LULJA E NJËZETË

LULJA E NJËZETË

0 1638

Në ecje e sipër u kujtova në argumentet të cilat i kisha lexuar se dhjetëshja e tretë e këtij Muaji është për shpëtimin e atyre që janë dënuar duke i nxjerrë prej ferri në Parajsë. Mëshira e Zotit lëshuar te robërit e Tij që t’i mbulojë si rezultat i angazhimit të tyre që janë duke e bërë për Të.

Për vete e ka robi, çkado të veprojë atë e korr. I madhi Zot nuk ia humb mundin, madje i jep më tepër se ajo që ai ka bërë. Me këto mendime që silleshin vërdallë në kokën time, lulja e radhës sikurse ishte ulur dhe më priste që ta marrë, më bëri këso përshtypje ajo kur e mora në dorë. Kësaj radhe sytë sa hapi dhe sa mbylli ato e bënë punën e tyre të rëndomtë.

Aty shkruante: Ebu Dherri i ka thënë Tarik ibën Kajsit: “Nëse agjëron, ruaju sa të mundesh.”

Nxitjet të cilat depërtojnë te njeriu dhe të cilat e fusin atë në lëvizje, burojnë nga dëshirat e brendshme për ta realizuar qëllimin e tij jashtë. Kur veten e vë nën kontroll, i turpërohesh vetëm syrit të Atij i Cili të mbikëqyrë ty dhe i Cili është në dijeni për çdo vepër tënden. Ndaj, aq sa ushqehet shpirti, po aq i qetë ndjehet trupi. S’është tërë te e dukshmja, por te ndjenjat që i lëvizin trupat drejt cakut të tyre.

Nëse gjatë agjërimit, kujdesesh për çastet e kohës, me siguri pjesën më të madhe të kohës do ta shfrytëzosh në mirësi. Ngase me të drejtë është thënë: Dija e përvojës fitohet në jetë, e jeta e dijes është përjetimi i asaj që di. E kur ti shndërrohesh në mirësi duke i shfrytëzuar mirësitë e këtij Muaji, me siguri dobitë e tij do bëhen pjesë e pandarë e jetës sate edhe pas përfundimit të tij.

Kjo jetë është e tillë, krejt mbarojnë, mbetet “…vetëm fytyra e Zotit tënd…”, ndaj për Të të angazhohemi dhe veprat tona të mbesin te Ai përherë. Se frymëzimi për të kërkuar falje për gabimin e bërë është nga çiltëria e zemër që ta largojë nga vetja nënçmimin që e përjetoi dhe të kërkojë ta mëshirojë Ai që fal gabime.

Në këtë Muaj, më mirë ruhemi kur angazhohemi në vepra të cilat na ruajnë neve. Më mirë të lexojmë një faqe dhe të meditojmë mbi të lexuarën se sa të lejojmë të na shkel koha e të mos e hetojmë. Humbja e një sendi të shtrenjtë, shtrenjtë paguhet. Kur e humb një zemër, sado të kthehesh mbrapa, të njëjtën nuk mund ta gjesh kurrë më…

Ende kisha qenë me lulen në dorë, dhe ende e kisha përshtypjen që disi ajo po qëndron ulur dhe po më shikon. Trupi i saj ishte i tillë që në mua e jepte këtë përshtypje. Sido që të jetë, mësimet që jam duke i marrë, më duket se vetëm unë i di dhe vetëm unë jam duke i përjetuar. Nga dija veç ai që e ka nxënë ka mbetur i pakënaqur, në kuptimin se duke hulumtuar ende kurrë s’është ngopur prej saj.

Deti pa brigje, është thënë për të, me këtë thënie e lashë lulen që pata në dorë dhe vazhdova rrugëtimin…

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 573