Sapo e lëshova lulen paraprake, dhe ashtu i përkulur siç qëndroja e vërejta lulen e radhës. Ky m’u duk çasti më i shpejtë i lëshim-pranimit të luleve, në fakt, në zemër ishte krijuar një ndjenjë që nuk linte hapësirë të madhe për pikëllim, aty e dija se gëzimi vjen shumë shpejtë.
Me të kapur në dorë, desha së pari ta lexojë vetë. Nga leximi i parë nuk arrita ta thith tërë kuptimin e saj, mendova se me të lexuar edhe për të tjerët, do ta fitojë atë që duhet prej saj. Aty shkruante: Ebu Alia ka thënë: “Agjëruesi është i nxënë me adhurim derisa nuk përgojon dikë.”
Nëse tek njeriu nxënë vend fjalët e Zotit, lëvizjet e tij do të jenë në pajtim me to, sepse ai i cili mediton për fjalët e Zotit, vetëm për Zotin përmallohet. I këndshëm është thithja e ushqimit të shijshëm, por më i shijshëm është nxënia e fjalëve të Zotit për njeriun e arsyeshëm. Koha është e shkurtër, s’arsyetohet ta nxësh me atë që s’të bën dobi, për këtë arsye asnjëherë mos pusho së luturi, sepse Ai dëshiron të dëgjojë zërin e robit të Tij të mirë.
Një lutje e mirë i troket dyert e qiellit dhe i hap shpresat e zemrës, e nga i Dërguari na është transmetuar se lutjet e agjëruesit nuk refuzohen. E madhe është mëshira e Atij që dashurinë e sinqertë në mes nesh e bëri përmes besimit, sepse ku ka dashuri, edhe të metat nuk vërehen, e ku s’ka vërejtje, raportet vazhdojnë. Më mirë ta kapim gjuhën e të mësojmë nga heshtja, se sa të flasim duke mos menduar mbi pasojat e fjalëve.
T’i japim përparësi asaj e cila nuk shihet, mirëpo që na e sjell kënaqësinë shpirtërore në çastin kur na e jep shikimin duke medituar mbi bindjen. Dihet se njeriu i cili merret me veten, do ta kuptojë se vetja i mjafton për çdo gjë. Të mos ngurojmë të pyesim, kur duam që të mësojmë, dhe të mos i humbim dobitë e Ramazanit, duke mos u interesuar për mirësitë e tij.
Në çastin kur gjurmon, s’mund të mbetesh duarthatë, ndaj më mirë medito mbi gishtin se sa ta vendosësh gishtin në kokë. Njeriu kurrë s’është ankuar nga dija, por çdoherë shpresat e tij janë shuar kur s’e ka njohur Atë i Cili e obligoi dijen për robin e Tij… Gjuha ruhet kur gjymtyrët angazhohen me vepra që i sjellin dobi zemrës, kjo fjalë më ngjalli kujtime të hershme. As vetë s’di nga e shqiptova, dhe si u kujtova në të.
Një thënie e hershme, pëshpëriti zemra, që të më qetësojë mua dhe ta zbusë zemrën. Me këtë rast, thashë, qëndro aty ku ke dobi dhe bëhu i dobishëm me secilin qëndrim tëndin! E lashë lulen dhe e vazhdova rrugën time që më priste…
BLERIM MUHAXHERI
Burimi: albislam.com