Kur është dita e Ashurasë këtë vit dhe çfarë vlere ka?

Kur është dita e Ashurasë këtë vit dhe çfarë vlere ka?

0 1302

Pyetje: Kur është dita e Ashurasë këtë vit dhe çfarë vlere ka?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut të madhëruar, paqja dhe bekimi i tij qofshin mbi të Dërguarin dhe ithtarët e tij:

Dita e Ashurasë është dita e dhjetë e muajit muharem që është muaji i parë i vitit hënor. Këtë vit, dita e Ashurasë bie të martën me datë 6/12/2011 që përputhet me datën 11/1/1433 sipas kalendarit hënor. Meqë i Dërguari na ka treguar se muajt hënor mund t’i kenë 29 apo 30 ditë varësisht prej asaj se kur e shohim hënën ose thënë ndryshe nëse në natën e 30 të muajit paraprak e shohim hënën e re të muajit vijues atëherë llogaritim ditën e nesërme si dita e parë e muajit të ri, në këtë rast sipas shikimit të hënës dita e 10 e muajit muharem  do jetë dita e 11 e kalendarit hënor. Këtë ndryshim e sqaron profesori S’ad ibën Turki Hathlan në faqen e tij zyrtare të internetit.

Agjërimi i kësaj ditë është një vepër e pëlqyer dhe me shpërblim të madh. I Dërguari ka thënë: “shpresoj tek Allahu që me agjërimin e kësaj dite të na falë mëkatet e vitit të kaluar” (Muslimi)

I Dërguari “kujdesej tepër për të agjëruar këtë ditë të cilën e mbivlerësonte nga ditët tjera” (Buahriu)

Kur i Dërguari migroi në Medinë vuri re se hebrenjtë agjëronin këtë ditë dhe pasi i pyeti për arsyen e agjërimit, ata thanë: në këtë ditë Allahu i shpëtoi hebrenjtë  nga faraoni, prandaj këtë ditë e agjëroi Musai. I Dërguari tha: “unë jam më i denjë të pasoj Musain se sa ju. Kështu agjëroi këtë ditë dhe urdhëroi të tjerët të agjërojnë” (Buhariu)

Preferohet që kësaj ditë t’i shtohet me agjërim një ditë para, pra dita e nëntë e muajit muharem sepse i Dërguari ka thënë: “nëse jam gjallë vitin e ardhshëm do agjëroj edhe ditën e nëntë” (Muslimi)  kështu vendosi në mënyrë që t’i kundërshtojë ithtarët e librit (Ibën Tejmije në Fetava Kubra)

Disa dijetarë kanë preferuar që kësaj ditë t’i shtohet edhe një ditë pas duke u mbështetur në një hadith rreth të cilët ka mospajtime për vërtetësinë e tij. Të tjerët këtë e kanë preferuar në mënyrë që të sigurohen për agjërimin e kësaj dite sepse muajt hënor dinë të ndryshojnë.

Nëse ndonjëri kompenson ditë të ramazanit gjatë këtyre ditëve dhe bën nijet edhe Ashuranë atëherë merr shpërblimin e agjërimit të borxhit të tij që janë ditët e Ramazanit ashtu siç merr edhe shpërblimin e agjërimit të Ashurasë. (Ibën Uthejmin, Fetava sijam, 438)