjithashtu prej obligimeve të këtij umeti ndaj tij është edhe:

Ngritja e pozitës së tij në vendin e duhur, duke mos e tepruar e as duke qenë neglizhent ndaj tij -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, se ai është rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij. Se ai është i Dërguari më i mirë mbi sipërfaqen e tokës nga të gjithë të dërguarit e tjerë, zotëriu i të parëve dhe të fundive. Pronari i vendit të lavdëruar (mekamul-mahmud) dhe i liqenit, hauzit në xhenet. Mirëpo përskaj të gjithë kësaj ai është njeri i cili nuk e ka në dorë dëmin dhe dobinë, as për veten e tij e as për të tjerët, veçse çfarë do Allahu, siç thotë dhe Allahu në Kuran: “Thuaj: “Unë nuk u them juve se i kam në kompetencë depotë e Allahut (e t’ju sjellë mrekulli), as nuk pretendoj se i di fshehtësitë (e t’ju tregojë se kur do t’ju vijë dënimi), as nuk u them se unë jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet mua.[21] Gjithashtu në suren Araf thotë Allahu: “Thuaj: “Unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, pos çfarë do Allahu. Sikur ta dija të fshehtën, do të shumoja për vete të dobishmet, e nuk do të më prekte gjë e keqe. Unë nuk jam tjetër vetëm se qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë”.[22]

Prandaj edhe i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, vdiq njejtë si profetët tjerë, mirëpo mbeti feja e tij deri në ditën e gjykimit, thotë Allahu në Kuran: “Ti do jesh i vdekur dhe ata do të jenë të vdekur.[23]

Me këtë kuptohet se nuk e meriton adhurimin dikush tjetër pos Allahut të pa shok, thotë Allahu në Kuran: “Thuaj: “Namazi im, kurbani im dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)![24]

Kurse në fund kërkojmë mbrojtje prej shejtanit të mallkuar, thotë Allahu në Kuran: Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun”.[25]

Allahu na dhashtë bereqet neve dhe juve me Kuranin famëlartë, na bëftë dobi të gjithëve me ajetet e tij dhe përkujtimin e tij të urtë, i them këto fjalë dhe kërkoj falje nga Allahu për mua dhe për ju nga çdo mëkat, kërkoni falje sepse Allahu është Falës, mëshirues.

Për në fund:

 Fjala më e bukur është fjala e Allahut në Kuran, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, e gjërat më këtë këqija janë gjërat e shpikura, risitë, bidatet. Çdo shpikje është bidat, çdo bidat është humbje e çdo humbje e ka vendin në zjarin e xhehenemit.

Robër të Allahut:

Kinie frikë Allahun e Lartmadhëruar, dijeni se prej obligimeve më të mëdha që duhet ti din robi është ta njeh sa më shumë pejgamberin e tij si dhe ta beson atë, të vepron sipas sunetit të  tij, ta repsketon atë nga “jashtë” dhe nga “brenda”. Thotë Allahu: “Prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) se ata do t’i zë ndonjë telashe, ose do t’i godasë dënimi i idhët”.[26]

Pra vëllezër dhe motra dërgoni sa më shumë salavate mbi të dërguarin më të mirë, mbi pejgamberin tonë Muhamedin të birin e Abdullahut-paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. O Allahu lëshoj bekimet dhe mirësit tua mbi të, o Allah je i kënaqur me shokët e tij: Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin, Aliun si dhe sahabët e tjerë të pejgamberit tonë në përgjithësi. O Allah ndihmoje islamin dhe muslimanët, poshtërsoe shirkun dhe mushrikët, ndihmoji robërit e tu të drejtë që të të njëhsojnë Ty, o Allah kërkojmë prej Teje të na falësh në dunja dhe ahiret, o Allah kërkojmë mbrojtje prej Teje nga vështirësitë e belave, nga përfundimi i keq, caktimi i keq, nga poshtrimi i armiqve. O Allah ne kërkojmë mbrojtje me Ty që të mos na largohen begatitë e Tua, shëndetin që na e ka dhënë, nga dënimi i papritur si dhe nga hidhërimi i Tij.

O Allah o Zoti ynë, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtarët qofshin ata të gjallë apo të vdekur. Na fal neve, të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve, mbroi ata nga dënimi në varr dhe nga dënimi i xhehenemit, më mëshirën Tënde o Mëshirues,Mëshirbërës.  Allahu thotë në Kuran: “ “Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër, dhe na ruaj prej dënimit me zjarr![27]

Robër të Allahut, Allahu thotë në Kuran: ” Allahu urdhëron për drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.”[28]  Përmendeni Allahun e madh që Ai tju përmend juve, falenderoni Atë që tua shton të mirat, pasi që të përmendurit e Allahut është diçka e madhe Allahu e din çfarë punoni!

Përktheu: Nexhat Ceka

[1] Llokman:33.

[2] Ali Imran:102.

[3] Tegabun:8.

[4] Mutefekun alejhi.

[5] Enfalë:20.

[6] Hashr:7.

[7] Transmeton Buhariu.

[8] Transmeton Buhariu.

[9] Transmeton Ahmedi, Buhariu  mualekan(pa përmendjen e zinxhirit ),ndërsa hadithi është hasen – i mirë.

[10] Ali Imran:31.

[11] Araf:158.

[12] Transmeton Buhariu.

[13] Teube:24

[14] Mutefekun alejhi.

[15] Fet’h:9.

[16] Ahzab:56.

[17] Transmeton Muslimi.

[18] Transmeton Tirmidhiu e të tjerët ndërsa hadithi është i besueshëm.

[19] Nisa:59

[20] Nisa:65

[21] Enam:50

[22] Araf:188

[23] Zumer:30

[24] Enam:162-163

[25] Ahzab:21

[26] Nur:63

[27] Bekare:201

[28] Nahl:90

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 598