LULJA E KATËRT

LULJA E KATËRT

0 1478

Pas këtij zgjimi vazhdova rrugëtimin tim nëpër kopsht. Dora e djathtë pa ndonjë shkak i afrohej syrit dhe e fërkonte sikurse kur flenë njeriu. Por, e vërteta ishte se mendimet rreth adhurimeve e kishin treguar ndikimin e tyre në mua. Një ndjenjë gëzimi në ato çaste u zbulua te vetja ime, ku ende e ndieja aromën e lules të cilën e lashë pak më parë. M’i mori mendtë dhe thuajse e harrova krejtësisht lulen që e lëshova kur sytë m’i mori shkëlqimi i lules së radhës që për pak sa nuk e shkela. Me të kapur në dorë fitova përshtypjen se do të më befasojë, as vetë s’e dija pse, por përshtypjen që la në mua e tregoi këtë. Pa humbur kohë, po ia japë fjalën lules ta shpalos atë të cilën e ka brenda.

Aty shkruante: Ali ibën Ebu Talibi ka thënë: “Gjatë muajit të Ramazanit ju duhet t’i shtoni kërkesat e lutjes për falje, ngase lutja ua largon fatkeqësitë, kurse kërkimi i faljes ju shpëton nga mëkatet.”

Dihet se besimi e kufizon njeriun në vepra, mirëpo e nxit atë në mirësi pakufi. Në këtë muaj lutjet e zemrës i drejtohen Atij mbi Arsh me duart e kthyera kah Ai dhe të shoqëruara me sytë e njomura. Nevoja për Të është më e madhe se sa që janë të mëdha dëshirat e njeriut, kurrë gjuha s’duhet të pushojë nga përmendja e Atij për të ta dhënë atë që s’e ke dhe për të ta shtuar atë që e ke.

Njeriu duhet që të tregohet i varfër karshi kërkesave të tij drejtuar të Madhit dhe duhet të bëhet një besimtar falënderues për lutjet që Ai ia pranon. Sepse aty ku ekziston lutja, aty ka dëshirë, e aty ku ka pendim, aty ka falje. Durimi nevojitet në shpëtimin e vetes nga rrëshqitja në të këqija, ngase dera e mëkatit është një derë e mbyllur, e nëse hapet, vështirë se mbyllet. Vetja si angazhohet, aso rezultatesh edhe jep, nëse loton për mëkatet e bëra, e ujit të ardhmen e ndritur. Gjëja e cila është e fshehur mund të kuptohet veç nga njohuria të cilën e posedon njeriu mbi gjënë në fjalë. Një fjalë që buron nga zemra ndikon në qëllimin për ku është dedikuar, ndaj sa ma të pastra zemrat, aq më të sinqerta do të jenë fjalët. Në çast, sytë më ishin marrë nga lulja, ku dielli i kishte rënë me rrezet e veta dhe shkëlqimi i saj ishte reflektuar në sytë e mi. U largova pak si anash, por pa e lëshuar fare nga dora. E afrova edhe një herë ta nuhasë, ku për një copë herë u kujtova se lutja e largon të keqën që ka pasur të të vijë dhe e afron të mirën që ka pasur për të t’u larguar. Ndjeva një lloj frymëmarrjeje të thellë në brendinë time prej ku ofshave, por me qëllim të mirë mbi këtë ndjenjë.

Si është jeta, koha kalon, për atë që shfrytëzohet, kujtohet me gëzim, për atë që të ikë, pendohesh pse s’e ke shfrytëzuar. Ndaj, fitimi është që ta nxësh çastin, e jo ta grumbullosh mallin. E unë, e mora mirësinë e lules, kurse atë e lashë në vendin e saj…

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 575