Nëse një agjërues shkon prej një vendi në vend tjetër dhe në vendin e parë lajmërohet hyrja e muajit Shevval (Bajrami), a llogaritet edhe për këtë kjo ditë, ditë Bajrami, gjersa në vendin ku është tani ende nuk është parë hëna e muajit Shevval?
Përgjigje: Nëse njeriu transferohet prej një vendi Islam në vend tjetër Islam dhe Bajrami i vendit në të cilin shkon vonohet, ai duhet të mbetet me ata në agjërim derisa të vijë Bajrami.
Sepse agjërim është dita kur agjërojnë njerëzit, Bajram është dita kur hajnë njerëzit dhe kurbani pritet ditën kur njerëzit presin kurban. Ky edhe pse agjëron një ditë më tepër ose më pak, kjo është e njëjtë sikur rasti kur udhëton prej një vendi në vend tjetër në të cilin vonohet perëndimi i diellit në krahasim me vendin e parë.
Ka mundësi që atë ditë agjëron dy, tre ose më tepër orë.
Kështu është edhe nëse shkon në vend tjetër, ku ende nuk është parë hëna.
E dijmë se Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, na ka urdhëruar që të mos agjërojmë përveç me shikimin e hënës, po ashtu ka thënë: “..dhe lëreni agjërimin kur ta shihni hënën”.
Ndërsa e kundërta, të transferohet prej një vendi në të cilin është vonuar dalja e hënës në një vend në të cilin hëna ka dalë më para, në këtë rast ai e bën Bajramin së bashku me ata dhe e plotëson atë që i ka mbetur nga Ramazani. Nëse i ka ikur një ditë, kompenson një ditë, nëse dy, i kompenson dy. Për rastin e dytë themi se duhet të kompensojë për shkaku se muaji nuk mund të ketë më pak se 29 ditë apo të ketë më tepër se 30 ditë.
Thamë se duhet të bëjë Bajram edhe nëse nuk i ka plotësuar 29 ditë, nga shkaku se hëna është parë, e kur të shihet hëna është e domosdoshme ndërprerja e agjërimit. Por pasi ka agjëruar më pak se 29 ditë –ndërsa, dihet se muaji nuk mund të ketë më pak se 29 ditë- atëherë e ka detyrim t’i plotësojë 29 ditë me kompensim.
Gjë që është e kundërt me çështjen e parë, ku nuk guxon ta ndërpresh agjërimin përveç kur ta shohësh hënën. Nëse nuk e sheh, atëherë ende je në Ramazan. Pra, nuk mundesh ta ndërpresh agjërimin gjersa ende e ke detyrim të agjërosh. Edhe pse bëhen më shumë ditë, ajo llogaritet sikurse të agjërosh më shumë orë në ditë.
përktheu: Omer B.