Pa bërë zë kalove dhe erdha këtu. Ndjenjat midis pikëllimit dhe gëzimit më përfshinë në çast, nga pikëllimi që përjetova prej lules paraprake dhe gëzimit që do të ballafaqohem me lulen e radhës. Çdo hap përpiqesha ta bëjë me vëmendje dhe të tregohem i vëmendshëm ndaj çdo luleje që do të merrja në dorë. Me këtë ndjenjë në ecje, kur ja, një lule me kundërmimin e saj më bëri për vete dhe vetja ime u shndërrua në të dhe kjo më bëri ta marrë në dorë.
Në dukje ishte pak më e vogël se lulja të cilën sapo e lashë, por kishte një kuptim që mora mësim të madh, aty shkruante: Enes ibën Maliku ka thënë: “Udhëtonim me të Dërguarin e Allahut, as agjëruesi s’e qortonte personin që hante, e as personi që hante nuk e qortonte agjëruesin.”
Një rrëqethje më kaploi tërë trupin dhe mornicat më dridhen prej këmbëve e deri në kokë. Çfarë shëmbëlltyre kishte i Dërguari, pa fjalë mësonte dhe me heshtje fliste. Fenë e morën nga edukata e Tij, e Ai u bë shembull për ata në përditshmërinë e tyre. Kjo më kujtoi në një thënie që më herët e kisha lexuar, e që kishte lënë përshtypje te unë, ndaj edhe e mbaja mend, kur udhëtimin e bën me dikë që e do, harrohen mundimet, e kur etja shuhet me fjalë, tregon se fjala nga zemra ka dalë.
Kjo fe është jetë, pasi jetës i jep frymë dhe ajo jetohet sipas rregullave të saj. E yrnekun që e dha te shokët u reflektua në mënyrën që ata ta ndjekin Atë nga veprat edhe nëse s’i dëgjojnë fjalët. I madh ishte Ai, por veten e konsideronte të barabartë me të tjerët, saqë në ndejat me shokët e Tij, i huaji nuk mund ta dallonte Atë derisa të prezantohej. Dihet se njeriu në jetë niset me kohë të shumtë, e pa vepra, e në jetë, me ato vepra që merret, e tregojnë karakterin e njeriut. Por Ai, vështirësinë e mbante për vete, kurse të tjerëve u mundësonte t’i shfrytëzojnë lehtësimet.
Njeriu sa përpiqet për mirë, e mira aq edhe e përcjell në jetë, me atë që merret, atë edhe e fiton. Kuptohet se angazhimi i madh, i ka edhe shpërblimet e mëdha, sepse të thuhet fjala, s’duhet vetëm guximi, por edhe dija mbi të. Për këtë është i kuptueshëm edhe fakti se çdo vështirësi ka rrugëdalje, veç nevojitet durimi që ajo të tejkalohet. Aty ku ka durim, ka idhtësi në fillim, në fund ka shpërblim. Më vështirë ruhet shpërblimi i një vepre se të kryhet vepra përsëri, u kujtova në çast. Deri në këtë moment kisha bërë një lloj dialogu me këtë thënie, vërtetë dija në fe është kandil në rrugën e errët. Më la të habitur kjo lule me tërë kuptimin që po ngërthen në vete. S’desha ta lë, por ja që erdhi çasti, vetëtimthi e lëshova, por para saj zemra i pëshpëriti fjalët: Dije se jeta është e shkurtër, andaj më mirë se të bësh mirë nuk ka!
BLERIM MUHAXHERI
Burimi: albislam.com