Në Kur’anin Fisnik ka lloje të ndryshme të zemrave, prej tyre:
1- Zemra e shëndoshë.
Kjo është zemra e sinqertë për Allahun, e pastër nga kufri, nifaku dhe shthurja. Allahu ka thënë: “Vetëm ai që vjen te Allahu me zemër të shëndoshë…” (Shuara, 89.)
2- Zemra e përulur.
Zemra e përulur është ajo zemër, e nënshtruar, e qetë në përmendjen e Allahut. Allahu ka thënë: “… dhe zemrat e tyre të jenë të përulura.” (Haxhxh, 54.)
3- Zemra e penduar.
Zemër e penduar, është zemra që çdo herë kthehet, pendohet tek Allahu dhe nënshtrohet. Allahu ka thënë: “I cili është frikësuar nga Allahu në mos prezencë (pa e parë) dhe ka ardhur i penduar.” (Kaf, 33.)
4- Zemra e devotshme.
Zemër e devotshme, është ajo zemër që madhëron fenë e Allahut. Allahu ka thënë: “E kush madhëron fenë e Allahut , ajo është shenjë e zemrës së devotshme.” (Haxhxh, 32.)
5- Zemra e dridhur.
Zemër e dridhur, është ajo zemër që i frikësohet Allahut, dhe frikësohet se mos vallë Allahu nuk ia pranon punët dhe nuk shpëton nga ndëshkimi. Allahu ka thënë: “Edhe ata të cilët japin (sadaka-zeqatë) nga ajo që u është dhënë, dhe u dridhen zemrat për shkak se do të kthehen te Zoti i tyre.” (Mu’minun, 60.)
6- Zemra e qetësuar.
Zemër e qetësuar, është ajo zemër që qetësohet me njëshmërinë dhe përmendjen e Allahut. Allahu thotë: “… me të përmendur Allahun zemrat e tyre qetësohen…”. (Rrad, 28.)
7- Zemra e udhëzuar.
Zemër e udhëzuar, është ajo zemër që është e kënaqur me caktimin e Allahut dhe e dorëzuar para urdhrave të Tij. Allahu thotë: “… dhe kush i beson Allahut, Ai do ta udhëzojë zemrën e Tij…” (Tegabun, 11.)
8- Zemra e gjallë.
Zemër e gjallë është ajo zemër që mendon dhe merr mësim. Allahu thotë: “Këtu ka, njëmend, argumente për ata që kanë zemër…” (Kaf, 37.)
9- Zemra e sëmurë.
Zemër e sëmurë, është ajo zemër që e ka goditur dyshimi, nifaku, e kanë vërshuar mëkatet dhe sëmundja e epsheve të ndaluara. Allahu ka thënë: “… e të lakmojë ai, zemra e të cilit është e sëmurë …” (Ahzab, 32.)
10- Zemra e verbuar.
Zemër e verbuar, është ajo zemër që nuk shikon, nuk percepton dhe nuk respekton hakkun (të vërtetën). Allahu ka thënë: “… por verbërohen zemrat në kraharor.” (Haxhxh, 46.)
11- Zemra e shkujdesur nga Kur’ani.
Zemër e shkujdesur nga Kur’ani, është ajo, e zënë me të kotën dhe epshet e kësaj bote, nuk mediton çka ka në të. Allahu ka thënë: “Me zemrat e tyre të shmangura (të llastuara).” (Enbija, 3.)
12- Zemra mëkatare.
Zemër mëkatare, është ajo zemër që fsheh të vërtetën. Allahu ka thënë: “Dhe mos e fshihni dëshminë, sepse kush e fsheh atë, ai ka zemër mëkatare…” (Bekare, 283.)
13- Zemra mendjemadhe.
Zemër mendjemadhe, është zemra që nuk pranon njëshmërinë dhe nënshtrimin ndaj Allahut, tirane me shumë padrejtësi dhe armiqësi. Allahu thotë: “Ashtu, Allahu vulosë zemrat e çdo arroganti përbuzës”. (Gafir, 35.)
14- Zemra e papërgatitur.
Zemër e papërgatitur është ajo zemër që nuk përmend Allahun, ka ndikuar epshi që mos e respektojë Allahun. Allahu thotë: “… dhe mos iu nënshtro atij zemrën e të cilit e kemi lënë të papërgatitur ndaj nesh, dhe pason epshin e vet…” (Kehf, 28.)
15- Zemra dyshuese.
Allahu ka thënë: “… dhe zemrat e të cilëve dyshojnë…” (Teube, 45.)
16- Zemra e ashpër.
Zemër e ashpër, është ajo zemër prej së cilës është larguar mëshira. Allahu thotë: “… sikur të ishe i ashpër dhe zemërfortë do të iknin prej rrethit tënd…” (Ali Imran, 159.)
17- Zemra e prishur, që pason të dyshimtën.
Allahu ka thënë: “… zemrat e të cilëve janë të prishura…” (Ali Imran, 7.)
18- Zemra e vulosur.
Zemër e vulosur është ajo që nuk dëgjon udhëzimin dhe nuk e kupton. Allahu ka thënë: “… dhe e ka vulosur zemrën e tij edhe veshët e tij…” (Xhathijeh, 23.)
19- Zemra e fortë.
Zemër e fortë është ajo zemër që nuk zbutet për imanin e as nuk ndikon tek ajo ndëshkimi, qëndron larg përmendjes së Allahut. Allahu ka thënë: “… dhe zemrat e tyre i bëmë të forta…” (Maide, 13.)
20- Zemrat në këllëf.
Allahu ka thënë: “… (ata thonë) zemrat tona janë në këllëf…” (Bekare, 88.)
O Allah, bëji zemrat tona të nënshtruara, të buta, dhe që të përkujtojnë Ty. Amin!
Përshtati: Valdet Kamberi
Burimi: albislam.com